Koment – Lumpenizmi i politikës gjermane

Autor: Erdal Simsek

Gjermania, e cila shihet si aleate historike dhe gati-gati “bashkëshorte” (ndan të njëjtin fat – shën. i përkth.) e Turqisë, vitet e fundit po shkakton një habi të paparë ndonjëherë në rrethet politike botërore duke sulmuar, me një propagandë armiqësore të ngjashme me atë të Luftës së Ftohtë, politikat e pavarura ekonomike dhe sociale të këtij shteti. Qofshin majtistë apo djathtistë, të gjelbër apo demokristianë, gjatë vitit të fundit të gjithë politikanët gjermanë kanë cekur majat e propagandës helmuese kundër shtetit të Republikës së Turqisë dhe personit të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, duke ndërmarrë një fushatë ofenduese me kuptimin e plotë të fjalës.

Drejtuesit e sotëm të Gjermanisë, vend që u detyrua të heqë dorë nga perandoria e saj për hir të aleancës me turqit, nuk i japin Presidentit Erdogan dhe vendit të tij vlerën apo rëndësinë që u kushtojnë organizatave terroriste. Ndërkohë që krerët e organizatës terroriste PKK, e cila ka masakruar mbi 50 mijë fëmijë, gra, të moshuar, civilë dhe punonjës të administratës në Turqi që nga dita e themelimit të saj e deri më sot, u lejuan dhe lejohen ende të propagandojnë në shumë qytete gjermane; zyrtarët e këtij vendi vendosën ndalime kryekëput të palogjikshme dhe të pakuptueshme ndaj autoriteteve shtetërore turke, madje duke injoruar të gjitha rregullat e mirësjelljes dhe parimet e diplomacisë.

Ata pranuan në gjirin e tyre shumë terroristë me uniformë ushtarake, anëtarë të organizatës terroriste gyleniste (FETO), e cila tentoi më datë 15 korrik 2016 që të robërojë me forcën e armëve shtetin turk dhe qeverinë legjitime të tij. Terroristët në fjalë kanë vrarë oficerë dhe ushtarë, që sërish me gjermanët kanë marrë pjesë në NATO dhe në shumë misione apo operacione ushtarake ndërkombëtare. Bile, bile u orvatën që t’i vrasin të gjithë. Sot, Gjermania është transformuar në shtetin e vetëm që u ka hapur gjirin terroristëve të FETO-s.

Situata ka shumë gjasa të kuptohet edhe më qartë nëse themi që në mesin e mijëra personave të vrarë nga terroristët e PKK-së ka mjaft ushtarë dhe policë turq, që njëkohësisht kanë luftuar krah për krah me gjermanët nën ombrellën e OKB-së dhe NATO-s.

Është për t’u çuditur sesi Gjermania, një shkollë botërore në filozofi, muzikë, arkitekturë, demokraci, akumulim ushtarak dhe sociologji, ka arritur të ndërmarrë me qeverinë e Kancelares Angela Merkel dhjetëra hapa kaq të cekëta dhe sipërfaqësore, të cilat mashtrimin e quajnë politikë dhe mund të konsiderohen lehtësisht tradhti ndaj aleatit të tyre. Sikur gurët themeltarë të filozofisë perëndimore, ku ia vlen të përmenden sidomos Helmuth Plessner, Ferdinand Lassalle, Simmel, Moses Hess, Max Weber, Fromm, Ernst Kassirer, Rosa Luxemburg, Freidrich Schiller, Goethe, Nietzsche, Marx, Hegel, Foyerebach dhe Engels, të mos kishin lindur në territoret gjermane! Kur shohim Gjermaninë e sotme, këta filozofë dhe shumë emra kult të muzikës klasike, siç janë Beethoven, Bach, Bartholdy, Handel, Clara Scuhmann dhe Mozart, themi se nuk janë bij të saj.

Shkolla gjermane është kërthiza e mendimit socialdemokrat. Demokristiani i djathtë, Helmut Kohl, si dhe socialdemokratët Willy Brandt e Gerhard Schroder, janë politikanë të famshëm gjermanë, që në skenën politike botërore përmenden ende sot e kësaj dite duke hequr kapelën. Sa për artin ushtarak, pas strategëve dhe luftëtarëve të shquar në radhët e Ilhanatit dhe turqve, mund të flasim për dhjetëra emra të përjetësuar në fushëbeteja, të cilët janë pinjollë të shkollës ushtarake gjermane. Kurse fisnikëria dhe borgjezia te gjermanët ka traditën më të vjetër në botë, sikurse te turqit, kinezët, anglezët dhe rusët.

Mirë! Por cila është arsyeja që Gjermania, vend me një akumulim sociologjik kaq të rrënjosur, vepron si të ishte një shtet i porsalindur, pa rrënjë, pa bazë dhe pa përvojë, me politikat ndërkombëtare dhe mentalitetin e tij të sotëm?

Opinioni im është që politika aktuale gjermane duhet të zbresë në origjinën e kësaj mendësie, e cila është duke nëpërkëmbur demokracinë, marrëveshjet/traktatet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, për ta analizuar atë në detaje.

Kur bashkimi i dy Gjermanive u realizua falë përpjekjeve të ish-kancelarit Helmut Kohl, në shkallët e politikës dhe shtetit filluan të përfshiheshin me shpejtësi edhe gjermanët lindorë, që s’kishin thuajse aspak eksperiencë në fushën e ekonomisë së tregut.

Siç dihet, sistemi arsimor komunist synon një “shoqëri pa klasa” dhe rrjedhimisht ndërpret lidhjet/marrëdhëniet historike dhe socio-kulturore të shoqërive. Njeriu komunist i synuar u projektua si individ pa lidhje me vlerat historike, sociologjike dhe morale, që mendon e prodhon tërësisht sipas “arsyes dhe dialektikës komuniste”.

Teksa imagjinonte shoqërinë pa klasa, Karl Marx përkufizonte si “lumpen” njeriun që nuk i përkiste ndonjë klase të shoqërisë. I bazuar te marksizmi, sistemi arsimor komunist tentoi eliminimin e dallimit ndërklasor mes njerëzve dhe rrjedhimisht luftën e klasave, por formoi prototipin e njeriut pa asnjë rrënjë/origjinë. Ky ishte saktësisht “njeriu lumpen”, për të cilin fliste mendimtari Marx.

Pas bashkimit të Gjermanisë Lindore me atë Perëndimore, qytetarët e shkolluar me sistemin arsimor komunist u vendosën në çdo organ dhe instancë të shtetit të ri. Me kuptimin e plotë të fjalës, shteti gjerman ndërroi lëkurën.

Nëse ju kujtohet, pararendësi i demokristianes Angela Merkel në postin e kancelarit ishte i ndjeri Gerhard Schroder. Po të krahasojmë reputacionin dhe mentalitetin shtetëror të Gjermanisë së asaj periudhe me këtë të sotmin, do të shikoni lehtësisht dhe shumë qartë humnerën mes tyre.

Ky lumpenizim është një nga shkaqet më të mëdha të nëpërkëmbjes zvarranike të politikës gjermane dhe të traditës së lashtë shtetërore gjermanike. Një situatë e ngjashme sundon jo vetëm te Kancelarja Merkel dhe partia e saj, por gati në të gjitha forcat politike gjermane. Sepse, sot, kanë të drejtë fjale edhe pjellat e modelit “njeri pa rrënjë” të Gjermanisë Lindore, edhe individët e rritur me kulturën e frymës majtiste të viteve ’70 dhe ’80 në Perëndim.

A nuk ishin pasardhësit e frymës së majtë në vendet perëndimore ata, që masakrimin e njerëzve nga terroristët majtistë me bomba dhe armë të llojllojshme e quajtën për vite të tëra “dhunë revolucionare”? Sot, mjerisht, pinjollët e tentativave për të ligjësuar masakrimin e njerëzve po bëjnë çmos që të drejtojnë arsyen e shtetit dhe shoqërisë gjermane në çdolloj organizimi politik duke e shpërfytyruar shtetin gjerman, historikisht i famshëm për disiplinën, doktrinën dhe rregullat e rrepta të tij, në një organizim të tillë lumpen, të rastësishëm dhe të improvizuar. Për mendimin tim modest, shoqëria gjermane duhet urgjentisht të kërkojë rrugët e shpëtimit nga këta lumpenë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne