Koment – Terrorizmi, shteti dhe ligji

Autor: Erdal Simsek *

Nga antikiteti i Platonit e deri në të sotmen moderne, koncepti “shtet” përkufizohet shkurtimisht me këto fjalë: “Shtet quhet personi juridik i formuar nga një komb apo bashkësi kombesh politikisht të organizuara në varësi të integritetit territorial.”

Parë në aspektin politik, organizimi bëhet në kuadër të normave dhe rregullave të caktuara, të cilat, me kalimin e kohës, u reformuan nën emrin e ligjeve dhe drejtësisë.

Gjeneza e transformimit të ligjeve në drejtësi për Perëndimorët korrespondon me nënshkrimin e Kartës së Madhe të Lirive (Magna Carta) në vitin 1215, kurse për shoqëritë myslimane rezulton Karta e Medinës, njohur më gjerësisht edhe si Pakti i Medinës apo Kushtetuta e Medinës.

Karta e Medinës është formuluar nga vetë profeti i islamit (s.a.v.s.) në vitin 623, pas Hixhretit (emigrim) të bërë nga Meka në Medinë (asokohe Jethrib) bashkë me besimtarët e tjerë për t’i shpëtuar represionit dhe dhunës së idhujtarëve të Mekës. Ajo është marrëveshja më gjithëpërfshirëse e të drejtave të njeriut deri në atë kohë duke përfshirë Profetin Muhamed (s.a.v.s.) dhe myslimanët, hebrenjtë e paganët.

Edhe pse kryesisht formohet nga dispozita, të cilat synojnë t’u japin fund konflikteve/luftimeve ndërmjet dy klaneve rivale (Avs dhe Hazrexh), ideja thelbësore e Kartës së Medinës është të garantojë të drejtat dhe liritë e njerëzve si individ dhe komunitet. Ky pakt konsiderohet kushtetuta e parë në islam që rregullon të drejtat, obligimet dhe raportet qytetare mes myslimanëve e jomyslimanëve dhe historikisht merret në konsideratë nga studiuesit e ligjeve pozitive për të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, të drejtat e emigrantëve, etj. E parë në aspektin e bashkimit të klaneve të ndara nën strehën e konceptit “umet” (shtet) dhe shpërndarjes së përgjegjësive të tyre individuale veçmas për njëri-tjetrin, Karta e Medinës është edhe deklarata e parë më e detajuar e lirive në trashëgiminë e njerëzimit.

Pakti i Medinës është gjithashtu një dokument i jashtëzakonshëm historik, politik dhe ligjor, i cili vlen të merret në konsideratë po ashtu meqenëse propozon ndërgjegjen e umetit (shtetërore), solidarizimin shoqëror, unitetin politik, mbrojtjen e përbashkët dhe një strukturë konfederative.

Nuk duhet të harrojmë se kjo marrëveshje kushtetuese është hartuar në një kohë kur as që bëhej fjalë për të drejtat e qytetarëve në dy perandoritë e asaj kohe, Bizanti dhe Persia, e jo më për të drejtat e klaneve/fiseve në Gadishullin Arabik. Nëse sjellim ndërmend orvatjet e Platonit dhe Aristotelit për të hartuar një teori politike për shoqërinë greke, kuptojmë dallimet madhore mes Kartës së Medinës dhe teorive të filozofëve politikë, të cilat u hartuan nga Platoni (te libri Republika) dhe Aristoteli në librin e tij mbi politikën.

Që në ditët e tij të para, islami i udhëzoi njerëzit tek origjina e tyre e përbashkët, me besimin se diversiteti është një domosdoshmëri që u mundëson njerëzve të njihen dhe të integrohen.

Në Lindje dhe në Perëndim, përpjekja e njeriut për të jetuar është në të vërtetë lufta për një utopi botërore plotësisht të drejtë pavarësisht të gjithë sundimtarëve, diktatorëve dhe regjimeve mizore. Zhvillimi i pushtetit shtetëror me përhapjen e vetëdijes kombëtare mundësoi formimin e institucionit të “legjislacionit ndërkombëtar” duke i dhënë vlerë universale konceptit të drejtësisë. Dhe në çdo periudhë, gati të gjitha shtetet, janë angazhuar që t’u përmbahen normave të së drejtës ndërkombëtare nga të cilat varen.

Efektet shkatërruese të Luftës I dhe II Botërore i detyruan njerëzit që të mblidhen rreth një institucioni universal dhe një rendi të ri ligjor. Si pasojë e mungesës së legjislacionit ndërkombëtar dhe institucionit mbrojtës së këtij legjislacionit, njerëzimi pësoi dhjetëra-miliona të vrarë dhe mbi 100 milionë të plagosur në dy luftërat e mëdha. Dhe kjo domosdoshmëri çoi në themelimin e një organizate ndërkombëtare të quajtur Kombet e Bashkuara, në San-Francisko të SHBA-së, më datë 25 tetor 1945. Të shtytura nga pasojat shkatërrimtare të këtyre dy luftërave, pothuajse të gjitha vendet iu bashkuan menjëherë organizatës në fjalë, themeluar për të mbrojtur paqen e sigurinë botërore dhe për të ndërtuar një bashkëpunim ekonomik, social dhe kulturor në shkallë ndërkombëtare.

Organizata e Kombeve të Bashkuara dha kontribut serioz dhe shumë të rëndësishëm për njerëzimin veçanërisht gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Mirëpo që nga vitet 1960 e këtej, OKB-ja s’është më në gjendje të mbrojë as të drejtën ndërkombëtare të shteteve, për mos të përmendur fare atë të individëve. Të gjitha institucionet ndërkombëtare të themeluara pas Luftës II Botërore, me në krye Konferencën e Jaltës dhe zgjatimet e saj, janë sot më tepër barrë për njerëzimin, sesa kontribut apo dobi. Në veçanti, shtetet e fuqishme i përdorin këto institucione si shkop kundër vendeve të vogla apo të pafuqishme.

Pushtimi i Irakut nga SHBA-ja, me pretekstin se ky vend posedonte armë bërthamore apo të shkatërrimit në masë, është shembulli më konkret për sa më sipër. Ky pushtim shkaktoi vdekjen e mbi 1 milion njerëzve dhe rrëzoi të paktën 10 milionë të tjerë në statusin e refugjatit. Dhe më në fund Uashingtoni pohoi se në Irak nuk kishte armë bërthamore. Mirëpo, sot, asnjë institucion ndërkombëtar përkatës nuk guxon që të gjykojë SHBA-në në lidhje me këtë çështje.

Në çerekshekullin e fundit, të gjithë presidentët amerikanë kanë filluar luftëra apo konflikte, të cilat janë bërë shkak për vdekjen e miliona njerëzve në vende si Afganistani, Iraku, Siria, Palestina…

Por asnjë president amerikan nuk është marrë në pyetje apo gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Shteti i Izraelit po ashtu s’njeh që prej viteve 1960 asnjë rezolutë të Kombeve të Bashkuara. Nga dita e themelimit të tij e deri më sot, Izraeli ka pushtuar vazhdimisht me luftë territoret e vendeve fqinje, ndërsa tani po okupon edhe atë një pëllëmbë tokë që i ka mbetur Palestinës.

Ndërkohë që dispozitat e së drejtës ndërkombëtare në lidhje me të gjitha konfliktet janë të përcaktuara mirë. Pra, ligjet janë qarta dhe në të drejtën ndërkombëtare ka një parim: Territoret nuk merren me luftë. Por Izraeli vazhdon të pushtojë me luftë territoret e shteteve fqinje që prej themelimit të tij. Për shembull, në vitin 1967 pushtoi me forcën e armëve Lartësitë e Golanit. Sipas të drejtës ndërkombëtare, këto territore duhet t’i dorëzonte menjëherë. Por, si rezultat i mbështetjes jozyrtare të shumë vendeve perëndimore dhe përkrahjes së hapur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraeli nuk tërhiqet prej tashmë 50 vitesh nga territoret e pushtuara dhe me rrugë ligjore as që ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

Në kuadër të normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, Izraeli duhet të ulet në tavolinën e bisedimeve edhe me Palestinën, shtet me të cilin është në konflikt dhe madje e ka pushtuar thuajse të gjithin. Por, në vend që negociojë, Izraeli mohon jo vetëm Palestinën si shtet, por edhe palestinezët si komb. Dhe këtë mohim e bën pa u ndrojtur aspak në foltoren e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në platforma të ndryshme ndërkombëtare.

Izraeli nuk heq dorë në asnjë mënyrë nga adoptimi i “terrorizmit shtetëror” – siç e quan Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan – në politikë zyrtare të vendit.

Sot për sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qendrat e pushtetit janë duke shkatërruar rendin juridik ndërkombëtar që ato vetë kanë ndërtuar.

Ç’është më e frikshmja, kur qendrat e pushtetit, të cilat kanë më tepër interes nga rrokullisja e botës në kaos, të zhvillojnë politika në këtë drejtim; atëherë, me shumë gjasa, as shtetet si Izraeli dhe SHBA-ja – që kanë bërë markë të tyren shtypjen, represionin dhe politikat e shtetit hajdut – nuk do të gjejnë dot në këmbë një rend funksional të pushtetshëm për të dëgjuar klithmat e tyre për “drejtësi” dhe “të drejta universale”, si dhe për të vepruar në këtë fushë.

*Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne