‘Korrigjim i lehtë i kufijve’, Thaçi me term të ri: Këto janë tre pikat e panegociueshme me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në Uashington të SHBA-së, ku dhe ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations”, para një audience të specialistëve të rajonit të Ballkanit.

Thaçi ka përdorur aty një term të ri, ‘korrigjim i lehtë i kufijve’, që duhet të përfshihet brenda marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë. Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme”, ka deklaruar presidenti kosovar, porpozimi i të cilit për ndryshim kufijsh nuk është mbështetur nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Kreu i shtetit theksoi se qëllim kryesor i marrëveshjes është njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Por gjatë bashkëbisedimit, Hashim Thaçi ka treguar edhe tre pikatë panegociueshme për Prishtinën.

“Pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme”, ka thënë ai.

Ndërkaq, duke folur për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidenti Thaçi u shpreh se mbështetja e Uashingtonit është vitale për Kosovën.

“Sa herë Kosova ka qenë bashkë me Shtetet e Bashkuara, ka dal fitimtare. Edhe nëse kompromiset e bëra janë dukur të rënda në fillim, më vonë është treguar se kanë qenë vendimet më të mira strategjike”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën. Nuk do të pranojmë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin”, shtoi ai.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne