Koha e mosarsyes

nga Ibrahim Kalen.

Ikonëthyesi dhe ngahera dyshuesi Niçe (Nietzsche) shkroi në 1885-ën se “ka një element kalbësie në gjithçka që e karakterizon njeriun modern”. Kjo ishte më tepër se thjesht një shprehje e pesimizmit kulturor. Niçe nuk kishte besim në premtimet e skajshme të periudhës së iluminizmit dhe modernitetit. Më tepër se një shekull më vonë, gjendja e botës në të cilën jetojmë paraqet një tablo edhe më pështjelluese.

Kritikët radikalë të modernitetit perëndimor ngritën pikëpyetje serioze mbi profecitë e tij vetëpërmbushëse. Në vend të botës së patrazuar të arsyes, racionalitetit, shkencës, teknologjisë dhe deklarimeve për demokraci e rend ligjor, ata i panë kolonializmin dhe imperializmin europian, punën e fëmijëve, shfrytëzimin kapitalist, luftën e klasave dhe shtypjen si lajtmotivet kryesore të modernitetit. Nga Oswald Spengler-i dhe Martin Heidegger-i te T. S. Eliot-i dhe Michel Foucault-i, dhjetëra intelektualë perëndimorë e çmuan shthurjen dhe dekadencën si parimet udhëheqëse të botës së re të guximshme. Ca kishin pasur shpresë për kapërcimin e kësaj krize nihilizmi. Ca nuk kishin pasur kurrë. Ky është një prej paradokseve të vijueshme të modernitetit perëndimor. Në njërën anë keni një arrogancë dhe vetëbesim tepër të madh për ta ndërtuar një botë të re, të bazuar në një botë kuptim eurocentrik.

Në anën tjetër, keni mosbesim dhe dyshim të madh se intelektualët, studiuesit dhe artistët nuk i kanë për zemër pretendimet arrogante të botës moderne. Të dy realitetet e kanë formësuar trajektoren e historisë moderne që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë. Edhe pse në fund moderniteti perëndimor ngadhënjeu, duke çuar në një botë kontradiktash të forta dhe historish paralele. Disa prej këtyre kontradiktave janë të egra e të tëra të turpshme. Bota nuk ka parë kurrë aq shumë pasuri në histori. Por, ne kurrë nuk kemi parë një hendek të tillë të madh midis të pasurve dhe të varfërve. Shkenca dhe teknologjia kanë bërë hapa të mëdhenj përpara, por nuk ia kanë dalë ta zëvendësojnë besimin fetar dhe etikën tradicionale. Interesi për fantazitë, misteret dhe literaturën okulte është në rritje në vendet më shekullare perëndimore. Fetë janë lënë mënjanë nga forcat shekullare dhe shkencore të botës moderne. Por, ato po kthehen gjithashtu me një energji të re. Individi qe paraqitur një herë e një kohë si dhurata më e vyer e periudhës së iluminizmit. Veçse po shtypet nën sistemin e ankthshëm dhe gjithmonë kompleks të jetës moderne. Forma të reja të komunitarianizmit janë në rritje. Shkurt, arsyeja dhe mosarsyeja janë të dyja të pranishme në botën moderne. Në dallim nga ç’pretendojnë oportunistët politikë dhe ekspertët neokonservatorë, kjo nuk ka të bëjë fare me kryeneçësinë e Islamit ose të besimeve të tjera fetare. Dështimi për t’i parë padrejtësitë dhe kontradiktat e brendshme të sistemit botëror të tanishëm, prej të cilave muslimanët vuajnë po aq sa të tjerët, nuk është vetëm qartas i gabuar, por njëkohësisht i rrezikshëm, ngaqë i ushqen tendencat ligësisht antiislame dhe islamofobe në Perëndim. E përligj dhe e bën normal racizmin dhe ksenofobinë. Rrëmben politikën mbizotëruese në vendet perëndimore. Në vijim, ushqen lëvizjet e dhunshme ekstremiste në botën islame. E tëra kjo çon në një udhë vetëshkatërrimi të ndërsjellë.

Fajësimi i Islamit dhe i muslimanëve për dështimin e projektit të modernitetit nuk mund të jetë një strategji për kapërcimin e dobësive të tij. Vënia e modernitetit si arsye kundër Islamit si mosarsye nuk mund të jetë një lëvizje logjike për t’i kuptuar kompleksitetet e traditave islame dhe perëndimore. Krahasimi dhe ballafaqimi i idealeve të njërit me realitetet e tjetrit është një qasje vetëgënjyese. Paraqitja e Islamit dhe e muslimanëve si një problem sigurie është bërje e njërit sy qorr ndaj turbullirës së brendshme të kohës në të cilën jetojmë. E njëjta gjë mund të thuhet për muslimanët që zgjodhën të qëndrojnë në hapësirën e tyre të rehatshme në vend të përballjes me mendje të hapur me problemet e veta. Fajësimi i Perëndimit ose modernitetit për gjithçka që ka shkuar keq në botën islame nuk ka ndonjë ndryshim prej goditjes eurocentrike të Islamit. Kapja fort pas vlerave tona është një kusht thelbësor i të gjitha traditave të besimit. Por, kjo nuk mund të jetë shfajësim për mungesën e mendimit kritik dhe të hapjes ndaj botës. Në të kundërtën, Kur’ani na nxit ta përdorim arsyen për ta kuptuar botën dhe për ta kthyer atë në një mjedis të kuptueshëm dhe të virtytshëm, ku ne e mbrojmë të vërtetën dhe drejtësinë.

Arsyeja dhe mosarsyeja kanë për të vijuar të bashkëjetojnë në botë, duke e shtyrë njëra-tjetrën në të djathtë dhe në të majtë, duke na shtrënguar ne të bëjmë zgjedhje që janë me rëndësi jetike. Çështja është nëse kemi për t’i dhënë një mundësi arsyes të na udhëheqë në udhën e virtytit, dashurisë dhe dhembshurisë!

*Autori është zëdhënës i Presidencës së Republikës së Turqisë – Ambasador

Përktheu: Bujar M. Hoxha

Burimi: Shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne