Kolonët izraelitë vrasin me gurë gruan palestineze në Bregun Perëndimor

Një grua e re palestineze është vrarë me gurë nga kolonët izraelitë në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të okupuar, thonë raportimet.

Aisha Mohammed Aravi, 47 vjeç, po voziste të premten vonë automjetin e saj së bashku me të shoqin pranë një pikë kontrolli në Bregun Perëndimor në jug të Nablusit, kur u sulmua nga kolonët izraelitë në rrugë të cilët filluan të gjuanin me gurë të mëdhenj makinën e çiftit.

Sipas burimeve lokale, sulmuesit thyen xhamin e makinës dhe me një breshëri gurësh i goditën në kokë dhe nëpër pjesët e sipërme të trupave. Aisha, nga qyteti Bidya, e humbi jetën menjëherë në vendngjarje për shkak të goditjeve të forta të shkaktuara në kokë.

Raportimet thanë se edhe i shoqi i Aishes gjithashtu pësoi lëndime të rënda gjatë sulmit.

Incidenti tragjik vjen dy ditë pasi një grup kolonësh izraelitë nga vendbanimi Yitzhar hynë në një shkollë të mesme në fshatin Urif, që ndodhej në jug të Nablusit dhe filluan të hedhin gurë në drejtim të nxënësve që të tmerruar qendronin brenda klasave të tyre.

Dhjetëra nxënës u plagosën gjatë sulmit, gjë që çoi në dëmtime të klasave si dhe në shumë dëme materiale.

Disa minuta pas incidentit, forcat izraelite hynë gjithashtu në shkollën e mesme dhe ofruan mbrojtje për kolonët derisa i shoqëruan dhe i nxorrën ata jashtë zonës. Trupat gjithashtu gjuajtën në drejtim të nxënësvet me plumba çeliku të veshur me gomë si dhe me gaz lotsjellës, duke shkaktuar që një numër i madh i tyre të kenë probleme me frymëmarjen si pasojë e thithjes së gazit lotsjellës.

Rreth 600,000 izraelitë jetojnë në mbi 230 vendbanime të paligjshme të ndërtuara në territoret palestineze të Bregut Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor që nga pushtimi izraelit i vitit 1967.

Palestinezët duan që Bregu Perëndimor në të ardhmen të jetë pjesë e një shteti të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij.

Zgjerimi i vazhdueshëm i kolonëve izraelite në territoret palestineze ka qenë një pikë e rëndësishme në bisedimet izraelito-palestineze, të cilat kanë ngecur që prej vitit 2014./presstv/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne