Kokëdhima sulmon ashpër Ramën në Asamblenë e PS: Po përgatitet mega-vjedhja e zgjedhjeve

Ish deputeti i PS-së dhe drejtuesi i lëvizjes “ZGJIDHJA”, Koço Kokëdhima, i ka drejtuar një letër të hapur Asamblesë Socialiste që sot zhvillon mbledhjen e radhës.

Kokëdhima u kërkon anëtarëve të kërkojnë demokratizimin e partisë dhe të mos lejojnë të përdoren nga Edi Rama si fasadë apo për “prerje kokash”, siç ka ndodhur në asamblenë e kaluar.

Ai thotë se PS ndodhet brenda një krize të thellë për shkak të arrogancës, diletantizmit dhe bullzmit të treguar nga lidershipi i saj në këto 4 vjet qeverisje.

LETRA E HAPUR

Drejtuar mbledhjes së zgjeruar të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste

Platformë për Kongresin e Partisë Socialiste të 29 prillit 2017

Nga Koço Kokëdhima

Të dashur vëllezër dhe motra! Në emër të lëvizjes ZGJIDHJA dhe të mijëra anëtarëve të Partisë Socialiste anembanë vendit, ju shpreh shpresat tona më të sinqerta që kjo asamble të mos shndërrohet në një farsë të re të radhës. Herën e fundit kryetari e mblodhi atë për “prerje kokash” si në regjimet totalitare. Por sot, kur partia jonë ndodhet përpara një krize të madhe politike në vend dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, duhet që të triumfojë arsyeja, solidariteti dhe interesi i lartë i vendit dhe i Partisë Socialiste. Lidershipit të partisë tonë në fakt nuk i nevojitet mendimi, por mbështetja juaj symbyllur dhe e heshtur. Ky lidership prej vitesh nuk vendos në listën për deputetë as ata që do populli, as ata që duan socialistët e bazës, as ata që e meritojnë. Sa për sy e faqe do të ftoheni që të përkrahni “kriteret” që duhet të përmbushin kandidatët për deputetë. Kjo asamble e zgjeruar do të  shërbejë vetëm për të trumpetuar e propaganduar “sa shumë ka bërë kryetari ynë dhe sa shumë ka për të bërë në të ardhmen ai për socialistët dhe popullin e thjeshtë”. Ju bëj thirrje të mos lejoni që të abuzoheni. Duhet të jetë anëtarësia e gjerë e Partisë Socialiste, që t’i kërkojmë llogari kësaj kryesie, këtij kryetari dhe kësaj qeverie. Pse këta të fundit nuk u kujtuan në këto katër vjet për ata mijëra e mijëra socialistë të bazës dhe qytetarë të thjeshtë që u braktisën, u harruan, u gënjyen dhe u mashtruan, që nuk u ndien për asnjë çast të përfaqësuar e të respektuar?! Pse nuk u dëgjuan dhe nuk u ndihmuan asnjëherë zgjedhësit tanë të rraskapitur, të rrënuar e të çoroditur që u ankuan për papunësinë, skamjen dhe varfërinë, për zbrazjen e vendit dhe ikjen e rinisë në emigracion, për allishverishet e pushtetarëve me pasuritë publike, për konçesionet turpëruese e të dëmshme për interesat tona kombëtare e popullore, për koston e papërballueshme të jetës, për korrupsionin dhe arrogancën e qeveritarëve, për shkatërrimin e lirisë së konkurrencës në ekonomi, në politikë e në punësimet në shtet, për prishjet dhe shpronësimet dramatike të shtëpive dhe lokaleve? Populli që na besoi para katër vitesh, po na e përplas zhgënjimin në fytyrë. Prandaj sot, ne socialistëve na nevojiten të bëjmë reforma të thella e masa konkrete brenda partisë që t’u dëshmojmë militantëve tanë dhe të gjithë shqiptarëve se nga gabimet kemi nxjerrë mësimet e duhura. Ta hapim Partinë Socialiste. Të sjellim në të gjak të ri, vullnet të ri dhe mendim të kualifikuar. Ta çlirojmë partinë nga drejtimi amatoresk, autoritarizmi, arbitrariteti dhe bullizmi i lidershipit aktual. Të rivendosim mjedisin demokratik, vlerat dhe parimet e të majtës, kulturën, rregullat, ekspertizën dhe standartet e një partie politike moderne. Sot ajo është katandisur në një bashkësi parapolitike. Vetëm kështu do ta rikthejmë partinë pranë njerëzve, pranë socialistëve të bazës dhe në shërbim të tyre. Vetëm kështu do mundemi ta nxjerrim atë nga kaosi ideologjik, politik, kulturor dhe organizativ ku është zhytur. Dhe më në fund, vetëm kështu do mundemi t’ia kthejmë pushtetin qytetarëve të përbuzur e të përjashtuar nga pjesëmarrja në qeverisjen e vendit. Këtë jemi duke bërë me ZGJIDHJEN. Janë mijëra socialistë çdo javë që po shtojnë radhët tona në mbarë Shqipërinë. Ju ftoj të jepni kontributin tuaj për demokratizimin e Partisë Socialiste dhe të qeverisjes së vendit. Në Partinë Socialiste i është shpallur luftë mendimit ndryshe dhe debatit, diskutimit dhe ballafaqimit të ideve. Të rinj dhe të reja socialistë që kanë asistuar paqësisht në takime të lëvizjes ZGJIDHJA janë pushuar nga puna. Përgjegjësit e këtyre metodave të ulta sillen si uzurpatorë të një partie me të cilën nuk ndajnë asnjë ideal. Ata që kanë bërë krime të tilla, janë mizorë dhe s’kanë asgjë të përbashkët me socialistët e vërtetë dhe me vlerat demokratike e njerëzore që duhet të ndajmë mes nesh. Mbledhja juaj sot duhet të kërkojë me vendosmëri ndalimin e represionit ndaj tanëve dhe rikthimin në punë të të gjithë socialistëve të pushuar nga puna. Ajo që po u ndodh atyre sot, po nuk e ndaluat do t’ju ndodhë juve nesër. Kërkoni që shokët dhe shoqet tuaja socialistë të ZGJIDHJES të rikthehen sa më parë në vendet e tyre të punës sepse nuk kanë bërë asnjë krim veçse kanë menduar si socialistë të lirë dhe pa paragjykime. Këtij turpi që as Sali Berisha s’do t’ia kalonte i duhet dhënë fund para kongresit tonë në fund të prillit nëse duam që gjithë familja socialiste të ribashkohet në këtë eveniment përpara zgjedhjeve. Pak muaj më parë, më 23 dhjetor 2016, shumë prej jush, që përfaqësoni mijëra militantë dhe anëtarë të devotshëm të bazës socialiste, u detyruat nën represionin e verbër të lidershipit që të votoni pro shkarkimit tim nga Asambleja Kombëtare. E kam dënuar publikisht këtë vendim të pambështetur në asnjë dokument partie, rregullore, statut e procedurë. Që më 4 janar 2017 kam depozituar në selinë e PS-së kërkesën për të më dhënë procesverbalet e mbledhjes së Asamblesë dhe vendimin e shkarkimit. Sot, pas tre muajsh, lidershipi i PS-së ende nuk ka zbardhur vendimin, dhe e mirëkuptoj, sepse s’ka çfarë të shkruajë. Këto veprime të turpshme ndodhën pak javë pasi unë nisa lëvizjen politike brenda PS-së për të hapur, shumuar dhe demokratizuar partinë. Ato u bënë vetëm me qëllimin e ulët për të dekurajuar ata mijëra socialistë e qytetarë që kanë përqafuar tezat e ZGJIDHJES. Shumë prej jush nuk pranuat të votonit dhe të ishit bashkëfajtorë me lidershipin e partisë. Ju falenderoj për qëndresën tuaj dhe ju inkurajoj të kërkoni deri në fund shkaqet dhe përgjegjësitë për shkarkimin tim të paligjshëm.

Të nderuar pjesëmarrës,

Është e domosdoshme që të bllokoni një orë e më parë parodinë e caktimit të kandidatëve për deputetë nga kryetari. Zgjidhja kërkon që kandidatët e PS-së si për zgjedhjet legjislative dhe ato lokale, të caktohen me votë nga anëtarët duke organizuar në çdo qark zgjedhje primare mikse. Kjo është e drejta legjitime e qytetarëve dhe socialistëve të bazës. Kryetari s’mund ta kthejë këtë të drejtë të përbashkët të socialistëve në ekskluzivitet të vetin. Me primaret mikse, u lejojmë më të mirëve të na përfaqësojnë në zgjedhje. Çdo shqiptar do të mund të votojë në primaret e Partisë Socialiste, me kushtin që në momentin e votimit të bëhet anëtar i partisë sonë. Ne nuk do të heqim dorë nga kjo kërkesë deri sa ta vëmë në zbatim. Nëse kryetari do t’i lëshojë pushtetet që ka përqëndruar padrejtësisht në duart e tij duke e zhveshur qytetarin shqiptar dhe socialistin e bazës nga çdo e drejtë dhe rol në demokraci, Shqipëria do të jetë më e lirë, populli do të jetojë më mirë dhe kryetari i partisë do të lodhet më pak! Nisma ligjore “Unë zgjedh deputetin që dua” që ka ndërmarrë ZGJIDHJA, do të sanksionojë me ligj primaret, do të demokratizojë e modernizojë partitë politike dhe do ta vendosë popullin në rolin e vet në qeverisjen e vendit. Ju keni përgjegjësinë dhe nderin ta impononi këtë platformë reformuese për të përmirësuar rrënjësisht qeverisjen dhe ekonominë e vendit dhe për të mos lejuar rrënimin, shpërbërjen dhe shpartallimin e mëtejshëm të Partisë Socialiste.

Të dashur miq! Kriza politike në të cilën po zhytet vendi, duhet t’ju shtyjë drejt një analize të ftohtë dhe në marrjen e masave që na dikton ky realitet. Ne akuzohemi për qeveri të korruptuar, të lidhur me klanet e mafies së drogës dhe të përfituesëve të koncesioneve. Ne akuzohemi si qeveri që përgatit megavjedhjen e zgjedhjeve. PD dhe Berisha e mbollën kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve. E majta iu bashkua më pas kësaj kulture. Në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të pastra, por vetëm të deformuara. Kauza e zgjedhjeve të ndershme ka qenë dhe mbetet kauza e socialistëve të thjeshtë. Socialistët e bazës duan zgjedhje të lira e të ndershme. Ata duan në çdo rast të fitojë vullneti i popullit dhe çdo votë të shkojë atje ku e adreson zgjedhësi. Nga manipulimi i zgjedhjeve nuk fitojnë në asnjë rast socialistët dhe qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Nga ndotja, blerja, deformimi ose vjedhja e zgjedhjeve fitojnë vetëm një grusht oligarkësh dhe politikanësh të korruptuar e të inkriminuar. Në se sot opozita e ka bërë të vetën kauzën e luftës për zgjedhje të lira e të ndershme, kjo është një përgjegjësi tjetër e qeverisë tonë që nuk ka bërë asgjë për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve gjatë katër viteve të mandatit të saj. Socialistët e bazës duan që Shqipëria të ndahet një herë e përgjithmonë nga standartet gjysmake dhe nga zgjedhjet “e pranueshme”. Ata duan zgjedhje të pakontestueshme, zgjedhje me standarte të njëjta si në çdo vend të Europës. Lidershipi i Partisë Socialiste thotë se do të shkojë në zgjedhjet e 18 qershorit pa opozitën. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të bëhen. Kjo do e zhyste vendin në kaos, destabilizim dhe në situata shumë të rrezikshme e me pasoja të rënda për Shqipërinë. Asambleja duhet të kërkojë formimin e një qeverie të re të së majtës si garanci për zgjedhje të ndershme. Të ndërtojmë një qeveri që të garantojë infrastrukturën dhe besimin për zgjedhjet e lira. Zëvendësimi i një qeverie të majtë nga një qeveri tjetër e majtë, ku të përfshihen figurat më të spikatura të saj, nuk i prish asnjë punë Partisë Socialiste, por vetëm e rigjeneron atë dhe e sjell pa komplekse në tryezën e bisedimeve me opozitën dhe faktorin ndërkombëtar. Zëvendësimi i kësaj qeverie, që nuk ndërrmori asnjë hap në këto katër vite për ta bërë kodin zgjedhor të pakritikueshëm dhe që u implikua rëndë dhe drejtpërdrejt me narkotrafikun, është i pashmangshëm për të zgjidhur krizën e sotme me sa më pak kosto për Partinë Socialiste. Qeveria e re e së majtës duhet të bëjë reformën zgjedhore në bashkëpunim të sinqertë me Partinë Demokratike dhe me gjithë partitë e tjera. Edi Rama është një individ. Sado i gjithëpushtetshëm të ndihet ai në këtë moment, nuk mund të marrë peng fatet e vendit dhe të çojë në humnerë Partinë Socialiste. Koha e mbetur nuk lejon më që zgjedhjet të mbahen më 18 qershor. Është e parealizueshme që gjatë kësaj kohe të krijojmë një qeveri të re të shumicës së majtë dhe që ajo të vendosë në zbatim reformën e re zgjedhore që do ta nxirrte vendin nga kriza politike. Data e zgjedhjeve duhet të shtyhet për në vjeshtë dhe është më mirë që ky propozim të dalë nga vetë partia jonë sesa të na e imponojë opozita dhe faktori ndërkombëtar. Nëse kryetari i partisë sonë insiston që të shkojë në zgjedhje me këtë qeveri, me këtë kod zgjedhor dhe më 18 qershor, atëherë ju duhet ta kuptoni se ai po e çon PS-në drejt katastrofës. Duhet të bëjmë reformën zgjedhore me votimin dhe numërimin elektronik në qëndrat e votimit në konsensus me opoziten dhe të shkojmë në zgjedhje me një qeveri tjetër të majte mbi të cilën të mos rëndojë asnjë mëkat i qeverisë aktuale. Në këto zgjedhje Partia Socialiste rrezikon të mos arrijë e vetme numrin 60 të deputetëve. Ky lidership po e çon atë drejt opozitës dhe po përgatit rikthimin e PD-së dhe forcave të tjera politike në pushtet. ZGJIDHJA kërkon të hiqet dorë nga marrëdhëniet e pasinqerta në koalicionin e majtë dhe arnimet, sajimet, improvizimet dhe zhvillimet e panatyrshme të tij. Ne duhet të miratojmë një platformë për të majtën e bashkuar të bazuar mbi vlerat më të mira të së majtës, besimin e ndërsjellë, interesat kombëtare dhe mbarëpopullore, integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe respektimin e sovranitetit të saj. Na duhet një koalicjon i majtë me institucione, transparencë dhe standarte të larta e të njëjta qeverisëse që ti shërbejë popullit shqiptar për një jetë më të mirë e me dinjitet, nuk na duhen koalicionet që i shërbejnë vetëm pushtetit personal të lidershipit tonë. Mbi këtë platformë ne kërkojmë që të reflektojë asambleja dhe kongresi për të arritur në një pakt të gjerë për bashkim dhe për të shkuar pa tensione në zgjedhjet e ardhshme.

Vëllezër dhe motra socialiste! Për një gjë dua t’ju siguroj. Ne, socialistët e bazës kemi të drejtën më vete. Kryesia e Partisë tonë është kërrusur, shkëputur e mbyllur brenda interesave të saj egoiste. Me këtë platformë që ZGJIDHJA ju propozon për ta miratuar në Kongresin e 29 prillit mund të hapim një epokë të re të Partisë Socialiste. Kryetari i PS-së ende nuk e ka vënë re, nuk e ka degjuar dhe nuk e ka kuptuar ZGJIDHJEN. Në kongresin që na pret ka vetëm dy opsione: ose ta detyrojmë lidershipin ta pranojë ZGJIDHJEN dhe platformën e saj, ose ta lejoni këtë lidership ta përçajë Partinë Socialiste siç ndodhi jo për herë të fundit në vitin 2005. Zgjidhja kërkon ta evitojë përçarjen. Ishte kënaqësi dhe detyrim për mua t’ju drejtohesha sot përmes kësaj letre.

Faleminderit.

Tiranë më 2 prill 2017

Syri.net

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne