Bota

Kongresistet muslimane reagojnë ndaj Trumpit për Arabinë Saudite

Kongresistet muslimane Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar anëtare të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA kanë reaguar ndaj qeverisë amerikane e cila duke injoruar shkeljet e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite vazhdon t’i shesë armë këtij vendi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lidhje me këtë çështje Tlaib me orgjinë palestineze dhe Omar me origjinë somaleze kanë bërë disa deklarata në llogaritë e tyre në Twitter.

Talib ka reaguar për shkak të shitjes së armëve ndaj Arabisë Saudite dhe projektligjit të buxhetit për vitin 2020 që Trump ka dërguar në Kongres, i cili ul pagesat për Medicare (sigurimin shëndetësor mbi 65 vjeç) dhe për Medicaid mbështetjen për amerikanët e varfër në kuadër të Obamacare.

“A e mbani mend fjalën e Trumpit se nuk do të ndërpriste Medicare dhe Medicaid? Pikërisht ai atë fjalë nuk e ka mbajtur. Në vend të saj ai ka preferuar Lockheed Martin (Kompani e industrisë së mbrojtjes amerikane) dhe sauditët që dëshironin të blinin armë”, tha Tlaib.

Ndërsa Omar e cila ka postuar deklaratën e Tlaib në llogarinë e saj në Twitter ka thënë: “Arabia Saudite ashtu sikurse është vazhdimisht në renditjen e vendeve që kryejnë më së shumti shkelje të të drejtave të njeriut, është përgjegjëse edhe për urinë dhe epideminë e kolerës në Jemen. Sërish Arabia Saudite është blerësja më e madhe e armëve të prodhuara nga SHBA. Pse Donald Trump zgjedh prodhuesit e armëve në vend që të jetë në anën e mbrojtësve të të drejtave të njeriut?”.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) njoftoi javën e kaluar se gjigandit të Mbrojtjes, Lockheed Martin i ka dhënë një tender prej 945 milionë 900 mijë dollarë për prodhimin e “Sistemit të Mbrojtjes Antiraketë – THAAD” në emër të Arabisë Saudite.

Afati i tenderit ka qenë mes datave 28 shkurt 2019 deri në 31 tetor 2026, por u njoftua se Arabia Saudite më 26 nëntor kishte pranuar propozimin prej 15 miliardë dollarësh që SHBA-ja kishte dhënë më parë për 44 sistemet THAAD.

Ndërsa në anën tjetër në median amerikane ishte pretenduar se Qeveria e Arabisë Saudite ka pranuar propozimin e SHBA-ve për sistemin THAAD për të shpëtuar nga presioni i Washingtonit në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

OPINIONE