Kinë – Xi Jinping rizgjidhet për një mandat të dytë 5-vjeçar

Parlamenti kinez rizgjodhi njëzëri Presidentin Xi Jinping për një mandat të dytë në detyrë.

Në kuadër të mbledhjes së parë të Asamblesë së Përgjithshme të Legjislacionit të 13-të të Kongresit Kombëtar të Popullit të Kinës u votua për kryetar të shtetit dhe zëvendësit e tij.

Ky Kongres, i cili është organi më i lartë ligjvënës i Kinës, me 2.970 vota rizgjodhi Xi Jinping si kryetar të shtetit dhe gjithashtu edhe si kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak.

Ndërkaq ish-shefi i anti-korrupsionit Wang Qishan u zgjodh nënkryetar i ri me 2.969 vota.

Më pas Xi Jinping dhe Wang Qishan përshëndetën togën e nderit dhe u betuan mbi kushtetutë.

Me rizgjedhjen e Xi Jinping si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës gjatë Kongresit të 19-të Kombëtar, ka filluar edhe zyrtarisht mandati i tij i dytë si presidenti i vendit.

Me anë të zgjedhjeve në fjalë mandati 5-vjeçar i Xi Jinping do të zgjas mes viteve 2018-2023.

Në anën tjetër Kongresi Kombëtar i Popullit të Kinës javën e kaluar miratoi ndryshimin e nenit të kushtetutës i cili kufizonte mandatin e presidentit dhe zëvendësit në 10 vjet.

Me miratimin e ndryshimeve të kushtetutës Xi Jinping edhe pas përfundimit të mandatit të tij të dytë në vitin 2023 do të mund të rizgjidhet për president.

Xi Jinping, i cili ndodhet në pozitën e liderit më të fuqishëm pas themeluesit të vendit Mao Cedung, njëkohësisht kryen edhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Kinës dhe të kryetarit të Komisionit Qendror Ushtarak.

Detyrën e Presidentit Jinping e kishte marrë në mars të vitit 2013 nga Hu Xhintao.

Sipas “Projekt-draftit të reformave institucionale”, i cili u miratua në kuadër të mbledhjes së parë të Asamblesë së Përgjithshme të Legjislacionit të 13-të të Kongresit Kombëtar të Popullit të Kinës, kabineti i ri do të formohet nga 26 ministri dhe komisione.

Duke u bërë të ditur se me reformat e bëra qeveria do të përqendrohet në shërbim ndaj popullit, do të jetë me strukturë më efektive dhe në kuadër të këtyre reformave do të mbyllen 15 departamente të ndryshme në nivel të ministrave ose zëvendësministrave.

Gjithashtu bëhet e ditur se me anë të këtyre reformave zyrtarët si prioritet do të kenë luftën për parandalimin e rreziqeve, të varfërisë dhe marrjen nën kontroll të ndotjes së ambientit.

Kabineti qeveritar, i cili prej vitit 1982 e këtej përbëhej prej 43 ministrive, me anë të reformave në fjalë do të ristrukturohet për të 8-ën herë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne