Koha e Hashim Thaçit ka mbaruar!

Si do që të interpretohet tentimi i ri i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për të marrë timonin e dialogut në Bruksel – si nevojë për t’u faktorizuar para bashkësisë ndërkombëtare në rolin e njeriut të punëve të mëdha, si manovër taktike për t’u imponuar në pozicionin e liderit të pakontestuar mbarëkosovar në momentin kur baza e tij politike (PDK), po shënon rënie elektorale me shpejtësi, si reaksion natyral i njeriut që për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit është mësuar të bëjë atë që është në interesin e tij, pa pyetur njeri tjetër, apo si akt i një politikani, i cili ka kohë që e tejçmon fuqinë që ka – e vërteta e pakontestueshme mbetet se transformimi i negociatave mes dy qeverive në bisedime, mes dy presidentëve nuk ka asnjë perspektivë suksesi.

Së paku jo në rastin e Kosovës.

Dhe kjo jo vetëm për faktin e thjeshtë se Kosova është një Republikë parlamentare dhe jo presidenciale (që nënkupton se vendimet dhe mandatet kërkohen dhe caktohen në Kuvend, jo nga presidenti), por edhe për shkak se tentimi i Thaçit vjen në kohën kur ai, si qenie politike, më nuk është i njëjti me njeriun që e nisi dialogun krye në vete, gjashtë vjet më parë.

Sot, Thaçi president nuk ka asnjë grimcë mandati ligjor e kushtetues më shumë se që kishte pararendësja e tij, Atifete Jahjaga, gjatë pesë vjetëve të para të dialogut. Rrjedhimisht, sot Thaçi nuk ka asnjë gram më shumë mandati politik të ndërhyjë në këtë proces pa pajtimin e institucioneve të tjera të Republikës sonë parlamentare – Qeverisë dhe Kuvendit (sidomos Kuvendit), se që kishte dikur Jahjaga.

Pra, Thaçi sot (si Jahjaga dikur) nuk ka mandat për të negociuar marrëveshje me Serbinë, edhe nëse zyra e tij do të kishte (e nuk e ka) kapacitetin administrativ e politik për të menaxhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel. Aq më pak për të reformuar atë proces, i cili është e qartë se duhet reformuar, mes tjerash, edhe për faj të Thaçit, i cili ndihmoi dhe u pajtua që i gjithë dialogu të konstruktohet gabimisht prej fillimit.

Pra, thënë shkurt, mes gjërave kryesore që duhet të ndryshohen në dialog që ai të ketë sukses, nga perspektiva kosovare, është edhe që prej tij të largohen ata që dështuan ta kthejnë dialogun në favor të Kosovës.

Ndër ta, i pari është Thaçi.

* * *

Përpjekja e Thaçit, sado pompoze që është, nuk ka si të jetë e suksesshme nëse shumica parlamentare nuk e përkrahë atë – e njëjta shumicë që para pesë vjetëve ia dha mandatin Qeverisë, dhe vetëm Qeverisë, që të përfshihet në bisedime “për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në rrethana normale, Thaçi, përpara se të shkojë në Bruksel e të dakordohet me Vuçiqin se duhet filluar një fazë e re në procesin e dialogut, së pari do të kishte kërkuar përkrahje për një angazhim të tillë nga Qeveria, dhe më pas do të kishte kërkuar miratimin e mandatit të ri nga Parlamenti.

Natyrisht, një gjë e tillë nuk do të ishte në natyrën e tij, marrë parasysh se bëhet fjalë për të njëjtin njeri që më 2011, si kryeministër i dalë nga një proces i manipuluar zgjedhor, e nisi dialogun “teknik” me Serbinë pa e marrë as miratimin formal të Parlamentit, edhe pse e kishte shumicën e sigurt.

Sidoqoftë, situata e tanishme është ndryshe prej asaj të vitit 2011, dhe takimi mes Thaçit e Vuçiqit, të hënën e kaluar në Bruksel, rezulton të mos jetë diç më tepër se sa edhe një prej fusnotave të shumta të krijuara në kontekstin e ndryshimeve të mëdha politike në Kosovë, që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin.

Por, nëse është kështu – e kështu është – cili është, atëherë, konteksti i ri politik që e bën iniciativën e Thaçit të jetë kaq joserioze dhe të parealizueshme?

Është i njëjti kontekst që i ka bërë joserioze dhe të parealizueshme edhe iniciativat tjera të ndërmarra nga presidenti muajt e fundit, siç ishte, për shembull, iniciativa për transformimin e FSK-së në ushtri.

Dhe iniciativa për krijimin e një Komisioni për pajtim.

Dhe iniciativa për ndryshimet e sistemit zgjedhor.

Si dhe iniciativa për ndryshimet Kushtetuese…

Realiteti i kontekstit të ri politik, që ka nisur të marrë formë shumë kohë para zgjedhjeve të 11 qershorit, është i një presidenti që është zgjedhur president jo për shkak se ka përkrahje nga shumica parlamentare, por si imponim nga një krizë e rëndë politike, e cila ende vazhdon.

Ky kontekst, pas 11 qershorit është forcuar, meqë presidenti, në këtë moment, duket qartë se nuk e ka përkrahjen e shumicës parlamentare, që nënkupton se çdo iniciativë e tij do të përballet me një Kuvend kundërshtues.

Situata është edhe më e ndarë për presidentin, marrë parasysh se baza politike e tij, PDK-ja pra, tashmë ka humbur terren në Kuvend (prej partisë numër një brenda natës ka rënë në partinë e tretë në vend), por e ka të zbehur edhe lidhjen me ish-kreun e saj – Thaçin. Dhe atë, jo vetëm për shkak se PDK-ja tashmë udhëhiqet nga dikush tjetër, por edhe për faktin se PDK-ja, më mirë se kushdo tjetër, e ka kuptuar se rënia e saj elektorale e ka zanafillën te Thaçi, dhe jo te Veseli – sepse është mënyra e udhëheqjes së partisë, Qeverisë dhe shtetit të cilën e ka instaluar Thaçi, ajo që i ka kushtuar PDK-së në zgjedhje.

Ana tjetër e realitetit politik duket edhe më e errët për presidentin: derisa në skenën politike kosovare zhvillohet një garë e re për primat në pushtet, ku të përfshirë janë njerëz krejt tjerë dhe jo ai, Thaçi tashmë bën pjesë në grupin e liderëve që për pjesën dërrmuese të publikut kosovar – por edhe për bashkësinë ndërkombëtare – janë të skaduar, pa forcë reale, dhe që e kanë kryer apo janë në përfundim të misionit të tyre. Edhe nëse ka pasur dilema rreth kësaj në të kaluarën, pas konfrontimit me SHBA-në dhe NATO-n rreth FSK-së dhe ushtrisë, pranverën e kaluar, nuk ka mbetur më diplomat serioz që vizionet dhe projektet për Kosovën dhe rajonin i mbështet në lidershipin e Thaçit.

* * *

Në këto rrethana, përpjekja e Thaçit për t’u rilansuar si lideri i proceseve të mëdha kosovare (vetë ai vazhdimisht pretendon se “e ka fituar luftën” dhe se “e ka shpallur pavarësinë”, ndërsa premton se “do ta anëtarësojë Kosovën në BE” dhe do ta “sigurojë njohjen e Kosovës nga Serbia”) përveç se duket joserioze, është edhe e dëmshme.

Sepse, procesi i dialogut vërtet ka nevojë për t’u rimenduar dhe ndryshuar, për shkak se gjashtë vjetët e bisedimeve në Bruksel kanë ardhur në pikën kur nuk mund të prodhojnë asgjë më shumë se që kanë prodhuar, përveç tensioneve serbo-shqiptare (si me rastin e Trenit serb në veri) dhe iluzioneve politike (çfarë në fakt është kjo iniciativa Thaçi-Vuçiq), andaj dhe çdo vazhdim i procesit në formën e deritanishme dhe me qasjen e pandryshuar është në dëm të vendit.

E për një rimendim të dialogut, Kosova ka nevojë që paraprakisht të ndërtojë një konsensus të gjerë shoqëror e politik, të bazuar mbi interesa të definuar qartë, platformë konkrete negociuese dhe vizion politik për t’i dhënë procesit një kornizë të qartë kohore dhe përmbajtjesore, me rezultat të definuar mirë, dhe jo me parulla populiste të stilit “do të na njohë Serbia”, por me caqe konkrete e të arritshme, që do t’i siguronin Kosovës perspektivë ekonomike dhe shoqërore, por edhe të ardhme të prekshme dhe të pakontestueshme evropiane, pa e shembur rendin e brendshëm juridik e kushtetues, edhe nëse do të mbetemi në raporte të pasqaruara me Serbinë edhe në 100 vjetët e ardhshëm.

Diçka që Thaçi as nuk ishte në gjendje, e as që ishte i interesuar t’ia sigurojë vendit gjatë gjithë kohës sa ishte në krye të këtij dhe proceseve tjera.

Andaj, koha e tij mbaroi…

*Kryeredaktor i Koha Ditore

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne