Koment – Të heqësh dorë nga sistemi presidencial para se ta testosh?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Turqia mban më datë 24 qershor 2018 zgjedhjet e 32-ta parlamentare dhe njëkohësisht të parat në historinë e saj për sistemin presidencial. Ndërkohë që Aleanca Popullore (Cumhur İttifakı), me në krye Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet, rendit premtimet mbi zgjidhjet që mund t’u gjejë problemeve ekzistuese me sistemin e qeverisë presidenciale, miratuar me referendumin e 16 prillit 2017; një nga premtimet më të rëndësishme të forcave politike në opozitë të Aleancës Kombëtare (Millet İttifakı) është rikthimi i parlamentarizmit. Pas zgjedhjeve, nëse këto parti fitojnë, po negociojnë për një kthim të shpejtë në regjimin parlamentar brenda një kalendari të strukturuar.

Pavarësisht se sa fuqishëm kundërshtohet nga partitë opozitare, sistemi presidencial apo sistemi i qeverisë presidenciale, siç njihet në Turqi, është miratuar me referendum popullor. Sistemi i ri do të sendërtohet plotësisht më 24 qershor. Refuzimi kategorikisht i qeverisë presidenciale nga opozita, ende pa e testuar kurrë atë dhe pa e parë nëse sistemi i ri do të jetë ose jo në gjendje të prodhojë zgjidhje për problemet që po ballafaqohet kombi turk, nuk është aspak afër mendjes. Aq më pak në rast se regjimi që kërkohet të rikthehet, është një sistem që në Turqi aplikohet prej gati 140 vitesh duke prodhuar vazhdimisht probleme të sofistikuara.

Sigurisht që ka edhe mjaft shtete ku parlamentarizmi gjen një zbatim të mirë. Mirëpo kur shikohet nga dritarja historike e Turqisë, regjimi parlamentar ka prodhuar kriza të rënda, e ka shtyrë vendin në një gjendje të pamundur për t’u qeverisur, u ka hapur rrugë vazhdimisht forcave të brendshme dhe të jashtme të tutelës dhe këto janë ende shumë të freskëta në memorie.

Dihen fare mirë problemet e shkaktuara nga tutela ushtarako-gjyqësore, e cila u institucionalizua nga Kushtetuta e vitit 1961 dhe nuk u mbikëqyr në asnjë mënyrë nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Kumbojnë ende rënkimet e shembujve të dhimbshëm që kemi përjetuar, si kryeministra dhe ministra të ekzekutuar me varje, politikanë të kërcënuar me jetë apo presidentë të zgjedhur duke mbajtur Parlamentin nën rrethim.

Gjithashtu nuk janë harruar si sistemi zgjedhor ashtu edhe krizat e sistemit politik, koalicionet apo qeveritë afatshkurtra, të cilat qenë bërë kronike me ndërhyrjen e vazhdueshme të forcave të tutelës, duke e tërhequr zvarrë vendin në humnerë.

Sheshit janë gjithashtu skoriet e burokracisë gjyqësore të instaluar me Kushtetutën e 1961-shit, në mekanizmin e së cilës s’mund të kishin influencë kurrsesi përfaqësuesit e kombit. Burokracia gjyqësore e nivelit të lartë, e cila funksiononte si një instrument ligjësimi për grushtet e shtetit dhe ndërhyrjet ushtarake, me sistemin e një qarku të mbyllur që u pati kthyer shpinën jetës dhe botës së jashtme, gati-gati i qe bërë ledh zhvillimit, demokratizimit, liberalizimit normal dhe lirive të mëtejshme të vendit.

Burokracia jonë, gjithashtu statukuoiste nga struktura dhe natyra, qe bërë përherë e më pak nismëtare si pasojë e pushteteve dhe koalicioneve politike që ndryshonin mjaft shpesh. E sa racionale dhe e arsyeshme mund të jetë për një burokrat që të marrë iniciativë duke qenë i shqetësuar mbi gjasat që të ndryshohet brenda një kohe të shkurtër, i pasigurt nëse do të vazhdojë apo jo të punojë me të pushteti i ri që do të vijë dhe i trembur se do t’i kërkohet llogari për çfarë ka bërë?

Ende plotësisht s’janë zhdukur as efektet e lojërave me ekuilibrat e sistemit, që elementët e tutelës së jashtme dhe aktorët globalë bënin me anë të faktorëve të tutelës së brendshme, përmes ndërhyrjeve ekonomike ose duke përshkallëzuar terrorin, në rast se Turqia nuk vepronte sipas kërkesave, interesave, aspiratave apo qëllimeve të tyre.

Megjithatë vitet në pushtetin e AK Partisë duket se kanë bërë që të harrohen gjithë ato vështirësi dhe probleme sistematike. Por të mos mashtrohemi nga këto 4 legjislatura dhe 16 vite që AK Partia qeveris e vetme Turqinë prej 2002-shit. Sepse nuk bëhet fjalë për një situatë të krijuar nga sistemi, por për një përjashtim.

Dy problemet themelore të shoqërive joperëndimore, përfshi këtu edhe botën islame, janë reflektimi i pamjaftueshëm i preferencave apo zgjedhjeve të kombit në politikë dhe paaftësia apo pamundësia për të siguruar një ndryshim demokratik pasi vihet në pushtet.

Për t’u zgjedhur president me sistemin e qeverisë presidenciale, miratuar me votë plebishitare vitin e kaluar në Turqi, një prej kandidatëve duhet të fitojë të paktën 1 më shumë se gjysma e votave (50%+1), pra, tashmë nevojitet mbështetja e drejtpërdrejtë e popullit. Disa përkrahës të sistemit presidencial, të cilët kanë vërejtur vështirësinë e situatës së re, po shprehin edhe shqetësime në formën: “Vallë a bëmë gjënë e duhur?!” Mendojnë kështu, sepse më parë mund të vinin në pushtet vetëm me votat e tabanit të tyre, pa iu dashur të tjerët.

Kjo është një pikëpamje që në mënyrë të nënkuptuar bazohet në atë se Recep Tayyip Erdogani do të jetë gjithmonë në pushtet. Regjimi parlamentar mund të mos prodhojë probleme në periudha kur ka liderë shumë të fortë si Tayyip Erdogani. Por nëse i hedhim një vështrim historisë sonë politike, fitimi i zgjedhjeve vazhdimisht nga e njëjta apo nga një forcë politike është një situatë e jashtëzakonshme, është përjashtim, është suksesi personal i Tayyip Erdoganit; prandaj duhet menduar për pas Erdoganit.

Nga aspekti i partisë në pushtet, regjimi parlamentar, ku mjaftojnë votat e tabanit të saj për të fituar zgjedhjet pa vështirësi dhe s’ka një kufi kohor për t’u zgjedhur, mund të duket si një sistem më komod. Kurse nga këndvështrimi i arritjes së stabilitetit më të qëndrueshëm, pasqyrimit më tepër në pushtetin politik të preferencave të kombit dhe jo të tutelës, të qeverisjes më lehtësisht të Turqisë si një shtet i pozicionuar në një hapësirë gjeografike shumë të vështirë, por edhe për të bërë një ndryshim e transformim demokratik më të rehatshëm brenda sistemit, ndërrimi i regjimit politik ishte një domosdoshmëri për Turqinë.

AK Partia ka bërë gjënë e duhur, por të vështirën për veten e saj në këtë kontekst. Me ndryshimet e miratuara në prill të 2017-s, tashmë zot i politikës në Turqi është populli, kombi. Kështu janë dobësuar në maksimum gjasat dhe mundësitë e ndërhyrjeve në sistem nga forcat e brendshme dhe të jashtme të tutelës, të cilat nuk marrin pëlqim, autorizim apo kompetencë nga kombi. Janë zgjidhur në masë të madhe problemet strukturore, që shkaktohen nga regjimi politik. Ato që do të hasim këtej e tutje, nuk mund të jenë probleme të shkaktuara nga sistemi, por probleme të implementimit.

Rrjedhimisht, nga opozita pritet që të paralajmërojë dhe prodhojë zgjidhje për problemet e mundshme të implementimit, jo të përpiqet që të rikthejë sistemin jofunksional të së kaluarës ende pa u sendërtuar dhe testuar plotësisht sistemi i ri.

Edhe pse opozita s’është ende e vetëdijshme për këtë, regjimi i ri politik është duke sjellë ndryshime edhe tek ajo vetë, të paktën në aspektin e diskursit. Ndryshimi i regjimit politik është një nga arsyet kryesore pse partitë që përçmojnë popullin, imponojnë një mënyrë jetese për të dhe merren vazhdimisht me veshjet e qytetarëve, bëjnë sot më shumë premtime pozitive. Kurse në artikullin e radhës do të analizojmë impaktin e menjëhershëm të deritanishëm të ndërrimit të regjimit politik në procesin zgjedhor./ trt

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne