Koment – Marrëzia e luftës

Autor: Erdal Simsek *

Që kur Evropa Veriore, Ballkani dhe vendet aleate të lagura nga Deti i Zi u transformuan në depo armësh nga Barack Obama gjatë muajve të fundit të presidencës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne jemi përpjekur vazhdimisht të tërheqim vëmendjen mbi stuhinë që po afrohet.

Fatmirësisht, Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ishte i vetëdijshëm për rrezikun dhe nuk lejoi që vendi i tij të shndërrohej në depo armësh.

I pranishëm në Samitin e Kryetarëve të Shteteve/Qeverive të NATO-s, mbajtur më 8 korrik 2016 në kryeqytetin Varshavë të Polonisë, Erdogan refuzoi me arsyetime racionale dhe të drejta propozimin për ndërtimin e një baze të re të NATO-s në brigjet turke të Detit të Zi. Pas kësaj manovre strategjike të Presidentit Erdogan, Federata Ruse i dha fund menjëherë krizës politike dhe diplomatike me Turqinë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk nguroi të shtrëngojë dorën, që i ishte zgjatur nga homologu turk në shenjë paqeje. Në një përgjigje me letër në adresë të Erdoganit, lideri rus sqaroi se shkaktarët e vërtetë të krizës së avionit ndërmjet dy vendeve ishin fuqi të tjera. Më tej, ai urdhëroi një rifillim në tërësi dhe shumë të shpejtë të marrëdhënieve ekonomike, politike dhe strategjike, që ishin ndërprerë me Turqinë.

Mirëpo përgjigjja pa kushte e Putinit për kërkesën e paqes së Erdoganit vuri në lëvizje qarqet e errëta. Një terrorist anëtar i FETO-s, e cila është një organizatë terroriste ndërkombëtare, vrau përpara kamerave ambasadorin rus në Ankara, Andrey Karlov. Megjithatë Putini dhe burokracia shtetërore e Rusisë nuk u bënë pre e këtij provokimi, madje e deshifruan këtë lojë të pistë. Pra, marrëdhëniet turko-ruse nuk devijuan nga kursi dhe vijuan me të njëjtin ritëm pavarësisht provokimit të përgjakshëm.

Pas dështimit të planit për të kthyer Turqinë dhe brigjet turke të Detit të Zi në magazinë ushtarake për armë e municione, kriza u shfaqën papritur në shumë vende bregdetare, nga rajoni i Azipaqësorit e deri në Oqeanin Indian.

Organizata terroriste DAESH u shfaq befasisht në Filipine. Arakani dhe Ngushtica e Arakanit, simbole të paqes, qetësisë dhe bashkëjetesës, u tronditën nga disa akte terroriste. Detet e Kinës dhe Japonisë u nxehën. Shumë vende filluan të dhunojnë ujërat territoriale të shteteve të tjera. Ky proces çoi në ndryshime dhe transformime sociologjike në vendet palë të krizave. Dëshira për të luftuar në shoqëritë e këtyre shteteve arriti kulmin.

Anembanë botës nisën të përhapen lajme se në Korenë e Veriut, vend të cilin po e paraqesin si burim i kërcënimeve, punëtorët, anëtarët e partisë në pushtet dhe ish-ushtarakët po kërkojnë vullnetarisht që të kthehen në radhët e ushtrisë. Burimet propaganduese të Phenianit njoftuan se qindra-mijëra njerëz kanë pushtuar rrugët për të protestuar deklaratat e ashpra të Presidentit amerikan, Donald Trump, si dhe që 3,5 milionë koreanoveriorë kanë aplikuar për t’u bërë ushtarë vullnetarë. Kjo marrëzi në Korenë e Veriut u reflektua edhe në fqinjin jugor. Qytetarët e Koresë së Jugut, që e konsiderojnë veten të kërcënuar nga një rrezik i lartë, filluan të bëjnë stoqe ushqimore dhe të ndërtojnë vendstrehime rezistuese ndaj bombave e predhave. Si pasojë e kërcënimit të luftës, koreanojugorët u orientuan kah stokut të arit dhe papritmas tregu botëror i floririt u gjallërua. Gazetat e këtij vendi shkruan se populli në Korenë e Jugut kishte bërë stok ari gati sa 5-fishi i konsumit në situatat normale. Ndërsa banorët e ishullit Guam, një territor i SHBA-së në Paqësor, të cilin Pheniani kishte kërcënuar se do ta sulmonte në mes të gushtit, vazhdojnë të bëjnë stoqe ushqimore ende sot e kësaj dite.

Në Japoni, vend ku një raketë e lëshuar nga Koreja e Veriut mund të mbërrijë për vetëm 10 minuta, populli nisi të ndërtojë vendstrehime. Mediat japoneze konfirmojnë se firmat e ndërtimit nuk po arrijnë dot t’u përgjigjen porosive të shumta për vendstrehime. Lëvizje serioze ka edhe në frontin amerikan. Pas deklaratës së Trumpit mbi gatishmërinë e armëve të SHBA-së për të hapur zjarr, këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Gjenerallejtënant Herbert Raymond McMaster, tha: “Jemi gati për një luftë parandaluese për t’u dhënë fund kërcënimeve për sulme me armë bërthamore nga Koreja e Veriut drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Termi “kërcënim bërthamor” nuk duket më bindës për botën. Sepse, në vitin 1991, administrata e atëhershme amerikane sulmoi Irakun duke hedhur pretendimin se ky vend ishte një kërcënim bërthamor. Pasi në këtë luftë u vranë më shumë se 1 milion njerëz, ata shpjeguan se në të vërtetë Iraku nuk ishte një kërcënim bërthamor.

Përpunimi flagrant i “margjinalizimit” dhe i krimit të urrejtjes në SHBA dhe vendet perëndimore filloi të kundërveprojë në vetë shoqëritë e tyre. Nacionalizmi ekstrem në Evropën Perëndimore dhe racizmi i bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po arrijnë në dimensione kërcënuese për të gjithë botën. Situata është e njëjtë edhe në Rusi. Për shkak të rrezikut të luftës, ushtria ruse ka vënë në gjendje gatishmërie qindra-mijëra trupa të saj nga Ukraina e deri në kufijtë e Kinës dhe Japonisë. Njësitë ruse në Lindjen e Largët kanë filluar praktikën e “gatishmërisë së lartë ushtarake”. Ushtria ruse raportohet të jetë në alarm kundër ndonjë rakete, e cila mund të hidhet nga Koreja e Veriut dhe mund të çorientohet papritmas.

Kostoja e të gjitha këtyre mobilizimeve sociologjike dhe ushtarake tejkalon dhjetëra miliarda dollarë. Nëse këto shpenzime do të bëheshin për paqen dhe eliminimin e problemit të urisë, atëherë planeti ynë do të bëhej më i jetueshëm. Kështu s’do të derdhej asnjë pikë gjaku dhe loti. Por, me sa duket, marrëzia e luftës do të na zvarrisë në luftëra frontesh shumëkombëshe. Shpresa jonë e vetme është që edhe liderët e shteteve të tjera, sikurse Erdogani dhe Presidenti kinez, Xi Jinping, të bëjnë përpjekje të mëdha për paqen…/ trt

* Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne