Korbin: Bota duhet të mos heshtë dhe të mos i fshehë vrasjet e bëra nga Izraeli kundër palestinezëve të paarmatosur

Lideri i Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar Jeremy Corbyn të shtunën kritikoi ashpër vrasjet e kryera nga Izraeli, pasi ushtria izraelite vrau 27 protestues palestinezë të paarmatosur gjatë tubimeve në kufirin e Gazës. Ai gjithashtu kritikoi vendet e botës për heshtjen ndaj asaj që ai e përshkroi si një “mizori”.

Në një tubim në Downing Street në Londër, Corbyn kritikoi heshtjen e ndërkombëtarëve për veprimet e paligjshme dhe çnjerëzore të Izraelit dhe kërkoi që Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Theresa të mbështesë thirrjen e Kombeve të Bashkuara për një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi raportimet e përdorimit të plumbave të vërtete mbi civilët e paarmatosur nga ana e ushtrisë izraelite.

Ai gjithashtu sugjeroi që qeveria e Britanisë së Madhe duhet të rishikojë shitjen e armëve që mund të përdoren veçanërisht nga Izraeli, “në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”.

Kritikat e forta erdhën pasi trupat izraelite të premten hapën zjarr në kufirin mes Izraelit dhe Gazës, duke vrarë të paktën 9 palestinezë të paarmatosur, përfshirë edhe një gazetar, si dhe plagosën qindra të tjerë në protestën e dytë masive brenda tetë ditëve. Numri protestuesve të vrarë është rritur ndjeshëm kohët e fundit që kur filluan protestat kundër bllokadës kufitare të Izraelit.

Përgjigjja e Izraelit ndaj protestave ka tërhequr kritika ndërkombëtare. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se protestuesit janë vrarë duke u falur, duke ecur të paarmatosur drejt kufirit ose thjesht duke ngritur lart flamurin palestinez.

“Vrasja dhe plagosja e palestinezëve të paarmatosur ditën e djeshme nga forcat izraelite në Gaza është një mizori”, tha Corbyn, duke theksuar se mbi dy të tretat e atyre që jetojnë në Rripin e Gazës janë “refugjatë pa shtetësi”, që mbështeten vetëm tek ndihmat humanitare dhe që “kanë të drejtë për të protestuar kundër kushteve të tmerrshme, bllokadës, okupimit të vazhdueshëm të tokës palestineze në mbështetje të të drejtës së tyre për t’u kthyer në shtëpitë e tyre dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje”.

Sipas njoftimeve të mediave izraelite, rregullat e forcave izraelite të mbrojtjes (IDF) lejojnë që zjarri me plumba të vërtetë të përdoret kundër kujtdo që i afrohet gardhit të kufirit.

Zëdhënësja e të drejtave të njeriut të OKB Elizabeth Throssell ka deklaruar se vrasjet e civilëve me paramendim janë një shkelje e Konventave të Gjenevës.

Për të dytën javë, SHBA po bllokuan një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një hetim mbi vrasjet e fundit./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne