Kisha Orthodhokse Ruse flet mbi skizmen qe Kostandinopoja po nxit ne Ukraine

Sqarim i qëndrimit të Kishës Orthodhokse Ruse në lidhje me përpjekjet aktuale të Patriarkut të Kostandinopojës Bartolomeu për të siguruar autoqefalinë e kishës orthodhokse skizmatike të Ukrainës:

Për fat të keq, Patriarkana e Konstandinopojës e identifikoi veten me skizmën pas njohjes së strukturave skizmatike në Ukrainë dhe pas vendimit për promovimin e projektit të “dhënies së autoqefalisë” besimtarëve ukrainas, dhe, kështu, krijimin e një strukture paralele në territorin e Kishës kanonike, e cila në kohët më të vështira ka qënë pranë popullit të saj. Me marrjen e vendimit për të mos vazhduar qëndrimin në bashkësinë eukaristike me Konstandinopojën, Sinodi i Kishës Orthodhokse Ruse vetëm sa ka konstatuar këtë fakt me të vërtetë tragjik.

Ndarja që ka lindur tani nuk mund të mos ndikojë në të gjithë orthodhoksinë botërore. Vendimet e fundit të Patriarkanës së Konstandinopojës jo vetëm që çojnë në thellimin e përçarjes në territorin kanonik të Kishës Orthodhokse Ukrainase të Patriarkanës së Moskës, por gjithashtu hapin rrugë për skizma të reja në Kishat e tjera Lokale. Pasi skizmatikëve tashmë u treguan mënyrën e “legalizimit” të statusit të tyre pa qenë nevoja e pendimit për veprimet skizmatike dhe kthimit në Kishën, nga e cila u larguan.

Përveç kësaj, u shkatërruan mekanizmat e dialogut dhe ndërveprimit ndër-orthodhoks, të formuara në një periudhë të gjatë kohore. Duke qënë se të gjitha Kishat Orthodhokse Lokale janë të barabarta në dinjitetin e tyre, Patriarkana e Kostandinopojës ka dalë në cilësinë e koordinatores për veprimtaritë ndër-orthodhokse. Tani që më shumë se gjysma e besimtarëve orthodhoksë në botë nuk janë në bashkësi me të, Konstandinopoja e ka humbur këtë rol.

Ne gjithashtu jemi shumë të shqetësuar për çështjen e konfiskimit të mundshëm të pronës së kishës. Edhe para kësaj ngjarjeje, godinat e Kishës kanonike janë sulmuar rregullisht nga vandalët, ata i kanë zënë dhe kanë injoruar vendimet për kthimin e tyre. Por tani skizmatikët haptazi pretendojnë pronësinë e faltoreve të shenjta të kësaj toke.

Edhe pse kreu i shtetit ukrainas deklaroi se nuk do të ketë rishpërndarje të pronës së kishës, është e vështirë të besojmë këtë gjë. Ministria e Kulturës e Ukrainës tashmë është duke kryer “inventarin” e kishave që janë në përdorim nga Kisha Orthodhokse Ukrainase e Patriarkanës së Moskës. Në lidhje me këtë janë lëshuar deklarata, sipas të cilave qëllimi është rishqyrtimi i të gjitha dokumenteve, mbi bazën e të cilave Kisha përdor pronat e saj. Ndërsa Ministri i Jashtëm i Ukrainës Pavel Klimkin u shpreh se “Patriarkana e Moskës nuk ka ç’të bëjë në Ukrainë”. Përveç kësaj, në Radën e Lartë të Ukrainës mbeten për shqyrtim projektligjet diskriminuese, në bazë të të cilave praktikisht legalizohet gllabërimi ndaj komuniteteve të Kishës Orthodhokse Ukrainase të Patriarkanës së Moskës. Në këto projektligje parashikohet vendosja e kontrollit mbi jetën kishtare dhe, madje, ndryshimi i dhunshëm i emrit të Kishës kanonike. Kryetari i parlamentit të Ukrainës Andrej Parubij para pak ditësh ka shprehur qëndrimin e tij ndaj Kishës Orthodhokse Kanonike të Ukrainës duke deklaruar se “kjo nuk është Kishë”.

Me keqardhje, duhet të pranojmë se përkeqësimi i situatës fetare në Ukrainë nxitet nga Konstandinopoja, e cila vendosi t’i legalizojë skizmatikët ukrainas.

Burimi: Ambasada e Rusise ne Shqiperi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne