Konfirmohet në detyrë kreu i Prokurorisë së Pogradecit

Kreu i Prokurorisë së Pogradecit, Sotir Kllapi, është konfirmuar në detyrë, pas përfundimit të hetimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) mbi kriteret e pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe të aftësive profesionale.

Në formularin e deklarimit të pasurisë, Kllapi nuk rezulton të zotërojë pasuri të patundshme apo të luajtshme, por figuron si qiramarrës i një apartamenti në zonën e Qytet Studentit. Kryeprokurori ka deklaruar 2.6 milionë lekë likujditete bankare dhe 1.4 milionë lekë kursime. Të ardhurat për periudhën deklaruese që arrijnë shifrën e 9 milionë lekëve, kanë më së shumti burim pagën nga detyra, ndërsa një pjesë e papërfillshme e tyre derivojnë nga dhuratat e familjarëve dhe nga angazhimi paralel në mësimdhënie.

Kllapi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe ka nisur të ushtrojë detyrën e prokurorit fillimisht në Prokurorinë e Tiranës. Më tej, Kllapi ka shërbyer në të njëjtin funksion në Prokurorinë e Fierit dhe të Durrësit, përpara se të emërohej në vitin 2014 drejtues në Prokurorinë e Pogradecit, në postin që mban aktualisht.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne