Kokëdhima: E vërteta e plagjiaturës së Bashës në tezën “Qeveri tranzitore”

Koço Kokëdhima ka akuzuar Lulzim Bashën, se i ka vjedhur idenë për “qeveri tranzitore”.

“Opozita formale e Lulzim Bashës kërkon nga kryeministri Rama një “Qeveri tranzitore”. Që në krye duhet sqaruar se kërkesa është formuluar fillimisht nga Partia “Zgjidhja” në Tryezën e Partive për Zgjedhje të Lira dhe jo me qëllimet që ka Basha, por për të realizuar një reformë elektorale të vërtetë. Arsyen përse Lulzim Basha në “plagjiaturë” politike, do ta kuptojmë më poshtë. Kur Lulzim Basha e futi opozitën në çadrat poshtë dritareve të zyrës së Edi Ramës, kopjoi tezën e Partisë Zgjidhja mbi “Republikën e qytetarëve” për t’i dhënë legjitimitet sovranit të zgjedhë me votën e tij.

Ne ishim parti e re dhe e trajtuam me modesti këtë ngjarje. Menduam, shumë mirë që një opozitë përqafon tezat tona për ndryshimin e sistemit politik dhe, kështu do të bëhet më e lehtë arritja e qëllimit. Ishte e papritur për ne, që Lulzim Basha merrte përsipër të artikulonte parrullat tona, sepse e dinim kë përfaqëson. Partia e tij, në 26 maj 1996, bëri vjedhjen masive të votave, në të njëjtën kohë që PS bojkotoi zgjedhjet”, shkruan Kokëdhima.

“Ky njeri nuk mund të besohet, sepse në 2017 na tha që do të ndryshonte këtë sistem dhe sidomos shprehej kundër listave të mbyllura të kryetarëve të partive. Në realitet i bëri listat e partisë së tij brenda natës dhe i dorëzoi në minutën e fundit në KQZ.

Në mungesë të reformës, sërish kandidatët për bashkitë dhe këshillat do të jenë të emëruar, jo të zgjedhur. Pra, si ta besojmë se ky njeri e ka seriozisht sot? Në vitin 2017, Basha dhe Rama bën pakt të fshehtë kundër partive të tjera. Ata e bënë marrëveshjen larg syrit të ndërkombëtarëve (McAllister nuk e kuptoi dot kurrë se si ai nuk arriti t’i bindte këta dy liderë të uleshin në bisedime dhe pas largimit të tij, këta u takuan dhe bënë një marrëveshje të pashpallur). Si ta kuptojmë sot Bashën që kundërshton ndërkombëtarët për bërjen e reformës zgjedhore dhe deklarohet për “qeveri tranzitore”.

Ai po vazhdon paktin e 17 majit, është për qeveri me ministra teknikë dhe për zgjedhjet që sigurojnë pozitat e vetëm tre partive PS-PD-LSI dhe ruajnë status quo-n.

Njerëzit sërish nuk do të zgjidhnin njerëz të tjerë, veç numrave në listën e kryetarit. Zgjedhësit nuk do të kenë alternativë veç tri partive të kalbura.

Tryeza e Partive për Zgjedhjet e Lira i është drejtuar Lulzim Bashës: Bëhu me alternativën tonë: Ose duhet të jemi pjesëmarrës në demokraci me votën tonë, ose nuk duhet të marrim fare pjesë në këtë republikë të rotacionit të korrupsionit. Kur e dëgjojmë Lulzim Bashën të flasë për “qeveri tranzitore” pas 16 shkurtit, nuk na tingëllon mirë “plagjiatura” e tij. Sepse gjatë kopjimit, ai ka ide tjetër në thelb, të ndryshme nga “Zgjidhja” dhe tryeza e mbi 20 partive që luftojnë për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ne jemi për një qeveri teknicienësh, akademikësh dhe intelektualësh me integritet, jo për kabinet të emëruar nga këta të dy, që janë pjesë e problemit.

Prandaj 16 shkurti, sado njerëz të mbledhë te dera e qeverisë, nuk synon ndryshimin. Ndërsa për ne, më tepër rëndësi ka protesta e studentëve dhe pedagogëve, sado që nuk ka bërë formulime politike të kërkesave, por në esencë janë lëvizje anti-sistem. Ata studentë, sado pak që mbetën sot, sado pak që të jenë nesër, janë rezistenca e vërtetë, janë përpjekja më e sinqertë për të ndryshuar gjërat, për demokraci dhe dinjitet. “Plagjiatura” e idesë për qeveri teknike, kuptohet se bëhet nga ju për të mbytur çdo ide që vjen jashtë sistemit dhe kundër tij. Ju nuk frymëzoni me qëndrimet tuaja, as nga 16 shkurti nuk pritet gjë e re.

Shembull i dinjitetit dhe frymës së demokracisë vjen nga studentët që shkaktuan në dhjetor tërmet te qeveria dhe opozita. Ata i morën në dorë fatet e tyre, fakultetet, auditorët, jetën e tyre dhe i qëndruan të keqes përballë, pa kompromis. Që të kthehemi, në krye të çështjes, ju kujtoj se studentët u ngritën edhe kundër plagjiaturës. Pra, ka ardhur koha që edhe politikanët të dalin para njerëzve ashtu siç janë, pa kopje, pa gënjeshtra. Pra, mos i përdorni më parullat “republikë”, “qeveri e popullit” apo “qeveri teknike”, “reformë zgjedhore”, sepse nuk i fshihni dot pazaret politike me të cilat zëvendësuat kushtetutën”, vijon Kokëdhima.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne