Kim Mehmeti: S’të vlen gjë pushteti nëse nuk i sundo ambiciet grupore e individuale!

Lidhur me debatin se a duhet të gjitha partitë shqiptare të marrin pjesë në qeverinë e Zaevit, shkrimtari Kim Mehmeti pohon se këtë debat e nxisin ata që fitoren e popullit e barazojnë me privilegjet e burrështetasve shqiptarë. Sipas tij, pushteti është i dëmshëm për ata që nuk i sundojnë ambiciet vetjake e grupore.

Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e plot të Kim Mehmetit të publikuar në faqen e tij të FB.

“Nuk e kuptoj nga kjo vetëdije ‘intelektuale’ se partitë shqiptare e kanë të domosdoshme të jenë pjesë e cilësdo qeverie maqedonase?! Dhe kjo vetëdije politike e çoi BDI’në që më shumë se një dekadë t’u shërbejë qarqeve më antishqiptare policore e politike të VMRO-DPMNE’së! Po pra, duke e kultivuar këtë vetëdije, erdhëm këtu ku jemi sot: që për shumë shqiptarë, më të besueshme të jenë partitë maqedonase, se sa ato shqiptare dhe të mos pyesin se kush si qeverisë, por cila parti maqedonase sa poste ministrore na ofron!? Me çka pra kultivuam vetëdijen se fitorja e popullit, është e barabartë me privilegjet që shfrytëzojnë burrështetasit tanë! E në ndërkohë, shumica e ‘mendjendriturve’ tanë shtiren se nuk e dinë që ekzistojnë edhe qeveri të pakicës, të përkrahura edhe nga partitë që nuk janë pjesë e sajë, e me çka edhe më mirë e kushtëzojnë atë për realizimin e kërkesave të tyre! Më në fund, kjo vetëm shpjegon sa nuk e dimë se partitë synim kanë pushtetin dhe se, mirë është të kesh pushtet dhe forcën që ta jep ai, por vetëm nëse i sundon arsyen dhe ambiciet grupore e vetjake!”, shkruan Kim Mehmeti.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne