Kina vendos të kufizojë furnizimin me naftë për Korenë e Veriut, ndalon edhe importimin e tekstilit

Kina, aleatja më e madhe e Koresë së Veriut, ka kufizuar furnizimin e saj me naftë e do të reshtë së bleri tekstile nga vendi i izoluar politikisht.

Pekini është partneri më i rëndësishëm tregtar i Penianit dhe një prej burimeve të vetme të tij për monedhën rezistente ndaj zhvlerësimit. Me këtë veprim, Kina praktikisht i heq veriut komunist dy mundësi të mëdha ekonomike: bllokada e tekstileve cenon të ardhurat e Penianit dhe pa eksportet kineze të naftës, vendi do të ketë probleme të ndjeshme sa i takon furnizimit me karburant. Sanksionet me të cilat po pajtohet dhe kina, u vendosen nga OKB-ja pas testit të fundit nuklear që solli në një ashpërsim të ndjeshëm të retorikave me presidentin amerikan Donald Trump. Ato kulmuan me kërcënimin e hapur që shefi i Shtëpisë së Bardhë lëshoi gjatë fjalimit debutues në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kur tha se do ta shkatërronte fare shtetin komunist nëse në ndonjë moment, rrezikohej Amerika dhe aleatët. Një deklaratë e ministrisë kineze të Tregtisë sqaronte se kufizimet mbi naftën e përpunuar dhe nënproduktet e saj do të hyjnë në fuqi duke nisur nga 1 tetori, ndërsa ato të gazit natyror të lëngshëm, do të aplikohen menjëherë. Një sasi e vogël do të vazhdojë të eksportohet sidoqoftë, aq sa lejon rezoluta e Këshillit të Sigurimit. Nuk dihet ende me saktësi sesa është niveli tregtar mes dy vendeve dhe sa reduktohet ai nga masat e reja, por embargoja e tekstileve që përbëjnë eksportin e dytë më të madh të Koresë së Veriut, pritet t’i kushtojë asaj mbi 700milionë dollarë në vit. Pas fjalëve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara, zyrtari i Koresë së Veriut tha se nëse Amerika zgjedh luftën, do të përballet me një sulm bërthamor. Qeveria e këtij vendi, që është ndër vendet më të fuqishme me fuqi bërthamore, nuk frikësohet nga sanksionet, presionet dhe luftërat.

Sipas Rusia Today, agjencia shtetërore e Koresë së Veriut ka shkruar se Peniani është gati të shkatërrojë bazat e armiqve të tij nëse Koreja e Veriut sheh shenja të veprimit provokues. “Nëse SHBA zgjedh luftën, ajo do të përballet me një sulm të tmerrshëm atomik dhe përfundimisht do të shkatërrohet”. Trump u përgjigj, duke thënë se “njeriu i sëmurë do të testohet si kurrë më parë”. Dy vendet janë përfshirë në një retorikë edhe më të urryer në muajt e fundit. Kina ka reaguar ndaj luftës së fjalëve, duke paralajmëruar se “situata është e komplikuar dhe e ndjeshme”. Rusia po ashtu ka bërë thirrje për përmbajtje. Koreja e Veriut, vetëm në shtator, ka testuar një bombë të dyshuar hidrogjeni dhe një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi. Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong-ho, i cili më herët e ka krahasuar fjalimin e Trumpit me “zhurmën e një qeni që leh”, paralajmëroi se Pheniani mund të testojë një bombë hidrogjeni në Oqeanin Paqësor, në përgjigje të kërcënimit nga presidenti amerikan./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne