Koment – Vorbulla e terrorizmit

Autor: Erdal Simsek

Terrorizmi, për fat të keq, është një murtajë e vjetër po aq sa dhe vetë historia e njerëzimit. Duke filluar që nga vëllavrasja e parë ndërmjet djemve të Profetit Adem, kur Kabili i mori jetën vëllait të tij Habilit, terrorizmi ka mbërritur deri në ditët e sotme me gjithë vrazhdësinë dhe mizorinë e tij.

I moçëm sa edhe njeriu i parë mbi Tokë, terrorizmi – mjerisht – ia ka dalë hera-herës të marrë peng jetën humane.

Njerëzit kundërshtojnë fuqishëm që prej viteve 1960 rendin botëror, që u themelua me Marrëveshjen e Jaltës (Konferencës së Jaltës, Krime – 1945). Vorbulla e dhunës me revoltën e famshme studentore të 1968-s, e cila mori nën ndikim Evropën në veçanti dhe botën perëndimore në përgjithësi, është gati të dominojë sërish të gjithë botën.

Pikërisht ky terrorizëm, i cili kërkohet të izolohet sidomos në hapësirën gjeografike islame, por edhe në Afrikë e Amerikën Latine, sot është transformuar në një kërcënim real madje dhe për qendrat e fuqive globale.

Ai është përpjekur vazhdimisht të dominojë vendet aziatike, evropiane, amerikanojugore dhe islame duke marrë jetë bile, bile në nivel kryeministror. Vrasjet e Kryeministrit të Republikës Demokratike të Kongos, Patrik Lumumba, Kryeministrit të Kilit, Salvador Allende, Kryeministrit të Italisë, Aldo Moro dhe Kryeministrit të Libanit, Rafik Hariri, janë vetëm disa nga shembujt më të bujshëm për sa më sipër.

Së fundmi, organizata terroriste gyleniste (FETO), një nga grupet terroriste më të sofistikuara të kohëve të fundit dhe me udhëheqës një pseudoklerik me banim në qytetin Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tentoi më datë 15 korrik 2016 që t’i marrë jetën Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Natën e 15 korrikut të kaluar, një klikë oficerësh terroristë gylenistë brenda ushtrisë turke bënë përpjekje me gjuajtës F-16, me helikopterë luftarakë dhe tanke që të rrëmbejnë dhe vrasin Presidentin Erdogan, që është zgjedhur me votat e shumicës së popullit turk. Ndërsa qytetarët e Republikës së Turqisë u bënë mburojë njerëzore për liderin e tyre duke dhënë qindra dëshmorë dhe mijëra të plagosur. Ata nuk ua dorëzuan liderin e tyre terroristëve të maskuar me uniforma gjeneralësh e oficerësh duke rrezikuar dhe falur jetën.

Teksa shteti turk përballej me një sulm terrorist kaq të çmendur, aleatët e tij të Klubit Perëndimor – fatkeqësisht – qëndruan të heshtur për një kohë të gjatë; natyrisht, me përjashtim të Britanisë së Madhe. Pas Kryetarit të Shtetit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, Anglia ishte e vetmja aleate e Turqisë që reagoi menjëherë kundër masakrës dhe tentativës për grusht shteti të terroristëve të FETO-s me uniformë ushtarake.

Interesant është fakti që atë natë, kur masakronin popullin turk me avionë luftarakë, tanke dhe artileri të rëndë, terroristët anëtarë të FETO-s përshëndeteshin me lavde nga ish-gjenerali Mike Flynn, që më pas do të bëhej pjesë e ekipit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, si këshilltar për sigurinë kombëtare.

Me deklaratën e bërë nga administrata amerikane e ish-presidentit Barack Obama, që ato ditë ishte ende në krye të Shtëpisë së Bardhë, gati sa nuk shfaqej habia sesi kishte mundësi që populli turk t’i mposhtte këta terroristë. Kurse NATO-ja reagoi vetëm pas disa ditësh gati me pahir dhe me zë të ngjirur ndaj këtij sulmi terrorist në Turqi, një nga aleatet më besnike dhe më të fuqishme të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior.

Lideri turk, Erdogan, bënte haptazi rezistencë kundër terrorizmit dhe ftonte në këtë qëndresë liderët e të gjithë botës që shumë vite përpara se anëtarët e organizatës terroriste gyleniste të tentonin për ta vrarë. Por shumë vende të fuqishme, me në krye Klubin Perëndimor, ku bën pjesë edhe vetë Turqia, bënin sikur nuk i dëgjonin këto apele. Masakrues të mijëra gjeneralëve, oficerëve, ushtarëve, policëve dhe civilëve në Turqi – si për çudi – terroristët po strehoheshin pikërisht në vendet perëndimore aleate të Turqisë. Këta terroristë me duar të përlyera me gjakun e civilëve, ushtarëve dhe policëve turq, bëjnë ende sot e kësaj dite një jetë të qetë dhe komode në çdo vend aleat të Turqisë në NATO.

Në të gjitha kryeqytetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, me në krye Berlinin, jetojnë terroristë me duar të përgjakura, që kanë vrarë njerëz të pafajshëm në Turqi. Madje disa shtete anëtare të BE-së nuk mjaftohen vetëm me kaq, por shkelin çdolloj kufiri etik duke pajisur me pasaporta diplomatike jo pak terroristë, që janë përfshirë në aktivitete terroriste dhe kanë shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve në Turqi ose i kanë vrarë me duart e tyre.

Edhe pse Presidenti Erdogan i ka paralajmëruar me ngulm se kjo vorbull e terrorizmit, në të cilën ka hyrë Bashkimi Evropian, një ditë do të pushtojë e marrë me vete edhe vetë atë, asnjë lider evropian nuk i kushtoi rëndësi. Kjo vorbull terrorizmi, e cila ra në veshët shurdhë të elitës politike evropiane, fatkeqësisht, ka rrëmbyer tashmë edhe popujt e vendeve anëtare të Unionit.

Dje, viktima të kësaj vorbulle u bënë Parisi, Berlini, Brukseli dhe Londra; ndërkohë që të gjithë presin me ankth të madh se cili kryeqytet do të goditet nesër nga terrorizmi. Kjo pritje e ankthshme errëson arsyen e masave dhe i pengon ato që të sillen e veprojnë në mënyrë racionale. Shembulli më i freskët dhe konkret për këtë ishte ai i mbrëmjes së 3 qershorit në qytetin Torino të Italisë; ku mijëra tifozë të futbollit, që po ndiqnin nëpërmjet ekraneve gjigante finalen Juventus-Real Madrid të Ligës së Kampioneve, u pushtuan nga paniku dhe u larguan të përhumbur si pasojë e një alarmi të rremë për bombë duke shkaktuar mbi 1.500 të plagosur, 8 në gjendje shumë të rëndë, mes të cilëve edhe një fëmijë 7-vjeçar.

Në vend që të distancohet vetë nga terrorizmi, Evropa vazhdon të akuzojë dhe fajësojë të tjerët pavarësisht se ka regjistruar kaq shumë viktima në sulmet terroriste.

Për shembull; si do të reagonin vallë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse shefi i një organizate terroriste, e cila ka vrarë 350 amerikanë, do të jetonte në një vend të Azisë, Afrikës apo Amerikës Latine? Mirëpo terroristi, që është autor i të njëjtës vepre penale, sot jeton në SHBA.

Ose çfarë do të bëhej në rast se një kriminel do të vriste biznesmenin më të madh të Belgjikës për qëllime terroriste dhe pastaj do të arratisej në një shtet afrikan? A nuk do të pushtohej urgjentisht ky shtet nga fuqitë perëndimore? Por terroristja, që ka vrarë afaristin më të madh të Turqisë, jeton prej 20 vitesh në Belgjikë.

A nuk zbarkuan në Afganistan forcat e ISAF-it, nën drejtimin e SHBA-së, vetëm sepse Kabuli refuzoi t’i dorëzonte Uashingtonit Osama bin Ladenin?

E pra, duhet patjetër të ketë një shpjegim përse jetojnë sot në Berlin terroristët, që kanë masakruar mijëra civilë, të moshuar, fëmijë dhe gra në Turqi!

Kësaj murtaje të rrezikshme mund t’i bëjmë ballë vetëm kur të heqim dorë nga mendësia e sëmurë se “terroristi im është i mirë dhe terroristi yt është i keq”. Përkundrazi, e gjithë bota do të vazhdojë edhe për shumë kohë të vuajë dhimbjet e vdekjes së zezë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne