Komuniteti musliman në SHBA i shqetësuar për krizën e Gjirit

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Organizatave Muslimane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (USCM), Oussama Jammal, tha se”kriza aktuale në marrëdhëniet midis disa shteteve të Gjirit dhe Katarit është shqetësuese dhe se të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes negociatave në një kohë kur muslimanët dhe bota islame më shumë se kurrë kanë nevojë për unitet”, raporton Anadolu Agency (AA).

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Egjipti dhe Jemeni javën e kaluar ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike dhe mbyllën kufijtë tokësorë, ajrorë dhe detarë me Katarin, të cilin e akuzojnë për “mbështetje të terrorizmit”, kurse udhëheqësi i komunitetit musliman në Amerikë, Jammal, duke folur për AA theksoi se kjo krizë askujt, sidomos muslimanëve nuk do t’iu sjellë kurrfarë dobie.

Jammal pas iftarit të mbrëmshëm tradicional në Chicago, tha se në këtë kontekst, shumë zhgënjyes është fakti se kjo krizë është iniciuar nga Arabia Saudite, ku ndodhen vendet e shenjta dhe e cila duhet të jetë lideri i botës muslimane dhe se kriza shpërtheu gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Katari është një vend që përhap paqen dhe drejtësinë, respekton të drejtat e njeriut, afron njerëzit dhe lufton për zgjidhjen e problemeve të muslimanëve në botë. Është e pakuptueshme se për çfarë ky vend akuzohet tani. Në këtë situatë, mund të mburrem vetëm me qëndrimin e guximshëm dhe iniciativat e ndërmarra nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan”, ka thënë Jammal.

Duke theksuar se autoritetet turke vazhdimisht bëjnë lëvizjet e duhura dhe të drejta kur është fjala për problemet në rajon, Jammal tha se përpjekjet të cilat i investon ky vend në bashkimin e muslimanëve, përhapin besimin në komunitetin global musliman.

“Shpresojmë se në periudhën e ardhshme, të gjitha problemet do të zgjidhen përmes negociatave dhe mjeteve paqësore dhe se komuniteti musliman do t’i lë mënjanë mosmarrëveshjet dhe do të angazhohet për forcimin e unitetit”, tha Jammal.

Duke theksuar se çdo ditë në botë vdesin mijëra muslimanë për shkak të problemeve të ndryshme, Jammal tha se vendet përgjegjëse duhet të kenë një ndjenjë të përgjegjësisë së tyre dhe të punojnë për përmirësimin e jetës të komunitetit.

Ai komentoi edhe rreth krizës në Jemen, ku për tre vite po zhvillohet luftë civile dhe njerëzit po vdesin nga uria dhe kolera, dhe tha se nuk mund të kuptojnë se si Këshilli i Shtetit të Bashkëpunimit të Gjirit nuk mund të gjejnë një qëndrim të përbashkët mbi domosdoshmërinë e ndërprerjes së menjëhershme të eksodit në Jemen dhe që mund të bashkohen rreth një problemi imagjinar me Katarin.

“Vendet muslimane duhet menjëherë të lënë anash mosmarrëveshjet dhe të bashkohen në zgjidhjen e krizës aktuale. Mos marrja e përgjegjësisë për ndalimin viktimave të pafajshme në Jemen, Siri, Libi dhe Irak është e turpshme”, përfundoi Jammal.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne