Kosova njihet nga Madagaskari

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pranuar zyrtarisht notën verbale të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Republika e Madagaskarit.

Në një komunikatë me shkrim nga MPJ thuhet se ministri Pacolli pas një takimi, që zhvilloi me homologun e tij nga ky shtet, në margjina të takimit të vendeve të Frankofonisë, që po mbahet në Paris, ka pranuar zyrtarisht notën verbale të njohjes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Republika e Madagaskarit.

“Urime Kosovë, faleminderit Madagaskar. Nga sot, Kosova dhe Madagaskari kanë nga një mik më shumë. Falënderimet e mia të sinqerta për popullin, Presidentin dhe Qeverinë e Madagaskarit”, ka thënë ministri i Jashtëm, Pacolli.

MPJ po ashtu njofton se në kuadër të këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur zotimet e tyre të dyanshme për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe dy popujve si edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike për t’i hapur rrugë përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadorësh në mes dy vendeve respektive.

Madagaskari, i cili ndodhet në brigjet jug-lindore të Afrikës, është shteti i 115-të që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. (AA)


NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne