Koment – Të dëshpëruarit e rruzullit tokësor: Refugjatët

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Data 20 Qershor pranohet si Dita Botërore e Refugjatëve. Është një ditë që u kushtohet të dëshpëruarve të rruzullit tokësor, refugjatëve, me të cilët ndajmë bashkërisht si racë njerëzore këtë botë, por që problemet e tyre i injorojmë dhe nëse jo, përgjithësisht, vetëm sa i diskutojmë.

Aktualisht flitet për 65-70 milionë refugjatë. Me këtë popullsi, refugjatët formojnë vendin e 20-të më të madh të botës. Kurse numri i njerëzve të zhvendosur shkon deri në 400 milionë.

Shifrat tregojnë qartë përmasat kolosale të këtij fenomeni. Dhe këto shifra janë kaq të rënda, të dhimbshme dhe të kthjellëta, saqë mjaftojnë të vetme për të zbuluar indiferencën tonë për njerëzit e ndërgjegjshëm. Megjithatë, në të shumtën e rasteve, realiteti i ftohtë i shifrave errëson vuajtjet, dhimbjet, lotët, vdekjet, shtypjet e persekutimet. Në mesin e këtyre shifrave të shprehura me dhjetëra-miliona, shpeshherë as që të vjen në mendje se përvojat e çdo refugjati, qoftë ai foshnjë, i mitur, grua apo i moshuar, janë secila nga një dramë më vete. Kur në fakt çdo emigrim, çdo ndarje është një këputje, një thyerje, një rrënim, një piskamë a kujë për banorët ndoshta mijëravjeçarë të atyre territoreve. E kush është vallë ai që, duke qenë mirë e bukur, i shkrepet të lundrojë drejt porteve të reja plot pasiguri e paqartësi, për të lënë pas territoret, pronat ku janë rrënjosur të parët, nëna dhe babai i tij, ai vetë, si dhe kujtimet apo eksperiencën qindravjeçare të jetës atje? Çdo mërgim është vendimi më i vështirë dhe i fundit, i cili merret duke fshirë gjithçka nga e kaluara dhe të tëra shpresat për të ardhmen në hapësirën gjeografike ku kanë jetuar deri në atë çast.

Vendet që prodhojnë më tepër emigracion janë respektivisht Siria, Afganistani, Sudani Jugor dhe Somalia. Ç’është më e dhimbshmja, Siria ka rënë sot në pozitën e vendit që prodhon më shumë emigracion, teksa në vitin 2010 ishte një prej shteteve që pranonin më tepër refugjatë. Kjo situatë është një mësim për ata që mendojnë se nuk do të bëhen kurrë refugjatë në vendet ku jetojnë dhe për ata që s’brengosen veçse për të penguar refugjatët të mbërrijnë në vendet e tyre. Për ata që duan të shohin, historia botërore është e mbushur me ngjarje të tilla shembullore. Historia e botës nuk njeh pothuajse asnjë shoqëri që të mos ketë rënë në statusin e refugjatit apo të mos jetë detyruar të emigrojë.

Gati të gjitha vendet që prodhojnë më shumë emigracion, janë përballur në një farë mënyre me ndërhyrjen e Perëndimit apo janë bërë fushë e përplasjes së strategjive globale. Dhe kur fuqitë globale përplasen, refugjatët janë ata që shtypen.

Pa dyshim që përplasja e strategjive globale nuk është shkaku i vetëm i problemit të emigracionit. Këtu mund të flitet për arsye të llojllojshme, siç janë qeverisjet e këqija, motivet ekonomike, problemet e brendshme dhe ato politike, uria apo thatësira. Refugjatët e klimës që shkaktohen nga ngrohja globale, janë gjithashtu një tjetër shkak.

Arritja e zgjidhjes për flukset e mëdha të emigracionit mund të kërkojë përpjekje madhore. Por ndonjëherë edhe sakrificat e vogla mund të mjaftojnë për një zgjidhje. Kostoja jashtëzakonisht e papërfillshme e një pusi uji që hapet në një fshat në Afrikë, mund të parandalojë emigrimin e plotë të atij fshati. Kësisoj përpjekjesh ndoshta nuk e zgjidhin problemin me rrënjë, por të paktën zbulojnë synimet tona. Sikurse milingona që mbante ujë për të shuar zjarrin e Ibrahimit. Dhe nganjëherë këto sakrifica të vogla u shpëtojnë jetën atyre që përfitojnë nga ato, edhe pse jo neve. Njësoj si reagimi i atij burrit që ndër mijëra yje deti të dalë në breg, hodhi në oqean aq sa pati mundësi: “Po, sjellja ime mund të jetë e pakuptimtë për ju, sepse nuk mund t’i shpëtoj të gjithë. Por çdo yll deti që hodha në oqean, rikthehet në jetë me sjelljen time.” Ajo çfarë e bën njeriun të virtytshëm nuk është as karrigia (pozita) dhe as kasa (pasuria) e tij, por shqetësimi që e pushton atë për të tjerët.

Vallë mos do të kënaqemi me analiza të akullta për të identifikuar vetëm vuajtjet e refugjatëve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë pa bërë asgjë? A s’do të merremi aspak me përgjegjësit e vuajtjeve?

Sigurisht që jo! Ne do të kritikojmë pa dyshim me gjithë forcën tonë administratat e këqija, të cilat vrasin shpresat për të kaluarën dhe të ardhmen e popullit në vendet e tyre. Ne duhet patjetër të demaskojmë edhe qëllimet imperialiste, të cilat ndërtojnë strategji globale mbi vuajtjet dhe dëshpërimin e njerëzve apo shteteve të pafuqishme, me një moskokëçarje çnjerëzore si makthi që vjen natën e të zë frymën.

Krahas gjithë këtyre, natyrisht që ne duhet të vlerësojmë në çdo rast edhe vendet, të cilat ndjekin politika ndërkombëtare të indeksuara në parime dhe jo interesa, me fokus vlerat dhe njeriun. Sa u përket refugjatëve sirianë, pavarësisht se nuk janë shtetet më të pasura në botë, Turqia, Libani dhe Jordania mbajnë mbi supe një barrë disa herë më të rëndë sesa pjesa tjetër e botës. Kilisi, vetëm njëri prej qyteteve të Turqisë, mirëpret më shumë refugjatë sesa disa shtete perëndimore së bashku. Që nga fillimi i krizës e deri më sot, në Turqi kanë ardhur në jetë mbi 300 mijë foshnje siriane. Për më tepër, këto vende s’janë në asnjë formë pjesë e problemit në krizën siriane.

Nga ana tjetër, aktorët globalë janë më shumë pjesë e problemit në çështjen siriane. Interesi i tyre në Siri shfaqet shpeshherë në formën e shpenzimeve më të mëdha ushtarake, shitjen e më tepër armëve dhe thellimin e mëtejshëm të krizës.

Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i detyrojë këta aktorë globalë që të ndajnë barrën për kompensimin e dëmeve. Këtë e kërkon çdolloj qasje parimore, qoftë ajo humane, morale, ndërgjegjësore, universale, fetare apo ideologjike.

Për zgjidhjen e këtij problemi, nevojitet formimi dhe zhvillimi më shumë i vetëdijes shoqërore. E kjo nuk është punë e aktorëve globalë që janë pjesë e problemit, por kryesisht e organizatave joqeveritare (OJQ). Ndërkohë që strategjitë globale rezultojë shkaku parësor i viktimizimit dhe shtypjes së refugjatëve, OJQ-të në kërkim të zgjidhjes janë shumë lokale ose rajonale. Për të formuar vetëdije globale, organizatat joqeveritare duhet të kërkojnë më tepër bashkëpunime ndërkombëtare dhe të ofrojnë më shumë informacion për komunitetin ndërkombëtar përmes raporteve dhe analizave. Në thelb, ky mision nuk u përket vetëm organizatave joqeveritare, por të gjithë neve. Të mos harrojmë që çdo problem humanitar/dramë njerëzore, ku nuk kontribuojmë për zgjidhjen, s’na bën vetëm të pavetëdijshëm dhe të pavirtytshëm. Çdo dramë e pazgjidhur mund të nënkuptojë një çmim edhe më të lartë për njerëzimin!/ trt

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne