“Këtu të gjithë punojnë dhe askush nuk është i pasur”, rrëfimi i shkrimtarit britanik për Shqipërinë

Turizmi para viteve ’90 nuk është konsideruar një degë prioritare për ekonominë. Megjithatë kishte një infrastrukturë të posaçme që ishte ngritur për aktivitetin turistik.

Në atë periudhë, të huajt nuk mund të vinin individualisht në Shqipëri por vetëm përmes organizimit të grupeve nga agjencitë që kishin marrëveshje me ndërmarrjen shtetërore Albturist.

Në vitet ’80, në Shqipëri vinin edhe turistë nga Britania e Madhe, pavarësisht se dy vendet nuk kishin marrëdhënie diplomatike miqësore. Për këtë qëllim, një kompani turistike britanike kishte lidhur një  marrëveshje me Albturist dhe çdo vit sillte në Shqipëri të paktën 10 grupe turistësh.

Në vitin 1982, grupit të turistëve britanikë në Shqipëri iu bashkëngjit edhe Philip Ward, një shkrimtar udhëtimesh që kishte jetuar në vitet ’60 në Libi, për të vijuar më pas eksperiencat e tij në Egjipt, Maltë e Indonezi.

Ai ka botuar një serë librash udhëtimi për Libanin, Iranin, Qipron, Irlandën etj. E në fakt, një vit pas pushimeve në Shqipëri, në vitin 1983 ai do të publikonte në Londër  një libër me 166 faqe që në thelb përbën edhe një nga guidat e para turistike të huaja për Shqipëri që prej Luftës së Dytë Botërore.

Në botimin e tij, Ward tregohet një vëzhgues i hollë i realitetit të atyre viteve në Shqipëri, por që e pasuron me informacione të shumta të karakterit historik e kulturor me qëllim që të jetë një guidë e plotë.

Në parathënien e guidës dhe rrëfimit të tij, Ward vendos theksin në faktin se informacioni i publikuar është i balancuar dhe se nuk ka asnjë qëllim tjetër të fshehur me këtë publikim, përveçse informimin e lexuesve dhe të interesuarve për një vend si Shqipëria që emërtohej nga ata si “Tibeti i Europës” për shkak të refuzimit për t’u hapur ndaj turistëve të huaj.

“Koha e kaluar në Shqipëri mund të konsiderohet më shumë si një aventurë sesa si një pushim… Kjo guidë është hartuar nga një britanik që s’ka qëllim as të kritikojë e as të mbështesë. Është shkruar me një mendje të pavarur, nga një që dëshiron të shohë përtej perdes së Adriatikut” shkruhet në parathënien e botimit të 1983.

Përshtypjet personale: Shqipëria dhe frika nga “agjentët e fshehur” mes turistëve

Autori, ndër të tjera, e përcakton Shqipërinë si “një shtet ku askush nuk është i papunë dhe askush nuk është i pasur”. Ai evidenton se aksidentet rrugore janë virtualisht të panjohura sepse ka aq pak automjete dhe për faktin se askush nuk mund të ketë në pronësi private një makinë dhe se janë shumë plazhe të bukura që nuk mund të mbipopullohen sepse ka pamjaftueshmëri hotelesh.

“Unë e vizitova Shqipërinë në periudhën maj-qershor 1982 si një anëtar anonim i një turi të zakonshëm dhe nuk m’u dha asnjë privilegj i asnjë lloji dhe të gjitha i pagova vetë pa kërkuar ndere.  Kompania “Regent Holiday UK” ofron të njëjtat lehtësi dhe nëse ke ndonjë interes të veçantë duhet ta kërkosh përpara te agjencia me qëllim që Albturist të organizojë një vizitë në shkollë apo fabrika, studio artisti apo kooperativë bujqësore.

Grupi ynë vizitoi një fabrikë tekstile, një kopësht fëmijësh, një fermë shtetërore në qendër dhe në jug të vendit dhe një librari publike, shfaqje filmi, takim me një gjyqtar dhe një takim me një poet dhe kryeredaktorin e DRITA-s, gazetës kulturore javore” shkruan Ward.

Ndër të tjera, në botimin e tij Ward jep informacione për eksperiencat ku vlerëson pozitivisht organizimin, ambientin që ka Shqipëria, mënyrën e mikpritjes, historinë  e megjithatë nuk lë mënjanë disa rezerva por që lidheshin me politikën e kohës.

“Autoritetet shqiptare janë të bindura se çdo grup turistësh fsheh brenda tij një agjent të fshehtë të CIA-s, KGB-së MI5 ose British and Foreign Bible Society.  Kompania “Regent” na kishte paralajmëruar frikën e Shqipërisë.

Qytetarët amerikanë nuk lejohet të hyjnë dhe as personat e punësuar si gazetarë.

Asnjë mashkull me flokë të gjatë ose mjekër të plotë nuk do të lejohej në vend. Nëse autoritetet nuk janë të kënaqura, flokët mund të priteshin nga berberi në mbërritje.

Nuk kishte askund një vend ku të këmbeje para dhe ishte e ndaluar që të importoje lekë. Punonjësja e Albturistit, Flora na mirëpriti dhe na kërkoi që t’i bindeshin dy ndalimeve: Jo fotografim ndërtesave ushtarake, porteve apo bunkerëve dhe asnjërit me uniformë ushtarake. Në fakt, unë isha udhëzuar që të mos i bëja foto askujt pa i marrë më parë leje” shkruan ai.

Në këtë mënyrë, nis ajo që Ward e konsideron si aventurë, të cilën e përshkruan gjatë në dhe mënyrë të detajuar në secilën etapë të turit në Shqipëri.

Në fund të botimit të tij, ai jep edhe disa informacione të dobishme për ata që duan të vizitojnë Shqipërinë, duke nisur nga mënyra sesi mund të vijnë në Shqipëri, akomodimi, hotelet më të preferuara, çmimet, kursi i këmbimit por edhe disa sjellje që duhen pasur kujdes.

Kur duhet të vish në Shqipëri?

“Ata që duan të eksplorojnë vende të reja për dije, bukuri dhe kënaqësi, mund të preferojnë pranverën (prill-maj) ose vjeshtën (tetor-nëntor) për të vizituar Shqipërinë. Ateistët mund të shijojnë një periudhë jo Krishtlindje këtu, ndërsa ata që janë në kërkim të plazhit me çmimet e paraluftës mund të qendrojnë në Durrës në qershor, korrik e gusht, me kalim edhe në Sarandë e Butrint. Malet janë për t’u vizituar nga prilli në tetor” rekomandohet në guidë.

Linja e munguar ajrore dhe alternativa e “Pakistani Airlines” nga Parisi

Rruga që duhej të ndiqte një britanik për të vizituar në Shqipëri ishte ajo përmes kufirit tokësor nga Jugosllavia për në Shkodër. “Do të ishte kënaqësi të ishte mundur që të fluturohej direkt në Tiranë ose të lundroje nga Korfuzi në Sarandë. Por deri kur autoritetet të lejojnë hyrjen e lirë në vend, përfshirë vizën individuale,hiking e kamping, një leje për të marrë makinë personale dhe për të lejuar krocerat mesdhetare që të ndalen në Durrës, duhet vetëm që t’i përshtatesh rezervimit dhe organizimit të “Regent Holidays”” vijon udhëzimi në guidë.

Sa i përket rrugës ajrore për të mbërritur në Shqipëri, autori jep disa konstatime e rekomandime.

“Marrëdhëniet diplomatike mes Francës dhe Shqipërisë janë më miqësore sesa ato mes Britanisë dhe Shqipërisë, ndaj nëse flet frëngjisht mund të preferosh të udhëtosh me linjën direkte Paris-Tiranë që ofrohet nga “Pakistani International Airlines” dhe një fluturim direkt Romë-Tiranë një herë në javë nga Alitalia dhe Romë-Tiranë-Bukuresht nga Tarom. Ka gjithashtu edhe tre fluturime direkte në javë nga Tirana në Beograd” vijon guida.

Kohazgjatja dhe kostoja e paketës së pushimeve në Shqipëri. 18 lekë për një vizitë në fermë!

Kompania britanike që operonte me Shqipërinë në ato vite  ofronte ture duke nisur nga prilli deri në janar. Turi më i shkurtër ishte 10 ditor dhe në vitin 1982 paketa për këtë kohëzgjatje varionte nga 265 deri në 275 paund.

“Dy ture verore bazohen në Durrës dhe kushtojnë 280 paund për 13 ditë dhe 305 paund për 17 ditë. Padyshim më të vlefshme janë dy turet e përgjithshme që zgjasin 2 javë në qershor dhe shtator dhe që kushtojnë 350 paund. Një dhomë teke kushton 2.70 paund për natë përgjatë sezonit dhe 23.50 paund për natë mes 28 korrikut dhe 28 shtatorit” shkruhej në guidë.

Itineraret ishin të paracaktuara nga Albturist ndaj dhe guida përmban një listë me turet që ofroheshin dhe çmimet e tyre. Turi në kampin e pionerëve në Durrës kushtonte 6 lekë ndërsa një vizitë në fermat e shtetit kushtonte 18 lekë. (*lista mëposhtë)

Hotelet dhe restorantet që vlerësoheshin si më të mirë e ata më të këqinj

Grupet e turistëve britanikë që vizitonin Shqipërinë përgjithësisht akomodoheshin në Hotel Tirana apo siç njihej ndryshe “15 katëshi”. Autori vlerëson lart kushte që ofronte ky hotel i pozicionuar në qendër të qytetit ndërsa evidenton se çdo dhomë kishte banjo dhe dush.

Si alternativë të dytë në kryeqytet, autori ka vendosur Hotel Dajtin, i ndërtuar nga italianët.

“Në Durrës mund të jesh me fat dhe të qendrosh në hotel Adriatiku por gjatë pikut të verës është e zakonshme për grupet që të qëndrojnë te Apollonia, Durrësi ose Butrinti që janë një shkallë më poshtë. Vizitorët zakonisht vlerësojnë Hotel Çajupin në Gjirokastër, Tomorin në Berat dhe Butrinti në Sarandë si të një niveli të mirë dhe Rozafati në Shkodër, Skampa në Elbasan e Apollonia në Fier si më pak të preferueshme por që duhet theksuar se nuk ka zgjidhje tjetër” shkruhet në raport.

Turistët e huaj, në këtë guidë këshilloheshin që të tregonin kujdes me atë që hidhnin në koshin e mbeturinave apo atë që linin pas, për faktin se “pasi ju të lini dhomën e të dilni, një kërkim sistematik  bëhet në dhomën tuaj për t’u siguruar se nuk keni lënë pas asgjë”.

Menuja dhe çmimet e restoranteve

Guida për turistët e huaj përmbante gjithashtu edhe menunë që ofronin restorantet (Hotel Butrinti në Sarandë 1982), peshën në gramë të ushqimeve dhe çmimet e tyre. (*lista mëposhtë)

Porositë: Mos lër bakshish në lekë, mos merr libra fetare e shpenzo të gjitha lekët

Autori i këshillon ata që duan të vizitojnë Shqipërinë që të mos marrin me vete ndonjë libër fetar, si bible apo kurani, që e kanë për përdorim personal pasi vendi është ateist e kjo mund të sjellë jo vetëm konfiskimin e tyre por edhe deportimin e menjëhershëm. Po ashtu, ai këshillon që të bëhet kujdes me librat e revistat që mund të konsiderohen si ofenduese nga autoritetet shqiptare.

Në listën e gjatë të këshillave, grave e vajzave u këshillohet që të mos marrin minifunde apo fustane “madhështore” pasi mund t’u kërkohet që të ndërrohen, ndërsa burrave e djemve që të mos mbajnë flokë e mjekër të gjatë pasi mund t’u kërkohet të shkojnë te berberi.

“Mos provo të importosh apo eksportosh lekë shqiptare. Çdo para e vogël për këmbim që të ka mbetur mund të shpenzosh në pije, cigare, shkrepësa ose dhurata në Shkodër. Sasi të mëdha lekësh duhet të këmbehen në Tiranë ose Durrës në ditën e fundit para nisjes. Disa dyqane hotelesh pranojnë vetëm lekë dhe disa të tjera valutë të huaj. Aktualisht 1 paund është i barabartë me 12.5 lekë. Me lër bakshish në para. Mund të qerasësh me cigare shoferin ose me ndonjë libër apo çorape korrierin” këshillohet gjithashtu në guidë.

Guida, që i kushton një rëndësi të veçantë potencialit turistik që ofronte Shqipëria, plazheve,  monumenteve të kulturës, historisë e pasur etj, u ripublikua edhe dy herë të tjera, në vitin 1985 dhe 1987 në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Burimi: TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne