Koloneli i Detit, Pasha, duke folur për marrëveshjen me Greqinë tha se ndihet i befasuar nga qëndrimi i deritanishëm inekzistent i shumë institucioneve shqiptare, si Akademia e Shkencave, Instituti Gjeografik Ushtarak, Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik, por dhe Komanda e Forcave Detare, të cilat kanë lidhje me studimin e hapësirave detare të Shqipërisë, me njohjen Ligjore të Ligjit të Detit në delimitimin me fqinjët të këtyre hapësirave. Sipas tij, në publik po sqarojnë negociatat me Greqinë vetëm politikanët, të cilët nuk e njohin realisht problemin e llogaritjes së kufijve detarë, por as dhe përmbajtjen e Konventave Ndërkombëtare të Detit. Ai i kërkon qeverisë që të konsultohet me Komandën e Forcave Detare se a rrezikojnë negociatat me Greqinë që Shqipëria të humbë përsëri hapësira të saj ujore.

“Kush duhet ta pyesë Komandën e Forcave Detare se ç’hulumtime ushtarake të sigurisë dhe ç’përgatitje profesionale ka bërë që të përballojë një betejë të re që po përgatitet?! A kemi guxim të njoftojmë apo të kujtojmë ministrat apo ish-ministrat për këto “nandë vjet”, që kaluan dhe ne nuk jemi në gjendje të mbrojmë Detin tonë!? Këtë pyetje dhe këtë kontroll të rreptë duhet që t’ua bëjë qeveria e asaj që sot thuhet: Shqipërisë që Duam! Por a është kjo: “Shqipëria që Duam!? Kur kohët e fundit është dashur që ministri i Jashtëm grek dhe pas dallgëzimit pakuptim të opinionit, të dalë edhe Kryeministri i Shqipërisë për të sqaruar terma, parime, metoda në përafrim të Negociatave?! Dhe asnjë specialist, asnjë përfaqësues nga këto institucione të shtetit, nuk ka dalë. Kjo është shumë e rëndë! Në të gjithë mediumet, emisionet televizive, nga shumë politikanë që janë pyetur nuk kanë sqaruar asgjë, ata nuk e njohin problemin.” – tha Pasha për Panoramën.

30