Koment – Nevoja për “Perëndimin e Moderuar”

Prof. Dr. Kudret BÜLBÜL*

Historia është një shkencë shumë e dobishme dhe po aq instruktive për njerëzimin, nëse prej saj mund të nxirren mësime. Por, fatkeqësisht, nuk janë të shumta mësimet që merren nga kjo shkencë. Sa shpejt që harrohen përjetimet, vuajtjet, dhimbjet, vdekjet dhe përndjekjet e së shkuarës!

Nga Perëndimi i Egër në Perëndimin e Moderuar…

Shekullin e kaluar, Perëndimi shkaktoi dy luftëra të mëdha që prodhuan ndoshta më shumë vdekje, gjak dhe lot sesa të gjitha luftërat në historinë e njerëzimit, për asgjë tjetër veçse kolonizim/shfrytëzim të mëtejshëm. Pas luftës, megjithatë, ai nxori mësime nga kjo egërsi e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, për të cilat vetë u bë shkak, duke hyrë në një epokë që prodhoi politika të orientuara më shumë në vlera, sidomos në Evropë. Të trajtësuara në Bashkimin Evropian, politikat e bazuara në vlera, të cilat u dhanë përparësi lirive, të drejtave të njeriut, demokracisë, bashkëpunimit e solidaritetit në Evropë, sollën një paqe/qetësi relative në Evropë dhe rajon.

Nga Perëndimi i Moderuar në Perëndimin e Egër…

Mirëpo sot ne po evoluojmë përsëri drejt një bote me bosht kërcënimin. Deklaratat e fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Koreja e Veriut dhe Rusia janë kthyer në një garë se kush posedon më tepër armë kimike apo bomba atomike që do të shkatërrojnë palën kundërshtare dhe se kush mund ta shtypë butonin më shpejt.

Kurse në aspektin e të drejtave të njeriut, lirive, pluralizmit, lirisë së besimit dhe respektimit të stileve të ndryshme të jetesës në Perëndim, situata po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Islamofobia dhe armiqësia ndaj emigrantëve po rriten dita-ditës. Sipas të dhënave të Ministrisë gjermane të Punëve të Brendshme, gjatë vitit 2017 në Gjermani janë kryer 950 sulme kundër myslimanëve (http://www.spiegel.de). Plot 950 sulme në një vit! Sikur të krishterët dhe/ose hebrenjtë në një vend lindor, latin apo mysliman të sulmoheshin sa 1% (9-10 sulme) e shifrës së lartpërmendur, ju mund të paramendoni reagimin e botës! Padyshim që një diçka e tillë nuk është aspak e dëshirueshme. Rrëgjimi dhe sulmet në Perëndim nuk duhet të jenë kurrsesi shembull për hapësirat e tjera gjeografike. Sulmet ndaj myslimanëve në Perëndim, mjerisht, nuk janë specifike vetëm për Gjermaninë. Ato kapërcehen në heshtje kur bëhen në Perëndim. Në historinë e afërt të Evropës dhe SHBA-së, stilet e ndryshme të jetesës kurrë më parë nuk janë ndjerë kaq shumë të kërcënuara.

Teksa vështirësojnë çdo ditë e më tepër kushtet e azilit për të përndjekurit, të pambrojturit dhe refugjatët, shumë vende perëndimore gati sa nuk u bëjnë ftesë për azil/strehim anëtarëve të organizatave terroriste vrasëse të njerëzimit si FETO, PKK, DHKP-C, etj., të cilat kanë kryer çdolloj krimi në vendet e tyre. A ka ndonjë vend tjetër në botë, me përjashtim vetëm të disa shteteve perëndimore, që është bërë kaq shumë strehë e terroristëve? Jam me të vërtetë shumë kureshtar që të mësoj përgjigjen e kësaj pyetjeje…

Nga ana tjetër, shtresave liberale, pluraliste dhe demokratike në Perëndim po u ngjiret zëri çdo ditë e më shumë. Partitë liberale, pluraliste dhe demokratike po humbasin terren; ndërsa partitë raciste, fashiste dhe naziste po fitojnë më shumë vota duke u bërë pjesë e koalicioneve qeverisëse në disa vende. Tashmë në Perëndim ka më pak liderë të matur dhe më shumë udhëheqës që kërcënojnë dallimet në shoqëritë e tyre, fqinjët, rajonin dhe vendet e tjera.

Perëndimi i Egër ose fundi i historisë…

Imagjinoni për një çast sikur kontrolli i armëve bërthamore dhe bombave kimike të Perëndimit, të cilat mund të sjellin fundin e njerëzimit, të kalojë në duart e këtyre rrymave ekstremiste. Si do të përdoreshin këto armë nga liderët perëndimorë fanatikë, pa brumin e vlerave si paqja, bashkëpunimi, barazia, liritë dhe të drejtat e njeriut, por të ngjizur me kundërvlera si urrejtja, përjashtimi, margjinalizimi, izolimi, diskriminimi dhe asgjësimi; të cilët nuk i konsiderojnë madje as si njerëz ata që mendojnë ndryshe prej tyre? Vetëm përfytyrimi i këtij skenari mjafton për të kallur datën, për të llahtarisur e tmerruar njeriun. Dëmet që këto armë shkaktuan gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore ishin katastrofike, madje janë të dukshme edhe sot e kësaj dite pavarësisht se atëherë nuk ishin kaq të frikshme. Por nëse do të sillnim ndër mend kapacitetin shkatërrues që ato kanë sot, rënia e kontrollit të këtyre armëve në duart e rrymave ekstremiste do të ishte një ftesë për ditën e kiametit. Disa futuristë kanë nisur kaherë të shkruajnë për “të marrë fundin e botës nga duart e Zotit” apo për “të detyruar Zotin që të afrojë ditën e kiametit”.

Vallë a do të qetësohen pasi të kapërcejnë këtë “kërcënim” ata që sot vlerësojnë si të nevojshme çdolloj praktike në kundërshtim me të drejtat e njeriut, liritë dhe vlerat universale, për të asgjësuar dallimet në vendet e tyre? Historia nuk thotë kështu. Është e qartë se në çfarë zjarri i shtynë vendet dhe rajonet e tyre njerëzit e kësaj mendësie pas gjenocidit hebre (holokaustit).

Nevoja për Perëndimin e Moderuar…

Në një kohë kur kërcënimi që do të formojë ecuria aktuale në Perëndim është kaq urgjent dhe i afërt, në rend të ditës po ngrihen më shumë debatet për “Islamin e Moderuar” dhe jo ato në lidhje me nevojën për “Perëndimin e Moderuar”. Islami i Moderuar është një tjetër temë, e cila mund të trajtohet në një ose më shumë artikuj të posaçëm. Kurse zhvillimet radikale në Evropë dhe Amerikë janë shqetësuese për të tërë. Tërësia e këtyre pikëpamjeve dhe synimeve të skajshme kërcënojnë jo vetëm vendet në fjalë, por të gjithë botën. Në këtë kuptim, shterimi i votave të partive të qendrës së djathtë dhe të asaj të majtë, ngjirja përherë e më shumë e zërit të shtresave liberale, pluraliste dhe demokratike, nuk është shqetësuese vetëm për të ardhmen e Evropës. Shekullin e kaluar dëshmuam në mënyrën më të hidhur se deri ku mund të shkapërderdhet e përhumbet një Evropë e dorëzuar tek rrymat radikale. Prandaj shtresat liberale dhe paqësore të rruzullit tokësor duhet të punojnë së bashku për Perëndimin e Moderuar në emër të paqes botërore.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara/ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne