Koment – Nota e ulët e vendeve të Ballkanit në luftën kundër korrupsionit

Nga Erhan Turbedar

Sipas një studimi të bërë nga Qendra e Studimeve të Demokracisë në Sofje, fenomeni i ryshfetit në Bullgari, i cili është kthyer në një nga sëmundjet shoqërore, është 2-3 herë më i lartë se në vendet tjera të Evropës. Kurse disa sondazhe publike të kryera në Rumani tregojnë se 96% e qytetarëve e perceptojnë korrupsionin si e keqja më e madhe në jetën e tyre të përditshme. Sipas Ministrisë së Sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës, për shkak të korrupsionit ky vend është kthyer në një fushë të përshtatshme për vepra kriminale. Tërhiqet vëmendja që ryshfeti, në Serbi dhe Malin e Zi, si një rast sistematik, është njëri prej problemeve më të mëdha të shoqërisë. Këta shembuj tregojnë se ryshfeti zë vend në mesin e problemeve më serioze në vendet e Ballkanit. Për këtë arsye, nevoja e luftës kundër korrupsionit, në të gjitha vendet e Ballkanit shikohet si në një sfidë themelore.

Edhe pse ryshfeti dhe llojet tjera të korrupsionit kanë qenë ndër çështjet themelore, që shqetësonin njerëzimin nga kohërat e lashta, korrupsioni i shkaktuar nga kostot ekonomike dhe sociale filloi të tërheqë vëmendjen më shumë gjatë 25 viteve të fundit. Pozita gjeografike e Ballkanit, shpërbërja e Jugosllavisë së Titos, luftërat e përjetuara gjatë viteve 90-të, gjithashtu vitet e tranzicioneve ekonomike kanë qenë shkaktarë për formimin e një terreni të përshtatshëm për korrupsion në Ballkan.

Për shembull institucionet shtetërore në Serbi, e cila zhvilloi disa luftëra, u bombardua nga ana e NATO-s dhe që ka qenë e ekspozuar ndaj embargove të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, gjatë viteve të 90-ta kanë qenë të përfshira në mënyrë serioze në aktivitete kriminale. Po në të njëjtën periudhë edhe në Kroaci, vetëm ata të cilët kanë qenë të afërt dhe kanë pasur lidhje me partinë në pushtet mundën ti zhvillojnë me sukses aktivitetet e tyre tregtare. Kurse lidhjet mes elementeve kriminale dhe posteve zyrtare në Bullgari kanë qenë temë e diskutimeve për një kohë të gjatë në rendin e ditës së vendit.

Përpjekjet e bëra për zhvillimin e shteteve të reja të themeluara në Ballkan për shkak të perceptimeve të kërcënimeve për sigurinë kombëtare dhe minoriteteve dhe për shkak të çështjeve të ngjashme erdhën me vonesë në rendin e ditës së Ballkanit.

Kur integrimi në institucionet e Evropës dhe atyre atlantike u bënë objektivat themelore të politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit, çështja e luftës kudër korrupsionit u doli para si një pjesë e pandashme e reformave për vendet e rajonit. Veçanërisht raportet e publikuara nga ana e Komisionit Evropian tërheqin vëmendjen në atë që duhen të bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor për të luftuar kundër korrupsionit dhe ju paraqet atyre pothuajse një hartë rrugore në lidhje me këtë çështje.

Ndryshe nga e kaluara e afërt në vendet e Ballkanit, në ditët e sotme ka organizata të shoqërisë civile (OJQ), të cilat kanë kapacitetin për të luajtur një rol aktiv në luftën kundër korrupsionit. Në anën tjetër, falë fushatave dhe punimeve për krijimin e vetëdijes kundër korrupsionit të ndërmarra nga shoqëritë civile dhe organeve të mediave, sot lufta kundër korrupsionit ka mbështetjen e nevojshme në të gjitha vendet e Ballkanit. Krahas këtyre zhvillimeve pozitive në këtë drejtim vendet e Ballkanit vazhdojnë të marrin nota negative në çështjen e luftës kundër korrupsionit.

Për shembull në raportet e organizatës ndërkombëtare për luftë kundër korrupsionit “Tranparency International” ndër vendet e Evropës, Ballkani vazhdon të tregohen si rajoni ku korrupsioni është më shumë i përhapur. Kurse në raportin e organizatës ndërkombëtare “Global Integrity” bëhet e ditur se mekanizmat për luftën kundër korrupsionit në vendet e Ballkanit janë të pamjaftueshme. Edhe nga progres raporti i vendeve të Ballkanit Perëndimor i publikuar nga ana e Komisionit Evropian mund të kuptohet se pamjaftueshmëria në luftën kundër korrupsionit është problemi i përbashkët i vendeve të rajonit. Madje edhe Bullgaria edhe Rumania, të cilat janë anëtare të BE-së, shpesh herë kritikohen nga Brukseli për shkak të korrupsionit.

Fondet e ndara nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare për luftën kundër korrupsionit zakonisht shpenzohen për forcimin e kontrollit të shoqërive civile. Paralel me këtë bëhen presione të ndryshme ndaj qeverive të vendeve të rajonit për ndërmarrjen e reformave të nevojshme. Por për fat të keq mungesa e vullnetit politik e qeverive të rajonit vazhdon të mbetet shkaku kryesor i dështimit të këtyre vendeve në luftën kundër korrupsionit. Për këtë arsye ndjehet nevoja për zhvillimin e strategjive të reja që partitë politike të marrin përsipër role më aktive në këtë drejtim. Duhet theksuar se zhvillimi, stabiliteti, demokratizimi dhe forcimi i shtetit ligjor në vendet e Ballkanit ka një rëndësisë jetike në luftën kundër korrupsionit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne