Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Gjatë historisë Ballkani është njohur me sundimtarë dhe perandori të ndryshme. Konkurrenca ndërmjet komuniteteve të ndryshme që jetojnë në këtë rajon ka qenë një faktor që e ka lehtësuar hyrjen e Ballkanit nën administrimin e fuqive të huaja. Romakët filluan të bëheshin aktivë në rajon që në vitin 200 para erës sonë e në vazhdim, dhe me shpërbërjen e Perandorisë Romake në vitin 395, një pjesë e rëndësishme e Ballkanit mbeti brenda kufijve të Perandorisë Bizantine. Pas ngadhënjimit të Stambollit nga osmanët në vitin 1453, bizanti mori fundi dhe historia ballkanike përjetoi administrimin osman, i cili vazhdoi deri në vitin 1912. Përveç Perandorisë Osmane, Ballkani u njoh edhe me administratën e Habsburgëve. Monarkia Habsburge që nga viti 1867 e mbrapa u bë një monarki e dyfishtë dhe filloi të njihej si Perandoria Austro-Hungareze dhe ekzistoi deri në fund të Luftës së Parë Botërore.

Ballkani është i njohur në histori si fushë e konkurrencës së fuqive të mëdha. Për shkak të pozicionit që ka, i ndodhur mbi rrugët që hapen në çdo drejtim, interesi i fuqive të mëdha në rajon ka qenë i vazhdueshëm. Për shembull, që nga shekulli i 16-të, Rusia është përpjekur ta fusë Ballkanin brenda fushës së vetë të influencës me qëllimin për të zbritur në Mesdhe dhe dëshirën për të kontrolluar ngushticat turke. Për këtë arsye, Rusia filloi të hyjë në konkurrencë me Perandorinë Osmane duke nxjerrë në plan të parë vëllazërinë sllave dhe ortodokse. Në shekujt e 17-të dhe 18-të konflikti i Rusisë me Osmanët për Ballkanin u bë gjithnjë e më i dukshëm. Për shkak të ndikimit të Rusisë në Ballkan, sidomos gjatë shekullit të 19-të, ka pasur periudha gjatë së cilës Habsburgu, rivali kryesor i Perandorisë Osmane në rajon, hyri në bashkëpunim me Osmanët.

Anglia me Francën i sollën përmasa të ndryshme garës Habsburg-Rusi në Ballkan. Për shembull, në shekullin e 18-të, Britania për shkak të interesave të saj tregtare mbështeti Rusinë. Kurse që nga shekulli i 19-të e prapa, kur këto interesa tregtare nisën ta humbasin rëndësinë relative dhe kur Rusia filloi të dëmtojë interesat tregtare britanike, të cilat tashmë ishin bërë të rëndësishme në Mesdhe dhe Indi, Britania filloi të mbajë qëndrim pro Shtetit Osman. Në këtë periudhë qëndroi pranë Britanisë dhe Osmanëve edhe Franca, e cila ishte e shqetësuar nga ndikimi i Rusisë në Ballkan.

Me fuqizimin e shteteve gjermane dhe italiane në shekullin e 19-të, në Evropë u krijuan ekuilibra të rinj. Nga njëra anë kemi Perandorinë Austro-Hungareze dhe Gjermaninë me Italinë, ndërsa nga ana tjetër kemi Britaninë e Madhe dhe Francën e Rusinë. Duke përfituar nga dobësia e fuqive të mëdha të kohës, Rusia jo vetëm që mbështeti kryengritjet anti-osmane në Ballkan, por në vitin 1877 ajo i hapi në mënyrë të drejtpërdrejtë luftë Shtetit Osman. Lufta e madhe osmano-ruse në 1877-1878 gjithashtu forconte terrenin që do ti jepte fund sovranitetit të Shtetit Osman në Ballkan. MeTraktatin e Shën-Stefanit, nënshkruar më 3 mars 1878, Rusia e copëtoi Ballkanin siç deshi dhe erdhi deri para portave të Stambollit. Traktati i Shën-Stefanit parashikonte krijimin e “Bullgarisë së Madhe”. Vetëm se Rusinë nga kjo rrugë e kthyen Britania me Austro-Hungarinë, të cilat ishin kundër rritjes së ndikimit rus në Ballkan dhe falë Kongresit të Berlinit që u mbajt në vitin 1878 u pengua krijimi i Bullgarisë së Madhe.

Rivaliteti i fuqive të mëdha në Ballkan vazhdoi edhe në periudhën post-osmane. Për shembull, Gjermania, e shqetësuar për hapjen e një fronti të ri në Ballkan kundër saj, para se të sulmonte Bashkimin Sovjetik, në vitin 1941 mori fillimisht Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë, Jugosllavinë e Titos dhe Greqinë.

Me fillimin e periudhës së Luftës së Ftohtë, në ekuilibrin e konkurrencës në Ballkan filloi të hyjë edhe Amerika, e cila në arenën ndërkombëtare u angazhua në mënyrë aktive dhe që nga ajo kohë vazhdon të jetë fuqi hegjemoniste në botë.

Gjatë Luftës së Ftohtë, vendet e Ballkanit morën pjesë në pole të ndryshme. Rumania dhe Bullgaria iu bashkuan Paktit të Varshavës, Turqia dhe Greqia u bënë vende anëtare të NATO-s; Jugosllavia e Titos ishte ndër themeluesit e Lëvizjes së të Paangazhuarve, kurse Shqipëria, që nga viti 1961 e prapa ishte vendi evropian i izoluar më shumë në vetvete.

Si në çdo pjesë të botës, gjatë Luftës së Ftohtë, dy superfuqitë e kohës vëzhguan nga afër lëvizjet e njëri-tjetrit edhe në Ballkan dhe që nga momenti kur fillonte të humbiste efektiviteti i njërit, tjetri mundohej të rriste dominimin në rajon.

Veçanërisht Jugosllavia e Titos ishte një lloj zone tampon për Bllokun Perëndimor. Pas vitit 1948, kur Jugosllavia e Titos filloi të dilte kundër planeve ekspansioniste të rusëve, pothuajse ajo u shërbeu interesave të vendeve perëndimore. Për këtë arsye, Amerika dhe Evropa Perëndimore, të cilat në atë periudhë zbatonin embargo tregtare kundër vendeve të Bllokut Lindor, i dhanë ndihma materiale Jugosllavisë së Titos.

Kur u prish me sovjetikët Jugosllavia e Titos kishte nevojë për mbështetje të jashtme edhe në kontekstin politik, jo vetëm në atë ekonomik. Duke e shfrytëzuar këtë situatë, Shtetet e Bashkuara (ShBA) gjithashtu bënë përpjekje për të formuar një aleancë në Ballkan, në kuadër të politikës së tyre për të rrethuar sovjetikët. Një produkt i këtyre nismave ishte edhe Pakti Ballkanik, i cili u nënshkrua midis Turqisë, Greqisë dhe Jugosllavisë së Titos më 28 shkurt 1953 në Ankara. Vetëm se vdekja e Stalinit në mars të vitit 1953 rezultoi me një zbutje të politikës së jashtme sovjetike dhe si rrjedhim i kësaj Jugosllavia komuniste filloi tu afrohej sërish sovjetikëve. Që nga gjysma e dytë e viteve 50, me përkeqësimin sërish të marrëdhënieve midis Turqisë dhe Greqisë, veçanërisht për shkak të problemit të Qipros, u prish plotësisht edhe atmosfera e aleancës e formuar në Ballkan nën udhëheqjen e Amerikës. Ndërsa me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Amerika tani nuk kishte më nevojë për një zonë tampon si Jugosllavia e Titos. Kështu e humbi rëndësinë relative edhe pozita e përgjithshme e Ballkanit në sistemin ndërkombëtar./ trt

24