Kosovarët janë ende skllevër

Nexhmedin Spahiu në një intervistë me Edison Ypin në Ypi.al është shprehur se kosovarët janë fajtorë pasi vendi i tyre ka mbetur në duart e atyre që e katandisën në mjerim. Nga ana tjetër ka bërë edhe një paralelizëm edhe me elitën shqiptare të që lejoi ardhjen e komunistëve në pushtet.

E. Ypi: Ju kosovarët idealista dhe të shkolluar që Kosovën nuk doni me e pa duke u zvarritur dhe duke rënkuar, por të shëndetëshme, të madhërishme, të lavdishme, a ndjeheni fajtorë që Kosova mbeti në duart e atyre që e katandisën të mjerë dhe qesharake, llumit enverist të Diasporës, hajdutëve gjoja çlirimtarë?

N.Spahiu: Po jemi fajtor, për aq sa ishin fajtor elita e Shqipërisë që lejoi ardhjen e komunistëve në pushtet. Individualisht pastaj i kemi përgjegjësitë e ndara. Ta zëmë, përgjegjësia e Mit’hat Frashërit, Rexhep Mitrovicës, Mehdi Frashërit etj, është më e madhe se ajo e Xhafer Devës, Ago Agajt, Branko Merxhanit, etj. Këta të fundit ishn shumë më koshientë për rrezikun që sillnin komunistët dhe bënë krejt çfarë ishte në dorën e tyre ta parandalonin këtë të keqe për fatin e Shqipërisë. Ndërsa ta zëmë, Mit’hat Frashëri edhe pse i vetëdijshëm për idetë montruoze komuniste, komunistët shqiptarë i quante vëllezër shqiptar dhe nuk i luftoi ata në emër të asaj që mos të derdhet gjak shqiptari, por pikërisht ky qendërim vëllazëror u mundësoi komunistëve adhjen në pushtet dhe ata i pinë gjakun Shqipërisë. Kryeministri Rexhep Mitrovica liroi nga burgu Bujar Hoxhën edhe pse e dinte se ishte komunist, nga respekti që kishte për babën e tij Hoxhë Kadri Prishtinën. Por po ky Bujar Hoxha e vrau nënkryetarin e Parlamentit të Shqipërisë Iljaz Agushin, patriot i shquar që po ashtu ishte mik i Rexhep Mitrovicës.

Tani sa i përket Kosovës është e njëjta gjë, shumë nga ata që sot vetit i thonë elitë, kulturore e intelektuale e Kosovës e që ankohën për politikanët në pushtet, e qyrraviten para ndërkombëtarëve, janë ata që me meskinitetin e tyre, u kanë mundësuar ardhjen në pushtet.

Sa më përket mua, besoj se e kam kryer obligimin tim moral, intelektual e patriotik në mënyrën më të mirë të mundshme, pa kompromise.

E.Ypi: T’i japim Serbisë atë llokëm, të na japi Serbia këtë copë…çfarë u duket Kosova këtyre që flasin në këtë mënyrë, lopë e therur mbi dyshemenë e kasaphanës?

N.Spahiu: Njerëz të papërgjegjshëm që flasin kuturu dhe nuk i vëjnë lapsin gjërave. Kosova mund të mbijetojë pa Luginën e Preshevës por nuk mbijeton dot pa Veriun e saj. Është një njësi gjeografike kompakte. Me ujin e Liqenit të Gazivodës që ndodhet në Veri të Kosovës furnizohet gjithë Kosova. Tre gjigantët e ekonomisë kosovare: KEK, Feronikeli, Trepça, nuk funksionojnë dot pa ujin e Gazivodës. Mitrovica, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani, Vushtrria, Skenderaji, Drenasi e Prishtini do të mbeteshin tërësisht pa ujë për të pirë e për t’u larë. Nëse Veriu do t’i jepet Serbisë, Nga kodrat e Zveçanit Serbia do të mund të mbante nën nishanin e tankseve dhe mitralozve çdo pëllëmbë të Kosovës, brezi i frekuencave për radio, tv, telefoni celulare etj do të mund të pengohej tërësisht nga Serbia. Por hec e spjegoja këto gjëra Rexhep Qosjes, i cili gjykon në stilin e Dr.Adhamudhit: nëse të dhemb dora, preje dorën, gjë që Çajupi do të ironizonte: nëse të dhemb koka preje kokën. Kosova ka problem me Veriun e saj, sepse është zemra dhe koka e saj. Rexhep Qosja le ta presim kokën se po na sjellë kokëçarje.

E.Ypi: Ballkani, Kosova, Shqipëria, NATO, Rusia, Islamizmi, Turqia, çvendosjet migratore drejt Perëndimit, çfarë do ndodhi pasi kjo çorbë të ketë zjerë, do hahet apo do villet?

N.Spahiu: Kur lindi Shqipëria u tha që ajo nuk do të mbijetojë. Ata që e urrenin Shqipërinë e pavarur më shumë se sa serbët e grekët ishin vetë shqiptarët. Natyrisht po flas për shumicën absolute dhe jo për një grusht patriotësh që dhanë çdo gjë për Shqipërinë, deri edhe jetën e tyre. Por, Shqipëria, ashtu siç parashikoi Gjergj Fishta, mbijetoi për inat të shqiptarëve. Shqiptarët u dënuan të jetojnë në Shqipërinë e pavarur deri në ekzagjerim karikaturesk siç qe në kohën e Enverit.

Tani në Kosovë po përseritet e njëjta gjë. Kundër shtetit të Kosovës, janë tërbuar jo edhe aq serbët sa shqiptarët e Kosovës. Në planin ideologjik këtë cytje të tmerrshme kundër shtetit të Kosovës e arsyetojnë me slloganin se duan bashkimin me Shqipërinë, kurse në planin praktik e vjedhin e dhunojnë hiç më pak se sa vëllezërit e tyre çfarë i bëjnë Shqipërisë.

A do fakt më të tmerrshëm se sa ai që në qeverinë e mëparshme të Kosovës ministrat më të mirë, më korrekt, më punëtorë e më të ndershëm ishin ata që vinin nga komuniteti serb. Kam qenë prezent kur ministri i Kosovës nga komuniteti serb po e qortonte zëvendës ministrin nga komuniteti shqiptar se përse po e vidhte shtetin. Zevendës ministri po thoshte se ai ka luftuar për Kosovën, se ka humbur sa e sa anëtarë të familjes në luftë. Ministri serb po i thoshte: Po mirë, unë kam luftuar kundër NATO-s vetëm e vetëm që shteti i Kosovës të mos krijohet, por ja që më në fund u krijua dhe unë u dorëzova u bëra ministër në qeverinë e këtij shteti dhe nuk po e vjedh, po ti që paskësh bërë gjith ato sakrifica përse po e vjedh?

E.Ypi: Mitrush Kuteli ka dhënë këtë definicion për Serbinë dhe Ortodoksinë; Mistike, sentimentale, lakrimogjene. A po na bëhet edhe Kosova e tillë?

N.Spahiu: Jo. Kosova po bëhet Shqipëri e prapambetur, me një periudhë kohore prapa. Mitrushi bëri himnin e Kosovës, është i pari që përdori termin komb kosovar që më 1941. Lartësoi shqiptarin e Kosovës si askush tjetër. Është e tmerrshme që Kosova i bëri përmendore “macës e kucës”, por jo edhe Mitrushit të Madh.

E.Ypi: Të erdhi keq që Dritëro Agolli na la shëndenë?

N.Spahiu: Më vjen keq që shpirti i Agollit nuk do shkojë ku prehen në paqe Havzi Nela, At Zef Pllumbi, Vangjel Koça e shumë e shumë të tjerë, por atje ku shkojnë shpirtrat e ateistave, në fund të ferrit.

E.Ypi: Moti nuk kam qënë Kosovë. Kam frikë se po të vi mbytem në lot. Çfarë të bëj, të nisem tani, të pres edhe pak, apo të mos vi kurrë?

N.Spahiu: Eja. Do mbytesh në lotë, po eja. Eja tregoju shqiptarëve të Kosovës, se ke sfiduar vështirësitë dhe vuajtjet dhe ja ke arritur të mbetesh njeri i lirë, dhe nuk je skllav siç janë shqiptarët e Kosovës, të cilët akoma nuk e kanë kuptuar dhe besuar se tani janë njerëz të lirë dhe shtetin e tyre e kanë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne