KFOR-i Turk kompletoi kabinetin e informatikës në shkollën “Ibrahim Banushi” në Kosovë

Në shkollën fillore “Ibrahim Banushi” në fshatin Shalë të Komunës së Lipjanit, të premten u bë përurimi i kabinetit të informatikës, i pajisur me kompjuterë të rinj, dhuratë e Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Në përurimin e këtij kabineti, i cili është financuar nga Qeveria e Republikës së Turqisë në kuadër të Projektit të Bashkëpunimit Ushtarak-Civil të KFOR-it Turk, morën pjesë Komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım, drejtori i shkollës “Ibrahim Banushi” Izet Shala, përfaqësuesit të KFOR-it Turk në Kosovë si dhe mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës.

Me rastin e hapjes së kabinetit, komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım tha se edukimi dhe arsimimi i fëmijëve është tejet i rëndësishëm dhe prioritet për ta.

Ai tha se teknologjia po depërton shumë shpejtë në jetën e njerëzve. “Është tejet e rëndësishme që këto t’i bashkojmë me informacionet që i mësojmë në shkollë. Kontributi i këtyre kompjuterëve në këtë kabinet për arsimim dhe edukim do të jetë një rezultat shumë i mirë për ne. Do të jemi shumë të gëzuar kur në periudhën e ardhshme të vijmë për vizitë dhe t’ju shohim duke i përdorur ato”,- tha koloneli Barım.

Ndërsa drejtori i shkollës fillore “Ibrahim Banushi”, Izet Shala me këtë rast tha se kishin një mungesë të madhe me furnizime në kabinetin e informatikës. “Projekti i financuar nga ushtria turke u ka mundësuar nxënësve tanë që të jenë të barabartë me nxënësit e Evropës dhe me vendet tjera në zhvillim”,- tha ai.

Shala po ashtu shprehu dëshirën që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në ditët në të ardhmen. “Ju falënderojmë shumë dhe ju jemi mirënjohës për kontributin e dhënë për shkollën, nxënësit dhe arsimtarët tanë”,- shtoi ai.

Nxënësit e shkollës u shprehën shumë të gëzuar që tanimë shkolla e tyre është pajisur me kompjuterë.

Në kuadër të projektit janë dhuruar dhjetë kompjuterë, një laptop, një sistem zër, një projektor dhe një perde projektori, të gjitha në një vlerë prej rreth 6 mijë eurosh. (Anadolu Agency – AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne