Në zgjedhjet e parakohshme parlametare të së dielës së 11 qershorit në Kosovë, sipas rezultateve paraprake të 99,88% të votave të numëruara deri sot në mëngjes nga KQZ, koalicioni Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën ka 33,98% të votave, Lëvizja Vetëvendosje 27,12%, ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, ku në listë përfshiheshin edhe kandidatët për deputë të subjektit politik më të ri drejt regjistrimit si parti – Alternativa e të Lëvizjes për Drejtësi ka 25,74% të votave.

Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më shumë vota- 5,90% ka Iniciativa Qytetare Lista Serbe (Gra?anska Inicijativa Srpska Lista).

Sipas rezultateve paraprake, shtypi i sotëm kosovar parashikon se koalicioni i PDK-së mund të ketë 39 deputetë, VV 31 e koalicioni i LDK 30. Këta numra nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme me votat e Kuvendit 120 anëtarësh edhe nëse do të kenë mbështetjen e të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 të serbëve e 10 të tjerëve. Ka parashikime të ndryshme sesi kolaicionet mund të bashkohen për të formuar qeverinë e re të Kosovës me koalicione paszgjedhore dhe pikëpyetje se a do mund të formohet qeveria.

Para një muaji, në 10 maj 2017, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash të mocionit të mosbesimit për qeverinë e zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve. Mocioni i opozitës u votua pro edhe nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK.

Sipas të dhënave më të fundit nga KQZ, numri i fletëvotimeve të pavlefshme është i madh, 52.522. Ndërsa, numri i fletëvotimeve të vlefshme është 696.684.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013

19