Kosova thellon bashkëpunimin në fushën e drejtësisë me Turqinë

Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, Abelard Tahiri, i shoqëruar nga kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, takuan Kryeprokurorin e Shtetit të Turqisë, Mehmet Akarca dhe Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Këvëllxhëm Këllëç (Kıvılcım Kılıç).

Pas takimit, ministri Tahiri tha se vizita e kryeprokurorit Akarca po bëhet në një kohë të zhvillimit të raporteve të Republikës së Kosovës me Republikën e Turqisë në fushën e drejtësisë.

“U jemi shumë mirënjohës Republikës së Turqisë, presidentit të Republikës së Turqisë për angazhimin e tij në përforcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, në angazhimin e shtetit turk dhe në sjelljen e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës”, tha Tahiri.

Ndërkaq, kryeprokurori i shtetit turk bëri të ditur se ndodhet në Kosovë me ftesën e homologut kosovar, duke theksuar se ka zhvilluar takime të rëndësishme edhe me ministrin e Brendshëm dhe atë të Administratës Publike të Republikës së Kosovës.

Mehmet Akarca tha se duke filluar nga presidenti i Republikës së Turqisë dhe instancat më të larta të shtetit të Turqisë, të gjitha institucionet shtetërore do të jenë pranë popullit dhe shtetit të Kosovës.

Me një theks të veçantë në marrëdhëniet e veçanta historike në mes të shtetit të Kosovës dhe Turqisë, Akarca theksoi se ndjehet i lumtur për përforcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë.

“Jemi të bindur që kjo vizitë do të shërbejë edhe më tepër në thellimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë në mes të institucioneve të drejtësisë së Kosovës dhe Turqisë”, tha Akarca.

Më tej, ai tha se ndjehet i lumtur që janë dakorduar për të thelluar bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë së shtetit të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe organizatave terroriste si PKK, DAESH dhe FETO.

“Theksova se Turqia është duke i vazhduar hetimet në mënyrë të paanshme dhe të pavarur brenda suazave ligjore duke marrë parasysh parimet universale të drejtësisë. Tek miqtë tanë përcollëm dëshirat tona që të na ndihmojnë me procedimin e veprave ilegale të pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO që janë aktuale kudo në botë”, tha Akarca.

Duke theksuar se në takim me ministrin dhe kryeprokurorin kanë folur edhe për bashkëpunimin në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve kosovarë në Turqi, Akarca bëri të ditur se edhe në të ardhmen ata do të kenë mundësinë që të përfitojnë përvojë në shtetin e Turqisë.

Nga ana tjetër, kryeprokurori i Shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi, tha se me homologun e tij turk kanë biseduar për rritjen e bashkëpunimit në mes të akademisë së drejtësisë së Kosovës dhe Turqisë që prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës të përfitojnë njohuri nga shteti turk me trajnime të ndryshme.

Lumezi duke bërë të ditur se është biseduar edhe për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në sferën e drejtësisë theksoi se Kosova do të japë ndihmën e saj ndërkombëtare juridike, ku Turqia do të ketë nevojë, por po ashtu edhe Kosova duke bërë kërkesat për rastet e hetuara në Kosovë do të kërkojë ndihmën e Turqisë.

“Një ndër temat e rëndësishme për të cilat kemi biseduar ka qenë edhe kërcënimi i sigurisë nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm dhe jemi dakorduar që në ato raste të ngrejmë dhe të zhvillojmë edhe më shumë bashkëpunimin në mes të dy institucioneve, Institucionit të Prokurorit të shtetit të Kosovës dhe Turqisë dhe po ashtu t’i bashkërendisim veprimet me institucionet e tjera zbatuese të ligjit me qëllim që t’i luftojmë këto dukuri negative”, tha Lumezi./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne