Kosova dhe UNDP nënshkruan Memorandum mirëkuptimi

Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me një ekip të agjencive të Kombeve të Bashkuara, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm përmes luftës kundër varfërisë, përparimit të grave, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit më efektiv midis Kosovës dhe UNDP-së, si dhe Partneritetit Global.

Pas nënshkrimit të Memorandumit, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha tha se sot është nënshkruar një marrëveshje shumë e rëndësishme për arritjen e partneritetit global të axhendës së zhvillimit 2030, gjë që do të kontribuojë drejtpërdrejt në arritjen e përparimit në reformat e Kosovës drejt integrimit evropian.

“Ministria e Integrimit Evropian është duke treguar përafrim në shumë sfera të punës, duke përmendur këtu edhe axhendën sociale të BE-së, reformat shtetërore në fushën ekonomike, politike, zhvillimore të cilat e drejtojnë Kosovën më afër familjes evropiane. Përderisa ne jemi në krye të koordinimit me donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë, jemi të gatshëm të shohim mënyra të reja për ta bërë këtë koordinim më kuptimplotë dhe më gjithpërfshirës”, deklaroi Hoxha.

Ajo theksoi se Kosova është e angazhuar për të punuar në mënyrë efektive në identifikimin e çështjeve dhe përmbushjen e mangësive në arritjen e qëllimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), që nënkupton punën për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe vendimmarrjen, qasjen në informata, arsim cilësor, vendet e punës, dialogu dhe integrimi ndërkulturor midis komuniteteve, respektimi i të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit.

Ulrika Richardson nga UNDP tha se ky Memorandum mbështet procesin e integrimit evropian me një fokus në fushat me interes të përbashkët, siç është zbatimi i MSA, Axhenda Evropiane e Reformës dhe reformat e tjera të procesit të integrimit për zhvillim të qëndrueshëm.

“Kur shohim integrimet evropiane dhe kriteret e qasjes dhe punën që është arritur në Kosovë gjatë viteve të fundit, kjo kryesisht i referohet progresit socio-ekonomik për popullin e Kosovës, forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit, administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit. Por, familja e BE-së i referohet gjithashtu parimeve të të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe qëndrueshmërisë mjedisore. Këto janë të gjitha fushat kyçe të zhvillimit të qëndrueshëm”, tha Richardson.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne