Kosova hedh hapa drejt diktaturës, kushdo që fyen presidentin dënohet deri në 5 vite burg

Presidenti Hashim Thaçi ka ndërmarrë disa veprime që Kosovën e çojnë drejt një vendi diktatorial. Komisioni që ka themeluar ai për ndryshimin e Kodit Penal dhe të Procedurës Penale ka kriminalizuar fyerjen dhe shpifjen. Është saktësuar si vepër e rëndë penale fyerja dhe shpifja ndaj udhëheqësve të shtetit, përfshirë presidentin. Dënimet për shpifje ndaj tij janë deri në 5 vjet burgim.

Një prej iniciativave të para të Hashim Thaçit pas ardhjes në krye të shtetit, ishte ndryshimi i Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale.

Ai themeloi një komision për të nisur punën menjëherë.

Rezultatet e para tashmë kanë dalë në publik. Shpifja dhe fyerja që prej tri vjetësh nuk janë vepra penale, por sanksionohen vetëm me Ligjin kundër shpifjes dhe fyerjes, tashmë janë kriminalizuar

Nëse miratohet Kodi i ri me këto ndryshime, vetë Thaçi do të jetë një prej zyrtarëve më të mbrojtur nga fyerjet dhe shpifjet.

Kushdo që do të guxojë të shpifë apo ta fyej atë, e pret burgu. Dënimet për këto dy vepra janë nga tre muaj deri në pesë vjet burgim.

Me këto ndryshime të Kodit Penal sanksionohen edhe shpifja ndaj shtetit dhe simboleve të shtetit. Këto sanksione janë të parapara me nenin 134.

“Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anëtarëve të tyre në këtë kapacitet në një mënyrë të dëmshme për respektimin e shteti dhe kështu qëllimisht mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet, thuhet në pikën 1.

Këto vepra parashihet të ndiqen nga Prokuroria apo nga zyrtarët, ndaj të cilëve konsiderohet se është shpifur apo janë fyer.

Dënime me burgim i preson edhe ata që guxojnë publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara të fyejnë apo me keqdashje shprehin përbuzje ndaj republikës së Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetuese duke fyer ngjyrat , flamurin, stemën apo himnin e Republikës së Kosovës dënohet me burgim deri në tre vjet ose me gjobë.

“Kushdo që heq, shkatërron, dëmton, e bën të papërdorshëm ose palexueshme ose ndryshon me dashje flamurin e ekspozuar publikisht të Republikës së Kosovës, ose një emblemë shtetërore të vendosur nga një autoritet publik i Republikës së Kosovës, dënohet me burgim deri në tri vjet ose me gjobë”, thuhet më tej në këtë nen.

“Kushdo që me qellim mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, dënohet me dënim me burgim deri në pesë (5) vite”, thuhet në pikën tre të nenit.

Madje të dënueshme janë edhe tentativat për t’i kryer këto vepra penale.

Aktualisht, Kosova është mes shteteve që e kanë të dekriminalizuar fyerjen dhe shpifjen. Qeveria e udhëhequr prej PDK-së kishte provuar që është në vitin 2013 t’i kriminalizonte fyerjen dhe shpifjen.

Por, pas protestave të organizuara nga gazetarët dhe shoqëria civile, ato nene ishin hequr nga Kodi Penal i Kosovës./Insajderi.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne