Kina testoi me sukses avionin hipersonik

Kina ka testuar një mjet fluturues hipersonik që arrin shpejtësi prej 7.344 kilometrash në orë.

Sipas një lajmi që përcjell gazeta “China Daily”, Akademia Kineze e Teknologjive Hapësinore dhe Aerodinamike njoftoi se “Starry Sky -2”, i cili u testua në veriperëndim të vendit, ka arritur shpejtësinë prej 7.344 kilometrash në orë brenda 400 sekondave.

Mjeti hipersonik u transportua së pari me një raketë me karburant të ngurtë dhe më pas është ndarë nga raketa për të vazhduar me sistemin e tij të pavarur shtytës.

Avioni fillimisht arriti shpejtësinë 5,5 Mach, që është më shumë se pesëfishi i shpejtësisë së zërit, dhe në ultra shpejtësi, qëndroi për 400 sekonda.

“Starry Sky-2” më pas kaloi në 6 Mach, që është gjashtëfishi i shpejtësisë së zërit, dhe arriti shpejtësinë 7.344 kilometra në orë.

Mjeti ajror kinez arriti lartësi prej 30 kilometrash dhe bëri manovra me kënd të gjerë, gjithashtu duke testuar një sërë teknologjish të avancuara, siç është sistemi i mbrojtjes termike me ekuilibër të ngrohjes. Gjithashtu bëhet e ditur se për zhvillimin e mjetit hipersonik kanë nevojitur 3 vite.

Shpejtësia e zërit llogaritet 343,2 metra në sekondë. Ndërkaq, mjetet ajrore hipersonike janë ato të cilat lëvizin me shpejtësi 5 Mach (pesëfishi i shpejtësisë së zërit) ose më lartë.

SHBA në vitin 2011 testoi mjetin ajror pa pilot “HTV-2” me shpejtësi 20 Mach, mirëpo ai arriti të fluturojë vetë disa minuta para se të përplasej në Oqeanin Paqësor.

Në mars të vitit të kaluar, Kina realizoi shtatë teste të suksesshme mes 5 Mach dhe 10 Mach me një avion hipersonik të quajtur “WU-14”.

Ndër vendet që kanë testuar shembujt e parë të avionëve hipersonikë që gjithashtu mund të përdoren për transportimin e armëve bërthamore dhe raketave balistike, janë Rusia, India dhe Australia./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne