Në Kosovë votohet sot nga ora 7:00 deri në 19:00 në 20 komuna nga 38 gjithsej, për zgjedhjen e kryetarëve. Në 19 komuna votohet me balotazh, ndërsa në një tjetër zhvillohet rivotim.

“Në kohën e parashikuar janë hapur të 614 qendrat e votimit”, tha kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në konferencën e parë për shtyp. Ajo në orën 7:00 votoi në një nga vendvotimet në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, ku u shpreh se pret një ditë të mirë për demokracinë dhe u bëri thirrje për pjesëmarrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote në komunat ku sot zhvillohen zgjedhjet.

Balotazhi po zhvillohet në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë, Kllokot, Obiliq, Kamenicë dhe Istog.

Rivotimi zhvillohet në komunën e Parteshit, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar përsëritjen e votimit pas një ankese për blerje të votave dhe manipulim të procesit zgjedhor.

Në 18 komunat e tjera kryetarët janë zgjedhur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. Me votimet e 22 tetorit, sipas rezultateve përfundimtare të çertifikuara nga KQZ, tashmë janë të zgjedhur kryetarët në këto 18 komuna: Deçan, Fushë Kosovë, Leposaviç, Lipjan, Novobërdë, Pejë, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Mamushë, Han të Elezit, Graçanicë, Ranillug, Mitrovicë të Veriut, Drenas dhe Junik.

Në këtë ditë votimesh, në 20 komuna të Kosovës është paralajmëruar se kongresmeni amerikan, Eliot Engel, i cili ka mbërritur dje në Prishtinë, do të vizitojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Engel viziton edhe koalicionin e organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, e cila me 1.784 vëzhgues po monitoron sot procesin zgjedhor në të gjitha vendvotimet./ trt

15