Kina paralajmëron qytetarët e saj në Korenë e Veriut të largohen para konfliktit me SHBA-në

Duke pasur frikë nga një sulm i mundshëm i SHBA-së ndaj Koresë së Veriut, Pekini po i kërkon qytetarëve të tij të kthehen, pasi Pheniani vazhdon testet e armëve bërthamore dhe raketave balistike.

Radio Free Asia i financuar nga SHBA-ja njoftoi të martën se ambasada kineze në Korenë e Veriut e dërgoi paralajmërimin më pak se një javë përpara 85 vjetorit të Ushtrisë Popullore Koreane në 25 prill, një rast që disa e pritën që Veriu ta përdorte si mundësi për të kryer testin e gjashtë bërthamor.

Pheniani në vend të kësaj bëri një stërvitje të madhe zjarri. Katër ditë pas përvjetorit, Veriu kreu një provë raketash, por predha shpërtheu disa minuta pas lançimit, një “dështim” që zyrtarët e Koresë së Jugut më vonë e menduan se ishte i qëllimshëm.

Në mes të kremtimeve festive, nëndetësja bërthamore USS Michigan, e pajisur me 150 raketa Tomahawk, u bashkua me një grup sulmi ajror të marinës amerikane të drejtuar nga USS Carl Vinson pranë Gadishullit Korean, në një shfaqje të forcës nga Uashingtoni.

Një shtetas koreano-kinez që u largua nga Pheniani pas marrjes së paralajmërimit në fund të prillit, tha për Radio Free Asia se “ambasada nuk ka dhënë kurrë një paralajmërim të tillë. Unë isha i shqetësuar dhe u largova nga vendi me ngut”, sipas Korea Times.

Ai shtoi se pavarësisht tensioneve në rritje me Korenë e Jugut dhe SHBA-në, mjedisi “paqësor” i Phenianit e pengonte ndjenjën e urgjencës apo panikut midis popullsisë koreano-kineze.

Me vendosjen e fundit të sistemit THAAD në Korenë e Jugut, me kërcënimet e Uashingtonit për veprime ushtarake kundër Veriut dhe me stërvitjet e përbashkëta ushtarake të SHBA-së me Korenë e Jugut, Pheniani ka akuzuar SHBA-në për shtyrjen e gadishullit në “buzë të luftës bërthamore” me “agresionin dhe histerinë” e saj.

Nëpërmjet Agjensisë Qendrore të Lajmeve të Koresë (KCNA), Veriu ka deklaruar se do të “vazhdojë të rrisë kapacitetet e tij ushtarake për vetëmbrojtje dhe për sulm bërthamor parandalues”, me një zëdhënës që tha të martën në një deklaratë se “tani që SHBA-ja po nxit grumbullimin e përgjithshëm për sanksione dhe presion ndaj DPRK-së, në përputhje me politikën e saj të re të quajtur ‘presion dhe angazhim maksimal’, DPRK-ja do të përshpejtojë maksimalisht ritmin për forcimin e parandalimit bërthamor,” raportoi Guardian.

Të hënën, KCNA vuri në dukje gjithashtu se Veriu ishte i përgatitur për të kryer testin e tij të ardhshëm bërthamor, sapo lidershipi ta konsideronte të përshtatshme. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne