Autor: Erdal Simsek – Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Ne kemi disa vite që themi me këmbëngulje se DAESH-i është një organizatë terroriste pa taban në rajon. Megjithatë shumica e kolegëve dhe miqve tanë, sidomos ata në median perëndimore, nuk donin t’i besonin. Madje kishte edhe nga ata që e shprehnin haptazi se nuk u besonin konstatimeve tona.

Njohjet dhe raportet tona me këta homologë janë shumë të veçanta e të vjetra. Miqësia jonë nuk buron nga njohjet përmes medias sociale apo pauzat e ndonjë takimi ndërkombëtar të gazetarëve. Prezantimet dhe miqësitë tona vijnë të gjitha nga frontet e luftërave ose konflikteve të armatosura. Këta janë shokë e miq, me të cilët kemi ndarë fatin që nga lufta civile pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë e deri në konfliktet e shumta në Afrikë, veçanërisht në Ruandë, por edhe në Lindjen e Mesme. E kam fjalën për miq të atillë, me të cilët kemi jetuar bashkë ndonjëherë për javë të tëra nën strehën e ndonjë ndërtese të rrënuar duke ndarë kafshitën e gojës. Miqtë tanë, që kemi mbajtur dhe na kanë mbajtur në shpinë për orë apo ditë të tëra kur jemi plagosur, e kanë pritur gjithnjë me dyshim këtë realitet.

Kurse ata, që kishin arritur të shikonin realitetin e DAESH-it, nuk ia dolën dot që ta publikonin këtë në organet mediatike në të cilat punonin.

Mjaft të njohura ishin sidomos “luftërat e autoblindave” të organizatës terroriste DAESH. Përleshjet e kësaj organizate me armë të rënda dhe automjete luftarake të blinduara sikur ngjanin me taktikat dhe metodat e disa vendeve aleate të NATO-s. Përgjigjen e këtyre pyetjeve, të cilat na brenin mendjen prej një kohe të gjatë, e gjetëm në garën presidenciale të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kandidati presidencial republikan, Donald Trump, shkroi në “Twitter” se “DAESH-in e ka themeluar Barack Obama”, një postim të cilin e fshiu më pas.

Të inkurajuar disi nga ky pohim i tashmë Presidentit Trump, kolegët tanë perëndimorë filluan të vënë në pyetje raportet e organizatës terroriste me Perëndimin.

Dhe tani le t’u hedhim një vështrim të përgjithshëm statistikave të operacioneve ushtarake, të cilat janë realizuar deri më sot kundër DAESH-it nga forcat e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja.

Fluturimet e kryera ndaj DAESH-it nga vendet e koalicionit: 28.181

Ditët e operacionit: 1.185

Numri i luftëtarëve terroristë të DAESH-it të neutralizuar nga forcat e koalicionit: 5.000

Raketat dhe bombat e lëshuara kundër DAESH-it: 102.082

Në fakt, shifrat e mësipërme tregojnë shumë qartë lojën e bërë në këtë rajon. Duke qenë se numri i ushtarëve, që janë përdorur nga koalicioni dhe SHBA-ja në luftën kundër DAESH-it, është i ndryshueshëm, në këtë kontekst e kemi të pamundur të japim një shifër ekzakte. Por sikur të themi se rreth 100.000 trupa të armatosura ka vetëm organizata terroriste PYD, partnere e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, besoj se kjo do të mjaftonte për të dhënë një ide të përgjithshme rreth situatës ushtarake.

Pak ditë më parë, Korporata Britanike e Transmetimeve (BBC) publikoi një sërë dokumentesh dhe pamjesh, që shpalosin partneritetin e DAESH-it me SHBA-në. Në kushte normale, kjo ngjarje duhet të bënte kiametin në botën perëndimore. Por askush nuk e ngriti zërin. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ku qindra njerëz kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të DAESH-it, preferuan heshtjen.

Nga ana tjetër, shteti i Republikës së Turqisë i dha këtij grupi terrorist një goditje të rëndë me një mobilizim ushtarak vetëm sa 1% e tablosë së operacioneve të lartpërmendura. Dhe, në më pak se 2 muaj kohë, me rreth 500 trupa, ushtria turke arriti të pastrojë të gjithë kufijtë e saj nga DAESH-i duke i dhënë kësaj organizate një grusht të fortë.

Sipas shifrave zyrtare, gjatë këtij operacioni, gati 500 ushtarë turq asgjësuan të paktën 7.000 terroristë të DAESH-it. Vlen të kujtojmë se ushtarët turq nuk morën mbështetje ajrore në ofensivën e tyre kundër DAESH-it. E ndërkohë që ushtria turke, vetëm me një operacion tokësor, i ka dhënë në 2 muaj kohë një goditje kaq të rëndë grupit terrorist DAESH; nuk është thjesht e çuditshme që forcat e koalicionit ndërkombëtar kundër DAESH-it s’kanë arritur kurrfarë suksesi, pavarësisht se në 4 vite luftë me organizatën në fjalë kanë bërë dhjetëra-mijëra sulme ajrore duke lëshuar mbi 100.000 bomba e raketa dhe kanë përdorur me rotacion në terren qindra-mijëra ushtarë e madje terroristë gjithashtu.

Lufta dhe raportet e SHBA-së me këtë organizatë terroriste tashmë s’janë më një çështje për t’u vënë në pyetje vetëm nga ne, gazetarët.

Turqia, Rusia, Britania e Madhe, Irani dhe Siria duhet të aplikojnë në lidhje me këtë çështje pranë sistemit gjyqësor ndërkombëtar përmes një kërkese të përbashkët. Sepse tashmë është zbuluar lidhja e një shteti me një grup terrorist, që ka gjakosur tërë botën duke vrarë qindra-mijëra civilë, fëmijë, gra dhe të moshuar të pafajshëm. Gjykimi rreth këtij dyshimi apo realiteti duhet të çohet në nivelin e së drejtës ndërkombëtare. Për sa kohë që kjo nuk bëhet, besimi i njerëzve për rendin botëror aktual do të tronditet edhe një tjetër herë.

Viteve të kaluara, e gjithë bota pati përqafuar shpifjet e organizatës terroriste gyleniste (FETO), një grup terrorist shumë i rrezikshëm me përmasa ndërkombëtare, i cili akuzonte Turqinë për mbështetje të terrorizmit. Madje dhe ndihmat e shtetit turk për civilët e pafajshëm dhe kryengritësit e ligjshëm i pati treguar si “ndihma për DAESH-in”, ndërsa bota perëndimore iu pat ngjitur kësaj shpifjeje si të ishte kamerdare në mes të oqeanit të stuhishëm.

Për më tepër, bota perëndimore u hapi deri në fund portat e saj shpifësve, që bëjnë krime flagrante duke shkelur ligjet e shtetit turk. Disa vende perëndimore i pritën këta shpifës të paturpshëm në nivel presidencial duke i pajisur ata menjëherë me pasaporta diplomatike.

Ndonëse bota perëndimore e ka paguar koston e këtij teatri me qindra jetë të pafajshme, me një fjalë të vetme dhe për të thënë pak, është “e turpshme” në emër të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të drejtës universale që bota perëndimore, e cila pati përqafuar fare pa u ndrojtur një shpifje kundër Turqisë, të mos nxjerrë nga goja qoftë edhe një fjalë të vetme në lidhje me teatrin DAESH-SHBA, që u zbulua së fundmi nga kolegët tanë britanikë.

A është kaq e vështirë të tregosh të vërtetën dhe t’i thuash partnerit të terroristit “ti je terrorist”? Apo ndokush s’dëshiron që ky teatër të marrë fund?/ trt

34