Klinika në Kosovë ‘ua hoqi veshkat pacientëve pa qenë e nevojshme’

Një eksperte e mjekësisë ligjore tha në rigjykimin e tre burrave të dënuar për përfshirje në trafikim organesh nga klinika “Medicus” në Kosovë se dy pacientëve u ishin hequr veshkat pa pasur asnjë arsye mjekësore.

Ekspertja e mjekësisë ligjore Carmen Barbu tha në Gjykatën Themelore të Prishtinës të enjten se veshkat e dy pacientëve të klinikës “Medicus” që po dëshmojnë si dëshmitarë të mbrojtur në gjyq janë hequr pa pasur asnjë arsye mjekësore.

Ish-pronari i klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishi, djali i tij Arban Dervishi dhe krye anestezisti Sokol Hajdini po rigjykohen për përfshirje në krim të organizuar në lidhje me trafikim njerëzish pasi një vendim i Gjykatës së Lartë të Kosovës rrëzoi vendimet fillestare.

Barbu tha në gjykatë se ajo zbuloi pasi i vizitoi të dy dëshmitarët se ata nuk kanë veshkat e tyre të majta.

“Nga skaneri, zbuluam mungesën e veshkës së majtë dhe u arrit gjithashtu në përfundimin se veshka ishte hequr me anë të një ndërhyrje kirurgjike,” tha ajo.

Ajo tha se nga pikëpamja mjekësore, nuk kishte asnjë arsye për t’u hequr njërën veshkë këtyre pacientëve.

“Nuk ka pasur asnjë patologji serioze apo traumë në të kaluarën e këtyre pacientëve që do të justifikonte heqjen e veshkës,” tha Barbu.

Prokurorja Valeria Bolici e pyeti Barbun se cila veshkë hiqet zakonisht kur një person e dhuron atë.

“Në rastin e një transplanti veshke, nëse ka ndonjë dhurues veshke, zakonisht merret veshka e majtë, sepse vena është më e gjatë dhe riparohet më lehtë,” u përgjigj ajo.

Gjykata e apelit la në fuqi dënimet e tyre të mëparshme në mars 2006, duke e dënuar Lutfi Dervishin dhe djalin e tij me nga 8 vjet burg dhe Hajdinin me pesë vjet burg.

Vendimi tha se në klinik në vitin 2008 “ishin kryer disa transplante të paligjshme veshkash”.

Njerëz të varfër nga Turqia, Rusia, Moldavia dhe Kazakistani dyshohet se u sollën në klinikë pasi u siguruan se do të merrnin deri në 15,000 euro për veshkat e tyre.

Prokurori i EULEX-it në këtë çështje tha se marrësit e transplanteve, kryesisht izraelitë, paguanin më shumë se 70,000 euro për veshkat.

Por pas vendimit të gjykatës së apelit, Gjykata e Lartë e Kosovës urdhëroi rigjykim të çështjes bazuar në parregullsi procedurale.

Policia fillimisht e mësymi klinikën “Medicus” në vitin 2008 pasi një burrë turk që i kishin marrë veshkën u gjet i sëmurë rëndë në aeroportin e Prishtinës.

Klinika “Medicus” u përmend edhe në një raport të Këshillit të Europës i cili hodhi dyshimet se elementë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tregtuan organe të të burgosurve gjatë konfliktit të vitit 1999.

Hetuesit e mbyllën klinikën në vitin 2008 dhe që atëherë ajo është shitur.

Të mërkurën, gjykata dëgjoi gjithashtu dëshminë e një infermiereje e cila mori pjesë gjatë operacionit në klinikë, Shpresa Makolli.

Prokurori Bolici e pyeti Makollin nëse ajo kishte vënë re ndonjë gjë të pazakonte gjatë më shumë se 20 operacioneve ku ajo mori pjesë në klinikë, por dëshmitarja u përgjigj se “ajo nuk vuri re ndonjë shenjë apo ndonjë gjë të veçantë”.

Rigjykimi vazhdon të martën.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne