Kokëdhima zbulon pse këmbëngul Rama për ligjin e mbetjeve

Ish-deputeti, tashmë në krye të partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, nëpërmjet një shënimi në faqen e tij në Facebook ka zbuluar një detaj të rëndësishëm sipas tij, për arsyen se përse kryeministri Rama këmbëngul për të kaluar ligjin e mbetjeve në parlamentin e ardhshëm.

Sipas tij Kina që importon 50% të mbetjeve të BE-së në vit ka vendosur, që ta ndërpresë këtë aktivitet.

Kokëdhima e shikon Shqipërinë si hallkën më të dobët, ku edhe me nënshtrimin e kryeministrit Rama, mund të kthehet pas miratimit të ligjit, në një depo gjigante të grumbullimit të plehrave të Europës.

Shënimi i plotë i Kokëdhimës, për këtë çështje:

Kina ndalon importin e mbetjeve të Europës, a do i pranojë ato Shqipëria?

Ku qëndron sekreti i sevdasë që ka shfaqur kryeministri ynë për të sjellë në Shqipëri mbetjet e Europës dhe të botës?!

Kina ka shkaktuar një tërmet këtë korrik, duke deklaruar se nuk do importojë më mbetje nga Bashkimi Europian. Pekini ka vendosur të mos lejojë më të hyjnë në territorin kinez mbetje plastike, tesktile, letra dhe kartona e deri inertet. Kina ishte importuesi më i madh i mbetjeve në botë me 50 milion ton në vit, për industrinë e riciklimit.

Deklarata e autoriteteve kineze me këtë rast thotë: “Kontrabandistë kinezë, në bashkëpunim me ata të huaj, kanë përfituar nga ligji mbi importin e mbetjeve, për të futur ilegalisht mbetje të rrezikshme në Kinë. Na duhet të mbrojmë interesat mjedisore të vendit tonë dhe shëndetin e njerëzve”.

Këtë vendim Kina do ta shoqërojë me mbylljen e një sërë fabrikash riciklimi në vend, që funksiononin nga importi i mbetjeve.

Ky vendim e ka vënë në hall BE-në, e cila, 50% të mbetjeve i eksporton aktualisht në Kinë. Duhen gjetur kështu vende të tjera kamikaze, për të shkarkuar këto miliona tonelata mbetje në vit, që Kina s’do t’i pranojë më. Kjo, me sa duket, është një nga arsyet përse Europa e mbështet kryeministrin tonë me tumane e atlete!

ZGJIDHJA nuk do të lejojë që vendi ynë të bëhet koshi i plehrave që europianët duan të ngrenë në periferi të tyre, për të zëvendësuar landfill-et që po humbasin në Kinë.

Shumë njerëz nuk e kanë shpjeguar dot këmbënguljen e Kryeministrit tonë për të miratuar ligjin për importin e plerave. Kina është një shtet shumë i fortë në shumë drejtime; ekonomia e parë në botë dhe prapë nuk arrinte dot të mbrohej nga mafia e mbetjeve të vendit dhe të Europës. Si do të mbrohet Shqipëria?!

Shteti shqiptar është rrumpallë, administrata e korruptuar deri në palcë, qeveria e kapur nga mafia dhe oligarkia e korrupsionit, vendi pa asnjë kapacitet për menaxhimin e kufijve, doganave, standardeve mjedisore dhe mbetjeve!

Ky vend do të transformohet shpejt në një parajsë të mafies së mbetjeve për fitime kolosale e njëkohësisht në një pus gjigand kanceri për popullin tonë.

Kryeministri e di këtë gjë. Ai, me vetëdije të plotë, ka shkatërruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ka zhdukur çdo element të demokracisë në parti dhe në qeverisjen e vendit, ka instaluar një regjim antidemokratik e antipopullor në shërbim të një grushti oligarkësh, e ka mbushur administratën me tutkunë, injorantë, militantë partie të pashkolluar, të korruptuar dhe të inkriminuar.

Ky kryeministër ka uzurpuar gjithë pushtetet dhe burimet. Ai mund të fitojë çdo palë zgjedhje, si ato të 25 qershorit, me 99% sepse vetë i organizon, vetë i kontrollon, vetë i drejton dhe vetë i numëron. Megjithatë, ai ka nevojë të blejë heshtjen e faktorit ndërkombëtar, që ata të mbyllin sytë përpara këtyre të vërtetave dhe të vijojnë mbështetjen ndaj kësaj qeverisje!

Kjo është një nga arsyet pse kryeministri ynë është treguar drejtuesi më servil ndaj interesave dhe diplomatëve të huaj që ka patur ndonjë herë Shqipëria, përveç atyre të qeverive kuislinge gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Aq sa brutal, autokratik dhe i pashpirt shfaqet ndaj popullit të vet, po aq i përulur dhe puthador sillet ndaj të huajve.

ZGJIDHJA nuk do lejojë që ai ta përdorë timonin që ka marrë për të na hedhur kolektivisht në greminë! Ne jemi të vetëdijshëm për rrezikun që po i kanoset vendit. Të gjithë shqiptarët, që e duan këtë vend duhet të luftojnë!Kryeministri është përgatitur të miratojë ligjin për importin e mbetjeve, menjëherë sa të mblidhet parlamenti i ri. Ai tentoi disa herë gjatë vitit të shkuar. Sfida jonë për të mbrojtur atdheun nga pushtimi i plehrave hyn në fazën e vet më të rëndësishme në shtator!

ZGJIDHJA do jetë në krye të rezistencës së popullit tonë kundër planit të ekomafies ndërkombëtare për ta kthyer Shqipërinë në bazë të tyre.

#ZGJIDHJApërShqipërinë

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne