Korrupsion me rrugët, kthehet në burg ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka vendosur të rikthejë në burg, ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, i cili ndodhej që prej muajit qershor në arrest shtëpie. Përmes një njoftimi, policia thotë se ka arrestuar Dashamir Xhikën, pas ndryshimit të masës të vendosur nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë.

“Specialistët e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë ekzekutuan Vendimin Penal Nr.94, datë 01.09.2018, të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, e cila ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në shtëpi”, në “Arrest me burg” në ngarkim të shtetasit nën hetim Dashamir Xhika, 47 vjeç, banues në Tiranë (ish-Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar). Xhika është person nën hetim i dyshuar për konsumim të veprave penale të “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Shpërdorim detyre” të parashikuara nga nenet 260 dhe 248 të Kodit Penal”- thuhet në njoftimin e policisë.

Më 26 Qershor, gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që të lirojë nga burgu ish-kreun e ARRSH-së, Dashamir Xhikën për shkak të sëmundjes së tij. Sipas Prokurorisë, Xhika akuzohet për korrupsion në vlera të mëdha monetare dhe ka rrezik që të fshehë provat apo të arratiset.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne