Autor: Prof. dr. Kudret Bülbül *

Deri pak kohë më parë, shumë prej nesh ndoshta s’kishin dëgjuar kurrë të flitej për myslimanët e Arakanit apo rohingianët. Vetë ata dhe përmasat kolosale të tragjedisë së tyre i vërejtëm pas datës 25 gusht 2017, kur mbi 500.000 njerëz u arratisën nga barbaria e Mianmarit për t’u strehuar në Bangladeshin fqinj.

Për të kuptuar se ku ndodhet Arakani, mbase na duhet së pari të themi disa gjera rreth gjeografisë së tij. Arakani është një nga gjithsej 7 kantonet apo shtetet e Mianmarit, zyrtarisht Republika e Bashkimit të Mianmarit, një shtet sovran në Azinë Juglindore dhe i njohur më parë si Burma apo Birmania. Ai është një vend i rrethuar nga Tajlanda, Laosi, Kina, India, Bangladeshi dhe Gjiri i Bengalit. Ndërsa Arakani shtrihet përgjatë bregdetit të Mianmarit dhe është zona më strategjike e këtij vendi.

Sipas gojëdhënave, islami në Arakan është përhapur nga disa tregtarë myslimanë, që kanë arritur të shpëtojnë nga mbytja e një anijeje në Gjirin e Bengalit. Myslimanët e Arakanit, sikurse dhe komuniteti mysliman moro në Mindanano të Filipineve, kanë jetuar për shekuj me radhë të qeverisura nga sulltanatet e tyre. Ndërsa në vitin 1885 janë pushtuar nga britanikët, si pasojë e politikave ekspansioniste të shteteve imperialiste perëndimore. Problemet u bënë edhe më të shumta në Mianmar pas shpalljes së pavarësisë më 1948-n, si për të na rikujtuar atë fjalën e urtë të fiseve lëkurëkuqe të Amerikës: “Nëse dy peshq luftojnë në një lumë, dijeni që një britanik shalëgjatë ka kaluar aty pak më parë.” Më 1962-shin, Gjenerali Ne Win mori pushtetin me një puç ushtarak dhe e ndryshoi emrin e vendit nga Birmani, në Mianmar. Gjatë periudhës që kjo republikë u qeveris me sistem njëpartiak, u praktikuan të gjitha llojet e politikave shtetërore për dëbimin dhe përndjekjen e myslimanëve nga vendbanimet e tyre. Për mos t’u harruar janë sidomos sulmet çnjerëzore të budistëve radikalë, gjerësisht të njohura si Lëvizja 969, ku tri shifrat e numrit 969 “simbolizojnë virtytet e Budës, praktikat budiste dhe komunitetin budist”.

Sot, në fund të dhjetëra viteve të gjata plot vuajtje, dhimbje, lot, përndjekje dhe gjakderdhje, në Arakan plagët vazhdojnë të thellohen e lëngojnë ngado që të shohim.

Pak kohë më parë, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara, organizuam një panel me pjesëmarrjen e ambasadorit Umit Yardim, president i Këshillit Evropian Rohingian dhe ndihmësnënsekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, për të tërhequr vëmendjen mbi problemin e Arakanit. Një mysafir i yni nga Holanda përdorte dy emra: La Jo dhe Muhammed Hubeyb. Kur e pyetëm për arsyen pse kishte dy emra, përgjigja e tij demaskoi në fakt gjendjen apo tablonë e mjerë në Mianmar. Atje, për mos t’u përballur me diskriminim, të gjithë qenkan të detyruar që të përdorin edhe një emër birman krahas atij të vërtetë. Kjo situatë nuk është e huaj për ne, sepse na kujton praktikat ndaj turqve në Bullgarinë e viteve 1980, kur ndryshoheshin madje edhe gurët e varreve.

Po, dertet janë të mëdha, ndërsa vuajtjet e dhimbjet akoma më të mëdha. Mirëpo nëse jetojmë, atëherë ka edhe shpresë. Prandaj na duhet të flasim edhe për zgjidhjet:

  1. Të ushtrohet presion ndërkombëtar mbi Mianmarin. Nëse diku s’bëhet fjalë për ligj dhe drejtësi por për represion dhe tirani, atëherë këto mund të ndalen vetëm me forcë. Prandaj duhet provuar çdo rrugë që do të siguronte më shumë presion nga komuniteti ndërkombëtar mbi Mianmarin. Kjo mund të realizohet kryesisht nga shtetet dhe organizatat ndërkombëtare.
  2. Grupi ndërkombëtar i zgjidhjes: Duhet të formohet një grup ndërkombëtar për menaxhimin dhe zgjidhjen e krizës, sikurse Grupi Minsk në Ukrainë. Jemi të vetëdijshëm që Kina dhe India janë atje më tepër si një pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes. Megjithatë zgjidhja duhet kërkuar duke i përfshirë këto vende në proces me sa të jetë e mundur. Ky grup ndërkombëtar i zgjidhjes duhet të jetë përgjegjës për të siguruar kthimin e shëndoshë të rohingianëve në vendin e tyre dhe për të mbikëqyrur garantimin e të drejtave të tyre të jetës pas kthimit në atdhe.
  3. Ndërkombëtarizimi i zullumeve, represionit dhe shkeljeve të së drejtave në Arakan. Ashtu si dhe kurdët e Sirisë, myslimanët rohingianë apo arakanasit nuk kanë ende madje as një kartë identiteti zyrtare. Duke qenë se s’gëzojnë një status zyrtar, e pamundur për ta është edhe zgjidhja e problemeve/nevojave themelore si arsimi dhe shërbimet shëndetësore. Organizatat joqeveritare dhe aktivistë nga e gjithë bota mund të ngrenë në rend të ditës këto shkelje në vendet përkatëse ose në platformat ndërkombëtare. Mund të fillojnë procese ligjore. Edhe pse ka gjasa të mos prodhojnë rezultatet e dëshiruara, çështjet gjyqësore të ngritura kundër autoriteteve shtetërore dhe/ose ushtarake, që bëjnë shkelje të së drejtave të njeriut, do të kenë efekte shumë dekurajuese.
  4. Të jepen ndihma për Bangladeshin. Shtet që është edhe vetë në një situatë mjaft të vështirë, Bangladeshi s’duhet të braktiset kurrsesi në vetmi, por të demonstrohet solidaritet dhe të jepen ndihma, në mënyrë që edhe ai të bëjë më shumë për të ndihmuar qindra-mijëra njerëz.
  5. Përparësi institucioneve strategjike. Sikurse dhe në masakrat e Mianmarit, Republika e Turqisë ofron çdolloj ndihme kudo që shfaqet një krizë humanitare përmes AFAD-it, Gjysmëhënës së Kuqe, TIKA-s, IHH-së dhe OJQ-ve të tjera. Mirëpo, edhe pse shumë e çmuar dhe urgjente, ndihma humanitare mbetet e pamjaftueshme. Të paktën po kaq të çmuara janë gjithashtu institucionet e mendimit apo qendrat prodhuese të zgjidhjeve strategjike, sidomos ato të specializuara në çështje specifike.
  6. Të formohet një grup i përhershëm ndërkombëtar i krizës nën lidershipin e Turqisë.
  7. Ndërgjegjësimi global. Çështja e Arakanit, njëlloj si dhe ajo e Jerusalemit, nuk është një problem ku palë janë vetëm myslimanët. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të krijohet ndërgjegjësimi ndërkombëtar në çështje të tilla. Prandaj vizita në Arakan e Emine Erdogan si Zonjë e Parë e Turqisë ishte shumë domethënëse në këtë aspekt. Lexuesit tanë, pavarësisht se në cilin vend të botës jetojnë, mund të përfshihen aktivisht në projektet për ndërtimin dhe konsolidimin e vetëdijes globale.

Ndonjëherë një diçka ndryshon, shumë gjëra ndryshojnë. Ndryshimi i klimës formoi detet dhe kontinentet. Prandaj ejani, mos nguroni! Ndajeni dhimbjen që lotët e të shtypurve të pushojnë dhe fëmijët bukuroshë arakanas të kenë shansin për ta parë ardhmërinë e tyre jo me frikë, por me më tepër shpresë!

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

 

 

34