Koment – Identiteti ballkanas dhe përpjekjet për ta quajtur veten ‘evropian’

Nga Dr. Erhan Turbedar

Në ndërgjegjen e vendeve perëndimore, Ballkani, përgjithësisht tregon ekzistencën e tij me përleshje, dhunë dhe vrazhdësi. Gjithashtu Ballkani, së bashku me emrin e një rajoni gjeografik, përdoret edhe duke iu referuar një identiteti politik e kulturor. Ndërsa vendet e Ballkanit refuzojnë ekzistencën e një identiteti ballkanas dhe mundohen ta tregojnë veten si pjesë të botës perëndimore dhe një pjesë të pandashme të civilizimit perëndimor.

Hapësira gjeografike e Ballkanit deri në fillim të shekullit të 19-të nuk kishte një emër të përbashkët dhe përmendej me emra të ndryshëm. Si fillim, në vitin 1809, gjeografi gjerman August Johann Zeune, duke u frymëzuar nga Malet Ballkan, që ndajë vertikalisht Bullgarinë përgjysmë, e quajti rajonin Ballkan. Pas kësaj përdorimi i fjalës Ballkan fitoi një përdorim të gjerë si emër rajoni. Por as në ditët e sotme nuk është qartësuar çështja e kufijve të Ballkanit. E thënë ndryshe, në lidhje me cilat vende përfshihen në Ballkan nuk ka një mendim të përbashkët nga shkrimtarë të ndryshëm. Por paqartësia e kufijve të hapësirës gjeografike të Ballkanit nuk përbën problem. Problem është paragjykimi që i vishet kësaj fjale në nivelin e referimit të një identiteti të veçantë politik dhe kulturor.

Perceptimi i Ballkanit tek vendet perëndimore përmban faktorë tepër negativë. Para së gjithash është përhapur paragjykimi se Ballkani nuk është pjesë e civilizimit perëndimor. Jo vetëm osmanët por edhe bizantët për shkak të elementeve kulturore dhe fesë e përcaktonin si “të ndryshëm” nga Evropa. Udhëtarët perëndimorë që shëtisnin Ballkanin në shekullin e 19-të e përshkruanin në kujtimet e tyre përgjithësisht si një rajon ndryshe, të çuditshëm dhe të pa civilizuar mjaftueshëm. Nga ana tjetër, vendet perëndimore, një pjesë të rëndësishme të literaturës që i përkiste Ballkanit, e zhvilluan në periudhat kur u përjetuan kriza në rajon. Për këtë arsye perëndimorët vazhdojnë ta kujtojnë Ballkanin si një rajon ku urrejtja etnike ka mbetur e gjallë prej qindra vjetësh më parë dhe të prapambetur nga aspekti ekonomik, kulturor dhe politik që kërcënon sigurinë e Evropës. Madje edhe në romanet dhe filmat perëndimorë Ballkani tregohet si një element kërcënimi.

Së bashku me Luftërat e Ballkanit të jetuara gjatë viteve 1912-1913, shpikja e fjalës “ballkanizim” tregon më vete se rajoni i Ballkanit perceptohet si një problem. Kurse në periudhën e Luftës së Ftohtë, me ndikimin e perceptimeve ideologjike, Ballkani u pa si një rajon totalitar dhe komunist, që qëndronte përballë perëndimit demokratik dhe kapitalist. Kurse luftërat e përjetuara në ish-Jugosllavi në vitet 1990, e bënë edhe një herë të famshme fjalën “ballkanizim” dhe u bënë shkak për gjallërimin përsëri të paragjykimeve në lidhje me rajonin. Sipas historianes së Ballkanit, Mariya Todorova me kuptimin e ri të fjalës “ballkanizim” theksohet copëtimi i shteteve të mëdha dhe një mënyrë jetese që bazohet në prapambetje, primitivitet dhe barbarizëm.

Krahas ekzistencës së paragjykimeve negative ndaj Ballkanit, ndërkohë që në vitet 1990 Bashkimi Evropian vazhdonte procesin e zgjerimit ndaj Evropës Lindore, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk zinin vend as në fund të bishtit të anëtarësimit të Unionit. Të gjitha këto nxitën pothuajse një arratisje të identitetit ballkanas. Ndaj atyre që zotëronin identitetin e Ballkanit u veprua me perceptimin sikur nuk kishin vend në Bashkimin Evropian. Por çfarë është më e çuditshmja, është se disa vende të rajonit, ndërkohë që nënvizonin “evropianizimin” e tyre, vazhduan ti quajnë (akuzojnë) vendet fqinje si “ballkanas”. Për shembull, ndërkohë që Sllovenia mundohej që të zinte vend brenda Bashkimit Evropian, jepte mesazhin “unë jam evropiane, Kroacia nuk është”. Shprehje të tilla Kroacia i përdori ndaj Serbisë dhe Serbia i përdori ndaj Bosnje-Hercegovinës.

Kroacia, edhe pse në ditët tona është anëtare e Bashkimit Evropian, duke treguar si arsye elementet kulturore dhe historike, vazhdon të mbrojë mendimin se nuk është një shtet ballkanas. Në mënyrë të njëjtë edhe Rumania dhe Sllovenia refuzojnë të përkufizohen si vende të Ballkanit. Kurse për të shpëtuar nga identiteti ballkanas, pas periudhës së viteve 1990, disa popuj ballkanas zhvilluan një shkrim të ri historik. Në këtë kuadër, historinë në lidhje me zhvillimin e identiteteve kombëtare, u munduan ta mbajnë veçmas zhvillimit historik të identitetit të fqinjëve që tregoheshin si ballkanas.

Kur bëhet fjalët për turqit, shkrimi i historisë në Ballkan, merr një gjendje edhe më të vështirë. Duke qenë se shtetet e Ballkanit e fituan pavarësinë me kryengritjet ndaj shtetit Osman, identitetet e tare kombëtare i zhvilluan me paragjykimet negative ndaj shtetit dhe vlerave osmane. Për këtë arsye, edhe në ditët tona, nacionalistët në vendet e Ballkanit, herë pas here kanë tendencën të fajësojnë periudhën osmane për gabimet dhe fatkeqësitë në vendet e tyre./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne