Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Studimi vjetor me emrin “Barometri Ballkanik 2017“, i përgatitur nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), përveç se mati pulsin e opinionit të përgjithshëm, ai hulumtoi gjithashtu edhe botën e biznesit në vendet e Ballkanit dhe në Turqi. Studimi përfshin në total 1600 kompani (biznese) me madhësi dhe fusha të ndryshme aktiviteti. Sipas studimit në fjalë pritjet e bizneseve të Ballkanit për të ardhmen nuk janë edhe aq shumë optimiste.

Studimi është kryer duke anketuar nga 200 kompani në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Turqi, dhe ka nxjerrë rezultate të rëndësishme për komunitetin e biznesit në Ballkan. Para së gjithash, mesatarisht 30% e biznesmenëve të anketuar në Ballkan besojnë se gjendja ekonomike në vendet e tyre është përkeqësuar në vitin 2016. Përveç kësaj, vetëm 25% e biznesmenëve presin që gjendja e përgjithshme ekonomike në vendet e tyre të përmirësohet në 2017. Kurse në Turqi, përqindja e biznesmenëve që besojnë se situata ekonomike është përkeqësuar në vitin 2016 është 27%, ndërsa përqindja e atyre që presin përmirësimin e gjendjes së përgjithshme ekonomike për këtë vit është 43%.

Koment – Barometri Ballkanik 2017 | TRT  Shqip

Sipas rezultateve të anketës, në 42% të kompanive në Ballkan gjatë vitit 2016 biznesi nuk ka pësuar ndryshime të mëdha; përmirësim ka pasur në 40% të tyre, kurse në 17% të kompanive punët kanë shkuar keq. Sidomos për kompanitë e vogla, bërja biznes ka qenë e vështirë. Kurse në Turqi, 39% e firmave kanë raportuar përmirësim në punën e tyre, 35% kanë mbetur të njëjta dhe 23% kanë raportuar përkeqësim të biznesit.

55% e kompanive në Ballkan dhe 45% e atyre në Turqi presin një rritje të kërkesës për produktet ose shërbimet e tyre në të ardhmen. Këto shifra tregojnë se pritjet e firmave për veten e tyre janë më të favorshme se ato në lidhje me ecurinë e përgjithshme ekonomike në vendet e tyre.

Brenda vitit 2016, 53% e kompanive në Ballkan nuk e ndryshuan nivelin e punësimit, 13% e tyre e reduktuan numrin e punëtorëve dhe 34% e rritën atë. Ndër të punësuarit, 65% ishin meshkuj dhe 35% ishin femra. Përqindja e meshkujve të punësuar në firmat në Turqi është 77%, kur femrat janë 23%. 9% e menaxherëve të kompanive në Ballkan dhe 16% në Turqi thanë se mund të marrin në konsideratë uljen e numrit të të punësuarve në 2017.

Në përgjithësi, kompanitë në vendet objekt i këtij studimi nuk kanë shumë përvojë në punësimin e të huajve. Megjithatë, 40% e biznesmenëve në Ballkan dhe 29% në Turqi raportuan se mund të merrnin në konsideratë punësimin e shtetasve të huaj në kompanitë e tyre.

Si në Turqi, ashtu edhe në Ballkan, kompanitë preferojnë që personelin, për të cilin kanë nevojë, ta sigurojnë me anë të rekomandimeve personale. Përqindja e kompanive që njoftimet për vendet e lira në punë nuk i bëjnë përmes mediave të shkruara dhe atyre elektronike është 29% në Ballkan dhe 24% në Turqi. Kjo tregon ekzistencën e problemeve strukturore në tregun e punës. 82% e biznesmenëve në Turqi punonjësit e kualifikuar i sigurojnë duke marrë në kompanitë e tyre punonjësit e firmave rivale. Kurse në Ballkan, përqindja e biznesmenëve që aplikojnë këtë metodë është 17%.

Sipas rezultateve të Barometrit Ballkanik, në vitin 2016, 17% e kompanive në Ballkan dhe vetëm 13% e atyre në Turqi kanë investuar në kërkime dhe zhvillime duke ndjekur rrugën e bashkëpunimit me universitetet. Megjithatë, më shumë se gjysma e kompanive në Ballkan besojnë se në vitin 2016 kanë zhvilluar disa inovacione në prodhimin e mallrave dhe shërbimeve ose në shërbimet e shpërndarjes e dorëzimit të produkteve. Teknologjitë e reja zakonisht sigurohen përmes blerjes së makinerive dhe pajisjeve të reja. Në vend të kërkimeve teknologjike, firmat në Turqi dhe Ballkan preferojnë të investojnë në trajnimet lidhur me punën. Por edhe shpenzimet ndaj kapitalit njerëzor ndërlidhen me trendin e përgjithshëm të ekonomisë së vendit.

91% e biznesmenëve në Ballkan vunë në dukje ekzistencën e rregullimeve të ndryshme ligjore që i pengojnë ata të bëjnë biznes. Sipas 48% të biznesmenëve, pengesa më e madhe për të bërë dhe rritur biznesin është niveli i taksave. Përqindja e biznesmenëve që i konsiderojnë si problem rregullimet ligjore lidhur me punësimin është 26%. Edhe në Turqi shikojmë se 38% e biznesmenëve të anketuar e shikojnë legjislacionin tatimor si pengesë për të bërë biznes. Sipas 30% të biznesmenëve turq, pengesë në bërjen e biznesit përbëjnë gjithashtu edhe rregullimet ligjore për pagën minimale.

Në Ballkan kompanitë preferojnë ta vazhdojnë e zgjerojnë aktivitetin e tyre me fitimin e siguruar dhe jo duke marrë kredi bankare. Dhe po të shikojmë realitetin, në vitin 2016, 58% e kompanive të Ballkanit kapitalin për aktivitetin e tyre dhe investimet e pandryshueshme i kanë përballuar nga fitimet e akumuluara. Përqindja e kompanive që kanë marrë kredi nga bankat kombëtare tregtare ka qenë 12%, kurse i atyre që kanë tërhequr kredi nga bankat e huaja ishte 5% (në 2016). Ndryshe nga Ballkani, në vitin 2016 vetëm 16% e kompanive në Turqi e financuan kapitalin e tyre të aktivitetit dhe investimet fikse nga fitimet e akumuluara.

Rezultatet e Barometrit të Ballkanit tregojnë se vendet ballkanike janë relativisht të mbyllura në aspektin e eksportimit të mallrave dhe shërbimeve dhe më të hapura ndaj importeve. Në të vërtetë, 85% e mallrave dhe shërbimeve të kompanive të anketuara shiten brenda vendit dhe 8% e tyre shiten në vendet e Bashkimit Evropian (BE). Vetëm 5% e shitjeve ndodhin midis shtatë vendeve të Ballkanit, të cilat ka qenë subjekt i këtij studimi. 70% e makinerive, materialeve dhe të hyrave të ngjashme të prodhimit gjithashtu sigurohen nga tregu i brendshëm. 50% e kompanive që eksportojnë në Turqi nuk kanë bërë kurrë biznes me vendet ballkanike. Sipas biznesmenëve turq, disa nga pengesat më të mëdha në bërjen biznes me vendet e Ballkanit janë: vonesat nëpër dogana, dokumentacioni i tepërt që kërkohet dhe ecuria e ngadaltë në procedurat lidhur me tregtinë e jashtme.

57% e biznesmenëve në Ballkan dhe 48% e atyre në Turqi janë optimist lidhur me anëtarësimin në BE. Vetëm 7% e tyre besojnë se anëtarësimi në BE do të ndikojë negativisht në biznesin e tyre, ndërsa të tjerët janë neutralë, pra mendojnë se anëtarësimi nuk do të ketë efekte negative, apo pozitive. Në përgjithësi, ato që kanë një qasje më pozitive ndaj anëtarësimit në BE janë kompanitë eksportuese.

Koment – Investimet direkte të Turqisë në Ballkanin Perëndimor | TRT  Shqip

Për sensibilitetin ndaj mbrojtjes së mjedisit po tregohet kujdes në dukje, kurse në të vërtetë nuk ka dëshmi të mjaftueshme që kompanitë po ndërmarrin masa kundër ndotjes së mjedisit.

Dhe e fundit, kompanitë në vendet e Ballkanit thonë se qeveritë nuk konsultohen mjaftueshëm me ato gjatë përgatitjes së ligjeve që rregullojnë bërjen biznes në vendin e tyre. Ndryshe nga Ballkani, 61% e kompanive në Turqi besojnë se qeveria turke interesohet me shqetësimet e firmave dhe përpiqet t’i eliminojë ato.

 

21