Koment i Ministrisë së Jashtme të Rusisë mbi vendimin e Këshillit të BE-së për përfshirjen e një numri të kompanive ruse në listën e sanksioneve të BE-së

Koment i Ministrisë së Jashtme të Rusisë mbi vendimin e Këshillit të BE-së për përfshirjen e një numri të kompanive ruse në listën e sanksioneve të BE-së, më 31 korrik 2018

E konsiderojmë ngjarje të hidhur miratimin nga Këshilli i BE-së më datë 30 korrik të këtij viti të vendimit për zgjerimin e sanksioneve të paligjshme e të njëanshme të BE-së ndaj një numri kompanish ruse, të cilat morën pjesë në ndërtimin e Urës së Kerçit. Bashkimi Evropian qartazi nuk po gjen qetësi nga zgjedhja e lirë e bërë nga banorët e Krimesë në favor të ribashkimit me Rusinë.

Përndryshe, si mund të shpjegohet fakti që duke filluar nga viti 2016, lista e sanksioneve të BE-së mbushet pothuajse vetëm me qytetarë e kompani ruse, të cilët në shkallë të ndryshme kanë marrë pjesë në procesin e zhvillimit të suksesshëm demokratik të Krimesë dhe Sevastopolit në përbërjen e Rusisë?
Simbolikisht i thellë është motivi i zgjedhur nga Brukseli për ndërhyrjen e radhës në punët e brendshme të vendit tonë. Për shumë vite zyrtarët e lartë të BE-së ndër meritat historike të integrimit evropian përfshinin faktin, që ky i fundit ndihmonte popujt evropianë “të ndërtonin ura, jo mure”.

Është për të ardhur keq që Bashkimi Evropian ka tradhëtuar sloganet e veta duke kritikuar dhe më pas vendosur sanksione ndaj projektit ndërtues, i cili, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, ka forcuar lidhjen e gadishullit të Krimesë me atdheun e tij historik, është kthyer në monumentin e lirisë dhe unitetit të popullit rus. Duke ngritur qëllimisht pengesa artificiale në rrugën e përmirësimit të jetesës së banorëve të Krimesë në përbërje të Rusisë, Bashkimi Evropian nuk po vepron me largpamësi dhe vetëm sa ngre kundër vetes opinionin publik në vendin tonë.

Qortimet false për “izolimin e gadishullit” BE-ja duhej t’ia adresonte atyre, të cilët ajo përkrah në Kiev. Pikërisht ata bënë gjithçka është e mundur për ndërprerjen e marrëdhënieve të Ukrainës me Krimenë ruse. Në vitin 2014 pasi bllokuan Kanalin Verior të Krimesë, organizuan “bllokadën e ujit” të gadishullit. Në fund të vitit 2015 u bë ndërprerja e furnizimit me energji elektrike të Krimesë nga territori i Ukrainës.

Ndërsa në dhjetor të vitit 2016 me vendim të qeverisë së Ukrainës u vendos “bllokada tregtare”. Na kujtohet mirë mungesa e reagimit zyrtar nga ana e BE-së si ndaj këtyre marrëzive flagrante, ashtu edhe ndaj përpjekjeve të përsëritura, të ndërmarra nga shërbimet speciale të Ukrainës, për organizmin e akteve terroriste dhe diversioneve në territorin e gadishullit, apo ndaj ndalimit provokativ të anijes së peshkimit të Krimesë “Nord” në ujërat e detit Azov.

Vetë Bashkimi Evropian nuk ngurroi të distancohet nga banorët e Krimesë, të cilët nuk votuan “drejt” në referendumin e vitit 2014, duke vendosur kufizime diskriminuese në dhënien e vizave. Nuk është për t’u habitur që në këto kushte të ardhmen e tyre banorët e Krimesë, nëpërmjet shtyllave të betonit të Urës së Kerçit, e lidhën me Rusinë.

Shpresojmë që në BE do të reflektojnë më në fund mbi koston financiare dhe atë të reputacionit, që sjell plotësimi i tekave antiruse të autoriteteve të Kievit. Në Rusi operojnë shumë kompani nga vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe fushën e ndërtimit, interesat e të cilave mund të preken nga spiralja e re e sanksioneve. Nisemi nga fakti që interesave të përbashkëta të Rusisë dhe vendeve të BE-së u përgjigjet një punë pragmatike dhe me dobi të ndërsjellë duke u bazuar në njohje të matur të realiteteve ekzistuese.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne