Koment – Perspektiva e Stambollit

Autor: Prof. dr. Kudret Bülbül*

Në dashtë Zoti, së bashku do të takohemi çdo javë në këtë hapësirë virtuale për të përshkuar një rrugë të gjatë.

Shkrimi është një udhëtim i përbashkët i autorit me lexuesin. Bashkudhëtimi kërkon respekt, dashuri dhe besim.

Të shkruash nuk është edhe aq e lehtë, nevojitet guxim dhe vetëbesim. Ndërkohë që shkruani, ju shpalosni të gjithë akumulimin tuaj; i hapni lexuesit veten, idetë dhe zemrën tuaj.

Shkrimi nuk është një mesazh i njëanshëm, por ndërveprim; është një ndarje reciproke me reagimet nga lexuesi.

Të shkruash është ekspeditë; është një shëtitje në botën tuaj të brendshme për veten dhe një hapje për botën, të cilat do t’i nxirrni nga përvojat dhe leximet tuaja ndër dekada.

Shkrimi është aventurë. Kur ia filloni, nuk mund ta dini me saktësi adresën apo vendndalimin e mesazhit tuaj; as me se do të përballet dhe çfarë reflektimesh apo mbresash do të lërë pasi e përfundoni…

Gjatë kësaj aventure, ne dhe ju së bashku do të ndalemi pothuajse gjithandej e do të trajtojmë shumë çështje. Ndonjëherë do të sjellim në rend të ditës Ballkanin, Lindjen e Mesme, Kaukazin, Afrikën, hapësirën gjeografike që kemi për zemër. Ngaherë do të dëgjojmë klithmat dhe piskamat e të shtypurve në Palestinë, Krime, Ahiska (Akhaltsikhe), Mindanao (Filipine – ku jeton komuniteti mysliman moro) dhe Arakan (Mianmar – ku jeton komuniteti mysliman rohingian). Hera-herës do të jemi zëri i një familjeje që i merret fëmija në Evropë, i një emigranti të diskriminuar në Perëndim ose i një të riu që përpiqet të gjejë një mënyrë për të mos humbur veten. Pavarësisht nga gjuha, feja, ngjyra apo raca, ne do t’u bëjmë thirrje njerëzve të ndërgjegjshëm, që janë të shqetësuar për njerëzimin mbi lëmshin e dheut. Sepse tendenca dhe ecuria në Perëndim është jashtëzakonisht shqetësuese.

Megjithatë, në çdo situatë, do të përpiqemi më tepër për të parë Turqinë nga syri i botës. Në këndin tonë virtual, në Turqi, s’do të sjellim problemet e Turqisë, por ato të botës. Shumë herë ngujohemi në agjendën e brendshme duke u shkëputur nga zhvillimet globale. Për sa kohë që nuk jemi në dijeni të ngjarjeve në vendet e tjera, s’do të jemi në gjendje për të parë distancën apo rrugën që kemi përshkuar. Kacafytjet e vazhdueshme me agjendën e brendshme mund të na pengojnë që të shikojmë zhvillimet nëpër botë dhe vlerën, e cila na atribuohet nga njerëzimi dhe hapësira gjeografike që kemi për zemër. Trashëgimia jonë na imponon që të ngremë kokën e të shohim se çfarë ka të ngjarë anembanë rruzullit tokësor për mbajtur gjallë dhe të freskëta shpresat e varura te ne, me një vështrim nga Turqia.

Mirë, po ku do ta vendosim projeksionin tonë në këta rreshta dhe nga cila dritare do ta shikojmë botën?

Kur e shikojmë botën sot, ne përballemi me tri probleme themelore: Padrejtësia, mungesa e solidarësisë (për të ndihmuar njëri-tjetrin) dhe paaftësia për të bashkëjetuar me kultura të ndryshme. Të gjitha brengat, shqetësimet dhe kokëçarjet e njerëzimit mund të përmblidhen me këto tri probleme. Dakord, por a ka njerëzimi ndonjë eksperiencë apo akumulim jetësor në gjendje për të zgjidhur këto tri probleme themelore?Vallë ekziston një traditë që ndan drejtësi për të gjithë, mendon për fqinjin e uritur dhe sillet mirë me krijesën për hatër të Krijuesit, sikurse Junus Emreja, pa dallim gjuhe, feje, race dhe ngjyre? Nëse njerëzimi e ka një traditë dhe përvojë të këtillë, atëherë ne s’duhet të ndjekim idetë apo mendimet e paprovuara që nuk dimë ku na çojnë, por duhet të ecim në gjurmët e asaj eksperience të testuar që na nxjerr në shpëtim.

Parë nga aspekti i drejtësisë, solidarësisë dhe pluralizmit, me sa duket rruga që mund të përshkojmë nga brendësia e qytetërim perëndimor është e kufizuar. Civilizimi ynë mund të jetë një udhërrëfyes shumë më i madh në lidhje me këto çështje. Marshimi ynë mijëvjeçar nga Horasani në Ballkan është si një fener deti, që mund të na ndriçojë rrugën tonë drejt zgjidhjes së problemeve me të cilat përballemi.

Në këtë aspekt, lehtësisht mund të thuhet se Stambolli ishte deri një shekull më parë një nga vendet më globale për njerëzimin. Një mendim/rrymë/ideologji/botëkuptim i çfarëdoshëm s’mund të zhdërvillet e të fitojë thellësi në mjedise rurale apo vende të vogla, ku jeton në vetmi; por në ambiente ku bashkëjetojnë të larmishmet. Sepse këto ide kanë potencial për t’u forcuar në mjedisin e dallimeve dhe kontradiktave. Në këtë suazë, Stambolli i periudhës konstitucionale dhe më herët ishte një vend i historisë sonë jo të largët, ku mendime shumë të ndryshme mund të jetonin së bashku dhe këto ide mund të shpreheshin lehtësisht. Stambolli ishte një mjedis dhe shans, ku mund të bashkëjetonin me të gjithë përbërësit e tyre komunitetet myslimane (turqit, arabët, kurdët, shqiptarët, boshnjakët…) dhe jomyslimane (të krishterë, hebrenj, armenë…) të perandorisë. Prandaj nuk është profeci të parashikohet që Stambolli, me këtë karakteristikë të tijën, të gëzojë një akumulim me të cilin mund të diskutohen më hollësisht problemet e sotme.

Përgjatë shekullit të 20-të, si një pohim edhe i shkëputjes nga qytetërimi ynë, intelektualët e Turqisë janë influencuar së tepërmi nga civilizimi perëndimor. Ndërsa në periudha më të afërta janë frymëzuar edhe nga lëvizjet intelektuale në vende si Egjipti, Irani dhe Pakistani. Monitorimi i zhvillimeve në Perëndim dhe Lindje, njohja dhe vlerësimi i komenteve intelektuale të ndryshme, rezultojnë pa asnjë hije dyshimi një përfitim madhor. Mirëpo intelektualët e Turqisë, që ndiqnin zhvillimet në këto vende, nuk kanë analizuar mjaftueshëm Stambollin dhe debatet e atjeshme, ku jo shumë larg të larmishmet, dallimet dhe kontradiktat bashkëjetonin në kuptimin më të gjerë të fjalës dhe ku, rrjedhimisht, mund të vërehej thellësia më e madhe intelektuale. Fatkeqësisht, ende nuk është arritur të hiqet mjaftueshëm shalli i mbështjellë mbi Stambollin me epokën republikane.

Megjithatë sa qytete ka ende sot në botë, ku njerëzit mund të jetojnë lirisht me identitetet e tyre, pa u margjinalizuar apo diskriminuar dhe që brengosen për vuajtjet e njerëzve në hapësira gjeografike të tjera?! Andaj përvoja më e afërt dhe më e përshtatshme, të cilën ne mund të kërkojmë për të zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohemi sot, është akumulimi i Stambollit. Ky akumulim qëndron atje si një fanar i mbuluar, gati për të hedhur dritë mbi të gjitha problemet me të cilat përballemi. Ndoshta dhe “qytetërimi i penguar” i historianit të famshëm britanik, Arnold Joseph Toynbee, nënkupton pikërisht akumulimin e Stambollit.

Nëse marrim në konsideratë epokën “e papenguar”, Stambolli – bankë e akumulimit të Lindjes dhe Perëndimit – mund të na udhëheqë në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohemi sot. Por edhe ne jemi sot kryesisht të shkëputur nga ky akumulim.

Duhet t’i rikthehemi atij (akumulimi) dhe prej atje të nisim marshimin.

Saktësisht për një udhëtim të këtillë është ky kënd virtual. Nga njëra anë, për të zbuluar një akumulim kaq të madh; nga ana tjetër, për t’u gjetur zgjidhje problemeve globale në ndriçimin e tij…

Këta rreshta do të përkthehen në shumë gjuhë. Nëse jeni gati për këtë marshim global – pavarësisht se në cilin skaj të botës ndodheni dhe pavarësisht nga gjuha, feja, raca dhe ngjyra juaj – atëherë bujrëm! Ejani të marshojmë së bashku! Rrugën e kemi të gjatë dhe kohën tepër të kufizuar…

Hajde Bismilah!

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne