Kontributi i myslimanëve në letërsinë shqiptare

Kur flasim për kontribut të myslimanëve kemi për qëllim një kontribut gjithëpërfshirës, i cili nuk minimizohet vetëm në letërsinë tonë, por është një kontribut që i ka kapur të gjitha sferat e jetës.

Përmendim këtu shumë veprimtarë të lëvizjes sonë kombëtare, madje dhe drejtues të saj, gjithashtu përmendim se Kryetari i Pleqësisë në qeverinë e Vlorës ishte Vehbi Dibra, Kryemyftiu i parë i Shqipërisë.

Jo vetëm kaq, por shumë hoxhallarë drejtuan luftërat e atyre viteve, por edhe të mëpasmet, përmendim këtu luftën kundër Austro-Hungarisë. Madje, edhe në proceset demokratike të viteve ‘90 myslimanët shqiptarë nuk ndenjën duarkryq, por nxituan për të kërkuar të drejtën e tyre për ushtrimin e fesë, e drejtë që u ishte mohuar pas një kohe më se 40-vjeçare. (Vetëm në këto vitet e fundit myslimanët shqiptarë s’po duken gjëkundi, thua të kenë dalë majave të maleve dhe të merren vetëm me ibadet, thua të jenë bërë asketë?!)

Këto që përmenda pak më lart do të më shërbejnë si sfond për atë çka dua të shkruaj, rreth kontributit të myslimanëve në letërsinë shqiptare.

Kontributi i myslimanëve në letërsinë shqiptare është në atë çka njihet sot, nga të gjithë ne, si letërsi e bejtexhinjve (nga fjala arabe bejt-e, që do të thotë varg).

Në të vërtetë, sot, kur përmendet emri bejtexhi, përmendet në mënyrë përkeqësuese.

Letërsia e bejtexhinjve përgjatë këtyre kohërave u servir si një letërsi e ahengjeve (me raki dhe verë), si një letërsi që u lëvrua për t’i shërbyer pushtuesit turk etj.

Por, po t’i afrohemi nga afër kësaj letërsie dhe këtyre poetëve, të cilët e lëvruan atë, do të shohim që e kundërta është e vërtetë. Jo vetëm që nuk është një letërsi e ahengjeve dhe e rakisë, por është një letërsi e konsoliduar dhe një letërsi që i përgjigjet të gjitha kushteve për të qenë e tillë.

Por le t’i afrohemi më nga afër.

Letërsia e bejtexhinjve është ajo letërsi që u lëvrua në shek. XVII-XVIII, në qarqet intelektuale myslimane të kohës, me alfabet arab. Kjo për dy arsye kryesore: e para, sepse gjuha arabe në atë kohë, nëpërmjet Perandorisë Osmane, ishte kthyer në një mit, ashtu siç kishte qenë dikur gjuha romake, nëpërmjet Perandorisë Romake, dhe e dyta, sepse vetë poetët që e lëvruan këtë letërsi ishin shkolluar në shkollat e lindjes, të Stambollit, të Ez’herit etj.

Ajo çka është më e rëndësishmja, e cila ka edhe një vlerë shumë të madhe për kohën është fakti se këta poetë u munduan të fusnin gjuhën shqipe, edhe pse me alfabet arab, në jetën shqiptare dhe në xhamia, ashtu siç bënë kohë më parë Buzuku me Budin, Bardhi me Bogdanin e të tjerë, të cilët e futën gjuhën shqipe në jetën e vendit dhe në kishë.

Gjithashtu është e rëndësishme të përmendim se letërsia e bejtexhinjve shërbeu si një urë kalimi nga letërsia liturgjike në një letërsi krejtësisht artistike. Pra, në qoftë se deri tani vlera e letërsisë ishte minimizuar vetëm në shkrimet fetare, tani me këtë letërsi, letërsia do të zërë vendin që i takon, i cili nuk duhet minimizuar vetëm te shkrimet fetare, por është shumë më i gjerë dhe shumë më i thellë. (Këtu kërkohet nevojë për mirëkuptim).

Fatkeqësia e kësaj letërsie është se ajo nuk pati një komunikim të gjerë me masat, pasi u trashëgua vetëm nëpërmjet dorëshkrimeve dhe gojarisht, duke mos pasur mundësi që të botohet.

Nëse kësaj letërsie do t’i afrohemi, do të shohim se ajo është mjaft e avancuar në vlera artistike. Ajo me të vërtetë paraqitet si një rrymë e re në letërsinë tonë duke u shkëputur nga tematikat e vjetra fetare dhe duke u hedhur në vepra të mirëfillta artistike.

Më tej do të ndalem vetëm te njëri nga poetët bejtexhinj, Nezim Frakulla, dhe te disa veçori të veprës së tij.

Shkrimtarët bejtexhinj shpeshherë në vargjet e tyre përmendnin emrin e vet, në ndonjë rast tjetër edhe vitin e lindjes ose vitin kur ndodhte ngjarja. Biografia e Nezim Frakullës edhe sot nuk është shumë e njohur. Nuk dihet me saktësi se kur u lind, por, sipas disa studiuesve, duhet të ketë lindur aty nga fundi i shekullit XVII. Me rëndësi është qëndrimi i tij në Berat, sepse dimë që Berati ka qenë qendër e rëndësishme kulturore, ekonomike, politike etj. Por ambiciet e Nezimit për të fituar një kulturë të gjerë dhe, gjithashtu, gjendja e rëndë ekonomike, e shtynë atë që të shkonte në Stamboll. Pasi kryen studimet ai kthehet përsëri në Berat, periudhë kjo që është shumë e rëndësishme në krijimtarinë e tij letraro-poetike, për vetë faktin se në këtë periudhë ai fillon të merret vetëm me krijimtari në gjuhën shqipe, duke vënë kështu themelet e një rryme të re, me motivacione të reja, me strukturë ritmike e metrikë të re.

Vepra poetike e Nezim Frakullës ka mbetur në dorëshkrime, jo siç është e zakonshme në një variant, por në tri variante. Dorëshkrimi i parë është ai i Elbasanit me 55 vjersha, i dyti, ai Tepelenës me 78 vjersha dhe i treti është ai i Abdullah Feratit (Berat), i cili u botua te “Zani i naltë” më 1938.

Asnjë nga këto nuk është i plotë, sepse mendohet se “Divani” i Nezimit ka pasur 110 vjersha dhe më se 200 faqe.

Nezim Frakulla, me sa dihet deri më sot, është i pari në letërsinë tonë që na ka lënë një vepër të tërësishme me vlera artistike dhe që ka një strukturë të caktuar – Divanin.

Është konstatuar se, me të vërtetë, nëpërmjet vargjeve të tij, Nezim Frakulla si një poet me informacion poetik të mirë dhe me një përvojë krijuese të gjatë, shtron para letërsisë së kohës probleme të poetikës letrare.

Ai dha shembullin konkret, përpunoi një vepër letrare të një forme të komplikuar dhe me këtë dëshmoi edhe për gjuhën shqipe, edhe për veten, se në këtë gjuhë mund të shkruhen edhe forma më të komplikuara të zhanreve letrare, nëse shkruesi respekton kërkesën kryesore: figurshmërinë e gjuhës.

Nezimi, për aktin e frymëzimit, ka një koncept idealist, pasi ai mendon se poezia lind si një akt frymëzimi që poetit i vjen nga jashtë, si një dhunti apo frymëzim hyjnor. Një teori e tillë ka mbizotëruar edhe në Rilindjen Kombëtare te Jeronim de Rada, Naim Frashëri etj.

Nezim Frakulla është ndër shkrimtarët e rrallë të letërsisë sonë, i cili ka informacion të gjerë për shumë çështje të poetikës orientale.

Ai iu përkushtua tërësisht poezisë jo vetëm për faktin se ndiente nevojë të brendshme për të thënë diçka, por edhe sepse poezinë si gjini letrare e çmonte shumë. Ai e konsideron veten si një themelues të një tipologjie të re në letërsinë tonë – si poet i Divanit të parë në gjuhën shqipe, ai është nisur nga ideja që Divani i tij “t’u shërbejë shqiptarëve si model”.

Poezia e tij konsiderohet si një poezi ku spikat motivi patriotik dhe ai nostalgjik (poezia “O shokë mos na harroni”), sepse shprehet malli i poetit për Beratin, që është edhe një aspekt i dashurisë ndaj atdheut, pra edhe i vetëdijes kombëtare. Përkundrejt kësaj, ai Beratin e quan në mënyrë figurative si një “gjylistan”, një kopsht trëndafilash nga ku rrezatohet ajo dashuri dhe lidhshmëri e thellë për vendlindjen.

Natyra, si komponente e poetikës letrare, me të gjitha veçoritë e saj dalluese paraqitet për herë të parë në letërsinë tonë në veprën e Nezim Frakullës. Ky moment ka peshën dhe rëndësinë e vet, si për letërsinë tonë ashtu edhe për aftësitë përshkruese të këtij poeti.

Së fundi, mund të themi se Nezim Frakulla, si një nga shkrimtarët e parë dhe shumë produktiv, në letërsinë e bejtexhinjve, e përdori vargun si formë të shprehjes letrare. Për këtë arsye struktura ritmike dhe metrike e vargut të tij paraqet interes të veçantë në zhvillimin e gjithanshëm të vargut shqip.

Duhet të bëjmë një sqarim se kur flasim për të gjitha këto veçori dhe cilësi të kësaj letërsie kemi parasysh kohën dhe kushtet kur u lëvrua kjo letërsi dhe s’mund të krahasojmë një letërsi të shkruar në shek. XVII-XVIII me një letërsi të shek. XX.

Namir Lapardhaja

/Revista ‘Drita Islame’ /

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne