Komuniteti Druze në Izrael do të apelojë ligjin “shtet hebre”

 Deputetët e Knesetit (Kuvendi i Izraelit) nga komuniteti Druze njoftuan se do të ankimojnë ligjin e miratuar ditë më parë, me të cilin Izraeli shpallet shtet komb i popullit hebre.

I miratuar të enjten nga Kneseti, ligji në fjalë thekson se Kudsi si një tërësi është kryeqytet i Izraelit dhe se hebraishtja është gjuha zyrtare e shtetit, me çka largon arabishten e cila më parë ka qenë gjithashtu gjuhë zyrtare, duke i dhënë një status të veçantë.

Siç shkruan të dielën e përditshmja Maariv, tre deputetë kanë vendosur të apelojnë ligjin kundërthënës në Gjykatën Supreme.

“Nuk kam asnjë problem me hebrenjtë dhe faktin se Izraeli është shteti i hebrenjve”, tha deputeti Akram Hasson nga partia Kulanu i pyetur të komentojë vendimin, megjithatë pyeti se çfarë do të ndodhë me pjestarët e komunitetit Druze, të cilët kanë sakrifikuar për Izraelin, 240 nga të cilët kanë vdekur duke shërbyer në armatë.

Komuniteti Druze jeton në pjesën veriore të Izraelit që nga viti 1948 dhe merr pjesë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak të vendit. Ata e konsiderojnë veten izraelitë. Përjashtim bën komuniteti Druze që jeton në Lartësirat e Golanit të pushtuar nga Izraeli në vitin 1967, të cilët mbajnë rrënjët e tyre të identitetit arab.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne