Klandestinët shqiptarë telash shtesë për policinë daneze

Prej rreth 4 vjetësh klandestinët shqiptarë, që mësyjnë portet holandeze për të shkuar në Angli u shndërruan jo vetëm në telash shtesë për policinë holandeze, por edhe në mollë sherri për partitë holandeze në debate të ndezura në parlament. Holanda reagoi me cdo mjet të mundshëm nga vizita në Shqipëri e burgmajsterit (kryebashkiakut) Aboutaleb të Roterdamit te vizita në Tiranë e ministrit të drejtësisë së Holandës. Më së fundi zyrtarisht 4 parti parlamentare holandeze kanë kërkuar që Holanda me vendim të njëanshëm të rivendosë sistemin e vizave për shqiptarët.

Në hapat e Holandës duket e po ecën edhe Danimarka. Policia daneze në Portin Esbjerg vetëm në 2 ditët e fundit ka kapur 13 klandestinë shqiptartë. Klandestinët pasi kanë kapërcyer gardhin rrethues të  portit kanë hyrë në karroceritë e kamionve, që po imbarkoheshin në tragetin e kompanisë DFDS. Destinacioni i klandestinëve shqiptarë ishte Anglia. Në rastin e parë u kapën 4 klandestinë të moshave 20, 21, 30 dhe 35 vjec, sic informon media daneze Jydskevestkysten. Në rastin e dytë sic raporton media daneze Jyllands-Posten u kapën 9 klandestinë shqiptarë.Shqiptarët klandestinë pasi kishin kapërcyer gardhin e Portit të Ejsberg-ut kishin hyrë në karrocerinë e një kamioni, që po imbarkohej në një nga tragetët e Kompanisë DFDS me destincaion Anglinë.Sipas ligjit danez klandestinët e kapur do të mbahen në paraburgim e më pas do të dëbohën për në Shqipëri duke iu ndaluar hyrja në Danimarkë për 10 vjet të tjerë.

Nuk është cudi që vota daneze për hapjen e negociatave midis BE-së dhe Shqipërisë të influencohet nga ky fluks klandestinësh shqiptarë, që po i përdorin portet daneze si trampolinë (pedanë kërcimi) për të realizuar ëndrrën angleze./ GJERGJI THANASI/Gazeta Impakt

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne