Koment – Serbia mes Katalonjës dhe Kosovës

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Gjatë historisë disa shoqëri njerëzore janë bërë pa dëshirë pjesë e një shteti më të madh me kolonizim, duke u lidhur me një perandori, me martesa mbretërore apo për arsye të tjera. Kështu, grupet që më parë formonin popujt indigjenë në atdheun e tyre historik ranë në pozitën e pakicës të një shteti tjetër. Prandaj, pakicat ose popujt autoktonë në disa vende bëjnë përpjekje për të mbrojtur ose rifituar institucionet e vetëqeverisjes që përjetësojnë kulturat e tyre shoqërore. Përpjekja mund të kufizohet me kërkesa për bërjen e reformave të caktuara ekonomike dhe politike, por mund të shfaqet edhe në formën e përpjekjes për t’u ndarë nga një shtet. Shembulli i fundit i kësaj ishte referendumi i mbajtur nga Qeverisja Autonome e Katalonjës më 2 tetor 2017. Pavarësisht të gjitha pengesave të Madridit, katalonasit e mbështetën pavarësinë në këtë plebishit popullor.

Brukseli njoftoi se nuk do ta njohë rezultatin duke e shpallur të jashtëligjshëm referendumin në Katalonjë. Edhe Presidenti i Serbisë, Alеksandar Vuçiç bëri deklarata në mbështetje të integritetit territorial të Spanjës. Megjithëkëtë Vuçiç e akuzoi BE-në për standarde të dyfishta dhe u ankua duke thënë se e drejta që nuk vlen për Katalonjën, Kosovës i ishte njohur pa shkuar ende në referendum. Kurse Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç njoftoi se do të ankohet në Komisionin Evropian (KE) për arsye të standardeve të dyfishta që ndiqen.

Reagimi në Serbi lidhur me referendumin në Katalonjë tregon se Beogradi vazhdon ta mbajë çështjen e Kosovës në qendër të politikës së tij të jashtme, por jo vetëm. Duket qartë që Qeveria në Beograd po përpiqet ta ripërdorë çështjen e Kosovës edhe për konsum të brendshëm politik. Ndërkohë që dihet se Serbia i ka të pakta shanset të fitojë pikë nga çështja e Kosovës duke shfrytëzuar zhvillimet e fundit në Katalonjë. Kurse në politikën e brendshme, situata qëndron ndryshe.

Sipas rezultateve të një sondazhi publik, publikuar në numrin e datës 4 tetor 2017 të gazetës “Danas” të Serbisë, pothuajse gjysma e popullit të Serbisë beson se ata jetojnë në kushte më të këqija se katër vjet më parë. Sondazhi i opinionit publik nxori në pah gjithashtu se pothuajse gjysma e popullit të Serbisë dëshiron një alternativë të re politike, e cila do të ndjekë një politikë të jashtme të paanshme dhe do të përqendrohet në problemet ekonomike. Natyrisht që rezultatet në këtë drejtim nuk janë një lajm i mirë për Presidentin Alekandar Vuçiç dhe partinë e tij në pushtet. Për këtë arsye, administrata në Beograd po përpiqet të fitojë pikë në politikën e brendshme duke ringjallur idetë dhe ndjenjat e vjetra për Kosovën, veçanërisht dhimbjen që ndjejnë qytetarët serbë për humbjen e Kosovës. Vetëm se zhvillimet e mundshme në këtë drejtim, dashur pa dashur do të reflektojnë negativisht edhe në dialogun e ngadaltë që zhvillohet midis Beogradit dhe Prishtinës.

Beogradi po përgatitet të çojë në Komisionin Evropian krahasimin Katalonjë-Kosovë, por nuk duhet të ketë pritshmëri të mëdha për këtë. Sjellja në këtë mënyrë e Beogradit mund të risjellë në qendër të vëmendjes vetëm retorikën që “Kutia e Pandorës” në aspektin e krahinave problematike është hapur në Kosovë.

Është e vërtetë se shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 përbën një përjashtim të madh në normat juridike të rendit ndërkombëtar, i cili është ndërtuar për vite me radhë. Vendet perëndimore e kanë thënë që në fillim se Kosova është një rast i veçantë dhe kanë argumentuar që Kosova nuk mund të jetë një rast precedent për rajonet e tjera të trazuara. Ka arsye të ndryshme për t’iu bashkuar asaj që Kosova përbën një rast unik. Por më shumë se sa për Kosovën, situata ka qenë e veçantë për vet Serbinë. Sepse ish-udhëheqësi serb Sllobodan Milosheviç me politikat që ndoqi në vitet 1990 e prezantoi veten në botë si “Kasapi i Ballkanit“, duke shkaktuar që vendi i tij të perceptohet si një vend agresiv në opinionin publik botëror. Nga ana tjetër, Milosheviçi bëri çdo gjë që kishte në dorë për ti humbur miqtë e tij perëndimorë. Si rezultat i të gjitha këtyre, kosovarët, që kërkonin pavarësinë, arritën të siguronin mbështetjen e vendeve perëndimore në këtë drejtim.

Rasti i Kosovës tregoi se ligji ndërkombëtar është më fleksibël sesa degët e tjera të drejtësisë, për shembull, tregoi që ligji ndërkombëtar nuk interpretohet me të njëjtën ashpërsi si ligji penal. Gjithashtu zbuloi se një komunitet njerëzor mund ta sigurojë pavarësinë deri në atë masë sa është në gjendje të marrë mbështetje nga vendet e botës. Kështu që, edhe pse Kosova mund të ketë qenë burim frymëzimi dhe guximi për disa rajone të trazuara të botës, është e pakuptimtë të pritet që pavarësia e Kosovës ta çojë botën në një valë të re fragmentarizimi.

Sot janë 193 vende të njohura nga OKB-ja si shtete të pavarura. Në këto shtete jetojnë rreth 5 mijë grupe me racë, etni, fe, kulturë dhe gjuhë të ndryshme. Prej këtyre, afër 700 grupe kanë kërkesa të ndryshme lidhur me vetëqeverisjen. Një përgjigje pozitive ndaj dëshirave të secilit grup mund ta çonte botën në kaos. Për të parandaluar një situatë të tillë, një rëndësi e madhe vazhdon ti kushtohet integritetit territorial të shteteve dhe vazhdimësisë së kufijve ekzistues shtetëror brenda suazës së të drejtës ndërkombëtare./ trt

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne