Kongresi Amerikan nuk do lejojë që palestinezët të ankohen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC) lidhur me vjedhjen e tokes dhe vendbanimet e Izraelit në territoret e pushtuara.

Palestina përballet me dënim, mbyllje të zyrës diplomatike në SHBA për arsye të kërkimit të drejtësisë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC).

nga James J. Zogby.

Imagjinoni sikur jeni viktimë e një krimi apo vjedhjeje të dhunshme, por që e keni të ndaluar të raportoni sepse Kongresi amerikan ka miratuar një ligj që jo vetëm që ju ndalon të raportoni krimin, por ju kërcënon me dënim nëse guxoni ta bëni. Kjo është situata në të cilën palestinezët e gjejnë veten sot.

Palestinezëve u është thënë se qeveria e SHBA është në prag të ricertifikimit të së drejtës së tyre për të mbajtur një zyrë në Uashington sepse ata paten guximin që të ankoheshin në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC) për vjedhjen e tokave nga Izraeli dhe për veprimtarinë e ndërtimeve izraelite në territoret e pushtuara.

Historia e kësaj situate ankthi filloi në vitin 1987, kur Kongresi miratoi një ligj që ndalonte Organizatën Çlirimtare të Palestinës të pëdorte një zyrë në Shtetet e Bashkuara. Ky legjislacion, i cili u shty nga AIPAC, lobi pro-izraelit, u krijua për të siguruar që palestinezët nuk do të kishin prezencë ose zë në Uashington apo në Kombet e Bashkuara. Ishte një përpjekje për të futur brenda ligjit një angazhim të fshehtë që Sekretari i Shtetit Henry Kissinger u kishte bërë izraelitëve një dekadë më parë, se SHBA nuk do ta njohë apo do të dialogojë me PLO. Izraelitët kishin insistuar në politikën “ska-bisedime” për arsyen e thjeshtë të përshkruar nga udhëheqësi i Partisë Laburiste izraelite Yitzhak Rabin:

“Kushdo që pranon të flasë me PLO do të thotë se pranon në parim krijimin e një shteti palestinez midis Izraelit dhe Jordanisë dhe këtë ne nuk mund ta pranojmë kurrë”.

Në vitin 1993, pasi Izraeli dhe PLO nënshkruan dakordimet e Oslos, në të cilat të dyja palët pranuan të drejtat kombëtare të njëri-tjetrit, Kongresi u mblodh për të rivlerësuar legjislacionin e vitit 1987. Në vend që të bënte gjënë e duhur dhe thjesht ta anullonte atë, Kongresi i cili edhe një herë u vu nen trysni nga AIPAC, zgjodhi të mbante ligjin në vend. Një lëshim i gjetur në ligjin e ri i jepte presidentit të drejtën të shtynte dispozitën antipalestineze çdo gjashtë muaj me kusht që Departamenti i Shtetit të mund të vërtetonte në Kongres se palestinezët po i përmbaheshin dispozitave të Marrëveshjes së Oslos.

Ky legjislacion, i quajtur Akti për Lehtësimin e Paqes në Lindjen e Mesme (MEPFA), vendosi një sërë kërkesash ndaj palestinezëve. Midis tyre ishin: heqja dorë nga bojkoti arab, anulimi i Kartës së PLO-së, mos hapja e zyrave në Jeruzalem, dhënia fund e terrorizmit dhe mos marrja e hapave për të ndryshuar statusin e Jerusalemit, Bregun Perëndimor apo Gazan, në pritje të rezultateve të negociatave me izraelitët.

Për shkak se Kongresi zgjodhi të impononte këto kushte për ndihmën amerikane ndaj palestinezëve dhe për të drejtën e tyre për të perdorur një zyrë në SHBA dhe nuk vendosi kërkesa të tilla për Izraelin, ishte e qartë që nga fillimi i të ashtuquajturës ” quajtur “procesi i Oslo”, se SHBA nuk mund të luanin rolin e “ndërmjetësit të ndershëm” në procesin e paqes.

Çdo gjashtë muaj, lobi i Izraelit do të ngrejë çështjen e pajtimit palestinez, duke dokumentuar shkeljet e supozuara palestineze dhe pastaj duke protestuar kur Departamenti i Shtetit do t’i vërtetonte ato. Gjatë kohës, Izraeli duke vepruar pa u ndëshkuar vazhdoi me zgjerimin e vendbanimeve, infrastrukturës në Bregun Perëndimor për atë që ata e quajtën “Jerusalemi i Madh”, duke krijuar “fakte të reja në terren”; vendosjen e kushteve të reja poshtëruese ndaj palestinezëve në territoret e pushtuara; dhe duke shkelur në mënyrë të përsëritur detyrimet e tyre të Oslo-s dhe më vonë në Kajro dhe Marrëveshjet Ekonomike të Parisit.

Ndërsa Izraeli kishte te drejtën për të shkuar në Kongresin amerikan për t’u ankuar me akuzat për moszbatimin e mareveshjes nga palestinezët, palestinezët nuk e kishin mundësinë. Mundesia e tyre e vetëme ishte që ta çonin çështjen e tyre në Kombet e Bashkuara, ku SHBA do të vinte veton ndaj të gjitha zgjidhjeve kritike ndaj Izraelit.

Në këtë kontekst, gjithmonë e kam parë irrituese dhe të pasinqertë palën izraelite kur shprehte mospërfilljen e saj për atë që ata e quanin “shumicë automatike” në OKB pro palestineze, duke refuzuar të pranonin “shumicën automatike” që Izraeli kishte në Kongresin Amerikan.

Gjatë dy dekadave të ardhshme, kushtet e MEPFA-s u ndryshuan dhe përfshinë pezullimin e ndihmës amerikane për palestinezët dhe ricertifikimin e të drejtës së tyre për të vepruar në SHBA, nëse palestinezët do i bashkoheshin ndonjë organi ndërkombëtar me statusin ekuivalent të një “shteti anëtar”; ose nëse ata do të arrinin njohjen e plotë të shtetit në OKB; dhe kohët e fundit, nëse ata do të conin ndonjë çështje lidhur me shkeljet e të drejtës ndërkombëtare nga ana e Izraelit para Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Këtë vjeshtë Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me këto fjalë:

“Ne i kemi bërë thirrje Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ashtu siç është e drejta jonë, që të hapë një hetim dhe të ndjekë penalisht zyrtarët izraelitë”.

Abbasi citoi veçanërisht aktivitetin e ndërtimit të vendbanimeve izraelite si krimin në fjalë.

Politika e Izraelite e vendbanimeve në fakt është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Konventa e katërt e Gjenevës ndalon që një pushtues të lëvizë popullsinë e tij në “territoret e pushtuara gjatë kohës së luftës” dhe ndalon largimin e popullatës së pushtuar nga tokat dhe pronat e tyre. Çdo vend anëtar i OKB-së, përveç Izraelit ka konsideruar se Konventat duhet të zbatohen edhe në territoret e pushtuara nga Izraeli në vitin 1967. Edhe Amerika, përkundër përpjekjeve të përsëritura për ta zbutur gjuhën që përdor duke përshkruar veprimtarinë e vendbanimeve, si pengesë për paqe, të padobishme, të paligjshme, etj., nuk e ka fshirë kurrë nga librat një opinion ligjor të epokës Carter mbi paligjshmërinë e vendbanimeve.

Në 50 vitet e okupimit, Izraeli ka ndërtuar vendbanime për më shumë se 650,000 qytetarë të stij në Bregun Perëndimor dhe përreth Jeruzalemit, duke ndryshuar qëllimisht karakterin demografik të territoreve. Ata gjithashtu kanë ndërtuar një mur të madh brenda Bregut Perëndimor, duke ndarë palestinezët nga toka e tyre. Dhe për të lehtësuar këtë sipërmarrje koloniale, ata kanë konfiskuar pasuritë e palestinezëve, duke dëbuar njerëzit që jetojnë në territoret e pushtuara, përsëri në kundërshtim me ligjin.

Përkundër protestave të forta periodike, Amerika asnjëherë nuk ka treguar ndonjë gatishmëri për të ndalur këtë vjedhje dhe shpronësimet e paligjëshme. Kongresi gjithmonë ka përdorur një gjuhë që ka pasur si qëllim të qartëlegjitimimin e pushtimit dhe kolonizimit Izraelit, ndërsa palestinezëve nuk u ka ngelur gjë tjetër vetëm se ta çojnë çështjen në ICC.

Për shkak se palestinezët guxuan të përdorin këtë sfidë ligjore jo të dhunshme ndaj shkeljes së ligjit nga ana e Izraelit, është shkaktuar kriza e tanishme që mund të rezultojë në mbylljen e zyrës palestineze në Uashington duke e bërë të paligjshëm operimin e saj në SHBA.

Departamenti i Shtetit dhe Kongresi thonë se ata thjesht po ndjekin ligjin. Por ligji në fjalë është një ligj i padrejtë që dënon viktimën, duke lejuar viktimizuesin të vazhdojë krimet e tij. Ligji duhet të ndryshohet, por meqenëse Kongresi nuk do të sillet në mënyrë të balancuar, palestinezët duhet të vazhdojnë me shpejtësi të plotë përpara me ankesën e tyre në ICC.

Dr. James J. Zogby është President i Institutit Arabo-American./globalresearch/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne