Koment – Zgjedhjet 2018: Po stabilitetit dhe sistemit presidencial!

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Turqia sapo la pas zgjedhjet e 32-ta parlamentare (që nga Reforma e Tanzimatit) dhe të parat në historinë e saj për presidentin me pushtet ekzekutiv. Sipas rezultateve jopërfundimtare të votimeve, të shpallura sërish në kohë rekord, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe Presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u zgjodh presidenti i parë i sistemit të qeverisë presidenciale me 52,5% të votave duke shmangur një raund të dytë. Ai u pasua nga kandidati i Partisë Popullore Republikane (CHP), Muharrem Ince, me 30,6% të votave. Ndërsa AK Partia humbi shumicën absolute në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë për herë të parë që nga viti 2002 e këtej (me përjashtim të zgjedhjeve të përsëritura të qershorit 2015).

Përshtypjet e para në lidhje me zgjedhjet e 24 qershorit, të cilat u mbajtën në një atmosferë plotësisht transparente, të drejtë, konkurruese, demokratike dhe festive, mund të përmblidhen si më poshtë:

Pjesëmarrje rekord – Në zgjedhje morën pjesë 87,5% e rreth 60 milionë votuesve të regjistruar. Ky nivel mund të konsiderohet si një pjesëmarrje rekord për Turqinë dhe veçanërisht për të gjitha vendet e tjera në botë, ku zhvillohen zgjedhje të drejta, transparente dhe demokratike. Një nivel pjesëmarrjeje kaq i lartë është shprehje e qartë e rrënjosjes së thellë të marshimit demokratik turk që filloi në vitin 1876. Teksa, siç thuhet në median sociale, “në vendet perëndimore ka kuti votimi, por s’ka mjaftueshëm zgjedhjes dhe në vendet lindore ka elektorat, por nuk ka kuti votimi”, prania në Turqi e kutive të votimit dhe e zgjedhësve njëkohësisht është mjaft shpresëdhënëse për ardhmërinë e demokracisë sonë.

Vazhdim i stabilitetit politik – AK Partia siguroi fitoren e 5-të radhazi në zgjedhje që nga viti 2002 e deri më sot. Një sukses i tillë është i pashembullt në historinë politike turke. Por edhe në vendet me konkurrencë demokratike janë shumë të rralla 5 fitore të njëpasnjëshme në zgjedhje. Kur mendohet edhe konsumimi apo lodhja e jashtëzakonshme e shkaktuar nga pushteti, triumfi i radhës i AK Partisë në zgjedhje tregon përgjithësisht një kënaqësi të zgjedhësve për qeverisjen nga kjo parti dhe mbështetjen e tyre për vazhdimin e stabilitetit politik. Kritikat, frika, pasiguritë dhe diskursi populist që u trumbetuan me të madhe nga opozita, nuk gjetën terren të mjaftueshëm tek zgjedhësit.

Edhe një tjetër herë “po” sistemit presidencial – Partitë opozitare dhe Koalicioni Kombëtar nën të cilin u bashkuan, premtuan qartazi përpara zgjedhjeve se do t’i riktheheshin parlamentarizmit në rast se fitonin. Rrjedhimisht, këto zgjedhje mund të konsiderohen edhe si rivotim i sistemit presidencial të miratuar në vitin 2017. Në referendumin e mëparshëm, sistemi presidencial qe pranuar me 51,4% të votave. Fitorja këtë herë e Presidentit Erdogan me 52,5% të votave duke rritur edhe nivelin e mbështetjes për të në krahasim me 1 vit më parë, mund të komentohet si një rimiratim i sistemit të qeverisë presidenciale nga elektorati turk.

Përçueshmëri ndërpartiake – Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë qartë se gati-gati ndërmjet të gjitha forcave politike ka përçueshmëri në një shkallë të caktuar. Këtu spikasin që në shikim të parë zhvendosjet e votave nga AK Partia tek Lëvizja Nacionaliste (MHP) dhe nga CHP-ja tek Partia e Mirë (IP) apo Partia Demokratike e Popujve (HDP). Presidenti Erdogan deklaroi gjatë fjalimit tradicional nga ballkoni i selisë së AK Partisë se janë të vetëdijshëm për rënien e votave të forcës politike të tij dhe se do të bëjnë ç’të nevojitet. Kurse niveli më i lartë i votave të Erdoganit dhe Incesë sesa partitë që ata përfaqësojnë, vë në pah se të dy këta liderë kanë marrë vota edhe nga forcat e tjera politike. Në këtë kontekst, vlen të përmendet se Erdogani ka marrë një përqindje të caktuar votash edhe nga kurdët. Ndryshimi i preferencave partiake të elektoratit është në thelb një situatë e shëndetshme në aspektin e demokracisë që funksionon. Përçueshmëria ndërpartiake do t’i detyrojë forcat politike që t’i marrin parasysh më tepër preferencat e zgjedhësve.

Shkallë e lartë përfaqësimi në Kuvend – Për shkak të sistemit të pragut zgjedhor prej 10%, vullneti i një pjese të elektoratit në Turqi s’pasqyrohej në Parlament. Me anë të sistemit të koalicionit, ligjësuar në zgjedhjet e fundit, 8 forca politike janë tashmë të përfaqësuara në Kuvend me kandidatët e tyre direkt ose me ata të paraqitur nëpërmjet koalicioneve, si rrallëherë në historinë politike turke. Forcat politike në fjalë janë AK Partia, CHP-ja, MHP-ja, HDP-ja, IP-ja, Partia e Bashkimit të Madh (BBP), Partia e Lumturisë (SP) dhe Partia Demokrate (DP). Në historinë e sistemit shumëpartiak turk, e cila ka nisur pas vitit 1950, vetëm në zgjedhjet e 1969-s patën arritur të hyjnë në Kuvend 8 parti.

Efekti pajtues i sistemit të ri – Javën e kaluar përmenda edhe efektin pajtues të sistemit të ri në Turqi, një faktor ky që lë pas një regjim të vjetër e të konsumuar, i cili përshëndeste vetëm elektoratin e vetë. Ndikimi i nevojës së 50%+1 të votave për t’u zgjedhur vërehet lehtësisht në zhvillimet para dhe postzgjedhore. Fakti që presidentit i duhet të fitojë 50%+1 të votave e nxit Turqinë që të normalizohet më shumë, i detyron forcat politike që t’u kushtojnë më tepër vëmendje shtresave të ndryshme të shoqërisë dhe jo vetëm tabanit të tyre. Kështu, vendi/shoqëria do të demokratizohet dhe liberalizohet më tepër, situatë kjo që do t’i shërbejë më shumë paqes së brendshme gjithashtu.

Indiferencë ndaj sjelljeve arrogante/prepotente të aktorëve globalë – Sikurse dhe në zgjedhjet e mëparshme, disa shtete perëndimore, kompani globale e organe mediatike ndërkombëtare ndërhynë pa qenë e nevojshme edhe në këtë proces elektoral të Turqisë. Ato përdorën një gjuhë kërcënuese dhe akuzuese ndaj AK Partisë. Njëlloj si edhe në zgjedhjet e mëhershme, zgjedhësit sërish nuk votuan sikurse prisnin aktorët globalë. E njëjta gjë vlen gjithashtu për votat e hedhura jashtë shtetit. Pavarësisht qasjeve arrogante të disa vendeve perëndimore, të cilat ndalojnë të drejtat politike, injorojnë lirinë e shprehjes dhe tubimit, si dhe kërcënojnë haptazi turqit rezidentë në këto shtete, zgjedhësit jashtë shtetit shënuan përsëri një pjesëmarrje rekord. Ata votuan jo sipas aspiratave të vendeve në fjalë, por sipas preferencave të tyre, kryesisht duke i dhënë mbështetje AK Partisë. Votimi i elektoratit sipas preferencave të tyre dhe jo sipas presioneve globale është pa dyshim shumë e çmuar edhe për shtetet e interesuara, edhe për aktorët globalë që respektojnë zgjedhjet dhe vullnetin e kombeve, edhe për paqen botërore.

Pas viteve 2000, të ardhurat kombëtare për frymë janë rritur në mbi 10.000 dollarë, nga 2.000 asokohe në Turqi. Shkalla e lirive dhe demokracisë është rritur. Ajo ka arritur të jetë një ishull i paqes, qetësisë dhe shpresës pavarësisht zhvillimeve negative në vende si Iraku, Siria, Irani, Greqia, Libia, Izraeli, Ukraina dhe Gjeorgjia, të cilat mund të konsiderohen fqinjë të saj. Ka mposhtur me sukses FETO-n dhe tentativat e tjera për grusht shteti. Me referendumin popullor të 2017-s dhe zgjedhjet e 24 qershorit, ajo ka sendërtuar sistemin presidencial duke bërë një ndryshim rrënjësor në historinë demokratike të saj gati 150-vjeçare. Ç’është e vërteta, Turqia i ka bërë gjithë këto arritje falë sistemit politik demokratik të saj. Nëse s’do të gëzonte një pushtet politik që bashkon një legjitimitet politik dhe shoqëror të fuqishëm për meritë të kombit të saj, me zgjedhje të lira, të drejta, transparente dhe konkurruese, atëherë do të ishte gati e pamundur që t’i realizonte të gjitha këto ndryshime dhe transformime demokratike. Me këto suksese të jetësuara, Turqia merr mbi supe jo vetëm barrën e vendit të saj, por kryesisht edhe të rajonit e vendeve perëndimore po ashtu. Ndërsa shtetet perëndimore shqetësohen vetëm për 3 refugjatë, Turqia strehon 3,5 milionë. Të gjithë duhet ta dinë mirë vlerën e demokracisë dhe stabilitetit në Turqi!/ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne